PROFETI MUHAMED (S.A.S.) ËSHTË NJERIU I DIMENSIONEVE TË VEÇANTA

muhammad-name-wallpaper-8481978.jpg

Ashtu si njeriu i sotëm i mjerë që ka humbur gjithato kritere vlerash, ashtu edhe qëndrimi, vështrimi dhe mendimi i tij për profetët dhe veçanërisht për mbretin e profetëve, Muhamedin  paqja qoftë mbi të! ndodhen në ditët tona në një gjendje krejtësisht të përmbysur. Ndërkaq, është kategorikisht e padrejtë ta vlerësojmë atë me kritere njerëzore sikur të ishte një njeri i zakonshëm.

Madje, kjo nuk është as e mundur. Sepse ai është një njeri i dërguar për ta rishikuar konfiguracionin e tokës dhe për t’i hapur njerëzimit horizonte të reja, duke u pajisur, për këtë qëllim, me një shpirt të posaçëm dhe me aftësi të posaçme, kështu që vlerësimi i tij i kapërcen kriteret tona. Duke u nisur nga kjo, kushdo që do të përpiqet për të treguar për të, le të tregojë sa të dojë; por ashtu siç duhet dhe plotësisht nuk mundet të tregojë! Njëri prej atyre që e kanë kuptuar më mirë atë, është Hasan b. Sabiti që thotë:

Me fjalët e mia Muhamedin nuk e lavdërova;

Fjalëve të mia me të lavdi u përftova..

Sipas kësaj thënieje, ajo çka u rrezaton bukuri fjalëve, është përmendja e bukur e tij midis atyre fjalëve, sepse shprehjet tona nuk kanë asgjë që mund t’i përftojnë atij! Në mënyrë po kaq lakonike janë shprehur mendimtarët e mëdhenj të këtij shekulli edhe për Kuranin.[1]

Të gjitha këto, në një masë, janë rezultat i përjetimit të të njëjtave ndjenja e mendime. Kush arriti të shprehet, frymëzimin nga i njëjti burim e ka marrë dhe të njëjtat gjëra i ka shprehur me të njëjtën formë. Dikush ka zgjeruar dhe qartësuar shprehjen e shkurtër të dikujt, kurse dikush tjetër është shquar për një frymë poetike më të avancuar, megjithatë, të gjithë janë vërtitur rreth po të njëjtit bosht.

Në të njëjtën formë edhe ne jetojmë të veçantën e të qenit umet, bashkësi e Tij, dhe e deklarojmë me zë të lartë harenë tonë gjë që është, në të gjitha aspektet, “e mira, dhuntia e mundësisë për të falënderuar”. Sado që ta falënderojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë që na ka bërë kryelartë me të mirën më të madhe dhe na ka bërë umet të Profetit Muhamed paqja qoftë mi të!, është pak. Kjo është një mirësi hyjnore. Mirësinë Ai ia jep kujt të dojë dhe në masën që të dojë. Vetëm se është i gjerë sa nuk mund të matet me asnjë kriter dhe masë nga tonat. Po, ajo që na është dhuruar neve në krahasim me të tjerët, është një oqean mirësish që s’i gjendet bregu…

Ai është njeriu i dimensioneve krejt të veçanta. Ajo çka na takon neve të bëjmë, është zelli për ta akorduar veten në vijën dhe frekuencën e tij. Kur sigurohet kjo, në mes fillojnë biseda të hapura e të shifruara. Urdhrat i jep vetë i Dërguari i Allahut. Drejtimin e merr ai në dorë. Kurse cilësia e xhematit, bashkësisë dhe shoqërisë që do të drejtojë, do të administrojë Ai, është e lartë, në atë nivel sa t’i bëjë engjëjt të dëshiruar dhe të përjashtuar prej çfarëdo shpjegimi e përshkrimi.

Ndoshta disave këto thëniet tona mund të mos u duken objektive. Punë e madhe! Sidomos teksa çdo ditë katër – pesë të rinj fytyrëdritë të kenë marrë shpirtërisht nga i Dërguari i Allahut ca përgëzime! Dhe sidomos pasi disa prej tyre të thonë se kanë hyrë në lidhje me Të fare pa pengesë, drejtpërsëdrejti, madje në botën konkrete!

Ai është vazhdimisht midis nesh me konstitucionin e Tij shpirtëror dhe, sipas disave, me trajtën e Tij materiale të transformuar në dritë. Imam Sujutiu thotë se mbi shtatëdhjetë herë është parë me të Dërguarin e Allahut. Po, ai nuk ka vdekur në atë kuptim siç e themi ne, ai vetëm dimension ka ndryshuar. Do të ishte gabim të mendohej vdekja e tij si vdekja e një njeriu të zakonshëm. Sepse Kur’ani thotë se edhe dëshmorët nuk kanë vdekur, kur dihet se pozita e tyre është dy shkallë më e ulët se pozita e profetëve. E nëse është kështu, si është e mundur të themi për të “vdiq” në kuptimin që i japim ne kësaj fjale? Ne mund të themi vetëm që ai ka kaluar në një dimension tjetër. Është për këtë arsye që e kanë parë njerëzit, ata që zotërojnë aftësinë për të kapur ato dimensione. Këta njerëz e shohin atë personalisht atje…

Ata që shpëtojnë prej errësirës së trupit dhe të të qenit lëndë dhe që arrijnë nivelin jetësor të shpirtit, munden ta jetojnë në të njëjtin çast të shkuarën dhe të ardhmen. Ja, pra, njerëzit e këtij dimensioni që edhe rrinë, në këtë çast, pranë e pranë me ju, edhe ndodhen gju më gju me të Dërguarin e Allahut, katërmbëdhjetë shekuj më parë, në Epokën e Lumtur. Personat prej kastës së njerëzve të Zotit, të cilët thirren “ebdall”, mund të gjenden në të njëjtin çast në disa vende. E pse të mos ndodhet ai, Mbreti i Profetëve, edhe në botën e pastajme, edhe në botën tonë, edhe në praninë tonë, edhe në praninë e profetëve? Ndodhet e do të ndodhet!

Kam për qëllim që të gjitha ç’po them, t’i bëj themel të atyre që do të them këtej e tutje. Kur shohim kah profetët dhe Profeti ynë, merr rëndësi të madhe këndi dhe qëllimi i vështrimit. T’i lëmë mënjanë profetët e mëdhenj; nëse parandjerja dhe njohja e shenjtorëve, e të urtëve dhe e mirëbërësve të mëdhenj kërkon një puritet shpirtëror të posaçëm dhe kthjelltësi ndjesore, si mund të njihen e të kuptohen profetët në klimën mjegullore të natyrës lëndësore? Atëherë, duke u përpjekur për t’i kuptuar ata, do të duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm e të pozicionohemi me të gjithë delikatesën dhe etiketën e mundshme. Ky kujdes duhet të shumëfishohet sidomos në përpjekjet për të njohur personalitetin e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!. Por ç’e do që, prapëseprapë, çdo njeri do të ndjejë e do të kuptojë për aq sa ia lejon fuqia e shikimit të syrit të zemrës së vet dhe, ndërkaq, askush nuk do të mundet ta konceptojë atë tërësisht me plot kuptimin e fjalës.

Po, Busajriu thotë kështu:

Njerëzit e përgjumur që jetojnë në ëndrra e qetësi,

Si munden ta kuptojnë të vërtetën e Tij?..

  1. [1] “Nuk i zbukurova unë interpretimet e të vërtetave Kuranore, ndoshta të vërtetat e bukura të Kuranit zbukuruan shprehjet e mia”. (Bediuzzaman, Mektubat,370)

 

ilmihali

Share this post

scroll to top