GJENITË E FORMUAR NË KLIMËN E PROFETIT MUHAMED (s.a.s)

lamp-2247538_960_720-1.jpg

Me horizontin e tij të mbështetur nga vahji, i Dërguari i Allahut i dalloi shumë mirë dinamikat që do ta mbanin shtetin në këmbë dhe i përdori ato në vendin e duhur, pa i shpenzuar kot. Ai ka qenë një prizëm cilësish të thella të ndërthurura që u përcaktonin synime të larta mendimeve artistike, të cilat hapnin rrugë që shkonin drejt kuptimit dhe frymës që e ngre peshë mendimin shkencor, ai përgatiti mjeshtra të mëdhenj lufte… Në kohën e vet, ai përgatiti një sërë komandantësh ushtarakë. Në rrugën që zgjatej drejt triumfit të botës pas tij, ai përgatiti komandantë të mëdhenj luftarakë nga Halidi te Ukbeja, nga Ukbeja te Ahnefi, nga ky te Tariku dhe te Muhamed bin Kasëmi… Dhe po ta shihni veçanërisht nga ky kënd burimin dhe arkitektin e atij formacioni të madh, do të pandehni se ai është preokupuar vetëm me çështjet ushtarake. Shumë studiues të sotëm si Akkadi e shohin shekullin e lumtur si grumbullimin e kapaciteteve të hapur ndaj gjenialitetit. Me të vërtetë, “Shkolla e Profetit Muhamed” është e vetmja shkollë që ka mundur t’i lartësojë gjer në fund kapacitetet dhe që i ka lartësuar. Çdokush që ka shkuar në atë shkollë, ka mundur t’i zhvillojë dhe gjenializojë të gjitha aftësitë e veta mendore, ndjesore e shpirtërore me sa ia ka lejuar natyra e vet. Hz. Ebu Bekri, një gjeni ushtarak, administrativ dhe dituror! Hz. Omeri, Osmani dhe Aliu (r. anhum), secili një gjeni i tillë më vete! Halidi, Sa’di, Ebu Ubejde, A’lau’l-Hadramiu, Ka’ka, secili një gjeni ushtarak më vete! Dhe me qindra të tjerë si këta, ajo epokë drite duket si një epokë gjenish! Më drejt, ajo epokë është një epokë e artë kur pasuria e dhuntive dhe kapaciteteve njerëzore u vlerësua dhe u shtua pa ia çuar dëm asnjë thërrime, është epoka e pasuruar dhe e rregulluar me qindra gjeni. Nëse s’është gjeni Ukbe bin Nafi që e vuri me një frymë Afrikën nga kreu në fund nën zotërimin e Islamit, kush mund të jetë gjeni? Ukbe u hodh në shpinë të kalit kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç dhe, në periudha të kalifëve të ndryshëm, mori përsipër përgjegjësi të mëdha. E vuri nën kontroll Afrikën gjer në breg të Oqeanit Atlantik dhe, siç dihet, tha: “Allahu im, më doli para ky det! Po të mos më kishte dalë, Emrin Tënd të Nderuar do të çoja gjer në brigjet përtej!”[1] Edhe skllavi nga fiset berbere, Tarik bin Zijad, i përgatitur në atë medrese, ka qenë një gjeni ushtarak. Me një ushtri dymbëdhjetëmijëshe, pas një mesdite, e sulmoi nga poshtë ushtrinë spanjolle, afro njëqindmijëshe, i doli nga sipër dhe arriti në Toledo te pallatet e mbretit![2] Edhe ai ishte një gjeni. A’lau’l-Hadrami ishte edhe ai një gjeni i madh dhe në periudhën e Hz. Omerit (r.a.) është thënë, “nuk kemi truall sa për të përdorur kaq gjeni”! Ky gjeni i dënuar në Bahrejn me ndëshkimin e ndalimit nga pritja dhe lufta, ka një histori jete plot shembuj mësimdhënës. Historianët thonë: “Merre Halidin dhe vëre në vend të A’la-it; merre A’la-in, vëre në vend të Halidit; asnjë boshllëk nuk do të krijohet!

Si mund të ndodhë? Si mund të dalin menjëherë kaq shumë gjeni në një kohë? Sa’d ibni Ebu Vakkas ishte një gjeni. Po t’ia ndjekësh gjurmët në Iran, edhe ti do ta kuptosh këtë! Ebu Ubejde ishte një gjeni. Shurahbil bin Hasene ishte një gjeni.[3] Jezid Ibni Ebu Sufjan ishte një gjeni. Dhe me sa e sa të tjerë, një varg gjenish pas të Dërguarit të Allahut… Ndryshe nuk mund të kapërcehej shkretëtira, nuk mund të arrihej në Sindabad, te Muri i Madh Kinez, në Gjibraltar, nuk mund të ngrihej pushteti në këto vende brenda një kohe të shkurtër prej një çerek shekulli, nuk mund të vendosej administrata dhe rendi ose nuk mund të mbahej edhe po të vendosej. Sidomos nuk mund të përballoheshin mashtrimet, çorientimet, fyerjet dhe përdhunimet e feve të kaluara dhe organizatave fetare dhe ky sistem nuk mund të mbetej në kulm për 12 shekuj me radhë përkundër gjithë botës, përkundër shumë e shumë vështirësive e pengesave! Sigurisht, ishte ky gjenialitet me burim profetik tek ta që qe mundur të mbahej me sukses administrimi profetik i botës. Sikur, ndërsa perëndonte, i Dërguari i Allahut, ai diell i diejve, copëtohej dhe u ndahej atyre që i vinin pas! Dhe secili prej tyre, me atë zgjuarsi muhamedane, i përfaqësonte këto punë të mëdha në dimensione botërore. S’e di, a është e mundur të imagjinohet, të përshkruhet një periudhë tjetër e ngjashme me këtë? Nuk them të shihet, them a është e mundur të imagjinohet, të gjendet në fantazi, madje të ftohet në ëndërr një gjë e tillë? Këta emra që u përpoqa t’jua përcjell me një hop dhe misionet e tyre që i nënvizova, janë secila më vete tema të gjera me cilësinë për të përbërë bazë për kërkime e studime të ndryshme.

Nga këta gjeni ushtarakë e administrativë të përgatitur nga Islami, ne përmendëm vetëm ata që na erdhën së pari në mendje dhe vetëm disa prej të parëve. Të tregosh për të gjithë ata, kërkon një studim me madhësi vëllimesh që, fundja, as është e mundur për ne që, brenda këtij intervali të shkurtër, të ndajmë vend për këtë temë e në këto dimensione. Ne u hymë anasjelltas këtyre temave dhe qëndruam vetëm mbi specifikat që mund t’i lidhnim me misionin profetik të të Dërguarit të Allahut. Ajo çka pres dhe shpresoj unë, është që këto tema të merren dhe trajtohen gjerësisht nga personat kompetentë. Pikërisht atëherë medreseja profetike do të dalë në shesh edhe me disa dimensione të tjera dhe, me gjuhën e atyre fushave, do të bëjë të thuhet: “Muhammedu’r-Resulullah”, “Muhamedi është i Dërguari i Allahut”!

 

  1. Gjenitë e diturisë të asaj medreseje

 

Ajo medrese e hapur edhe për diturinë dhe shkencën po aq sa për burrin e shtetit, administratorin dhe specialistin ushtarak, ka përgatitur shkencëtarë, mendimtarë, juristë, ideatorë dhe shpikës sa një botë e tërë. Të numërosh e derdhësh në letër udhëtarët e kësaj udhe drite, duke filluar që me kalifët rashidinë, që patën qëndruar gjithnjë në majë gjatë tre shekujve të parë, është një gjë që e kapërcen edhe vëllimin e këtij libri, që i kapërcen edhe mundësitë tona. Pandeh se mjafton sikur ta shohësh vetëm Ibni Mes’udin që një kohë pati bërë punën e çobanit në Mekë!

Me të, Kufe u shndërrua në një qendër diturie dhe në klimën e tij të diturisë dhe kulturës, u përgatitën qindra e mijëra figura të shquara në fikh, në hadith, në kelam, si Alkamet, Esved b. Jezidët, Ibrahim Nehaitët, Hammadët, Ebu Hanifet, të cilët, që të gjithë dhe me gjithçka i detyrohen atij burimi të shenjtë. Edhe sikur ne të bëjmë sikur nuk e shohim këtë të vërtetë të madhe, shkenca e historisë i ka vlerësuar dhe mbajtur shënim! Shkenca e historisë do t’i shënojë në s’i pastë shënuar, dhe, përkundër një sërë shpirtrash kryeneçë, në një të ardhme të afërt, do ta trazojë dhe bubullojë tërë gjithësinë!

 

  1. a) Në fushë të fikhut

 

Të gjithë shpirtrat e tjerë të mëdhenj le të mbeten në vendin e tyre në zemrat tona rrethuar me respekt dhe le të na falin. Ne do të marrim si shembull njërin prej tyre, do të qëndrojmë shkurt mbi të dhe, duke thënë, “ja, të tillë qenë”, do ta hedhim fjalën edhe për të tjerët.

Kush është Ebu Hanife? Ebu Hanife, imami i shkollës sonë, i drejtimit tonë juridik e fetar. Një mjeshtër i mjeshtrave, ai që u ka diktuar mendimet e veta burrave të mëdhenj që i pati mbledhur përreth vetes në periudhën e ballafaqimit të dijes dhe kulturës, ai që në rrethin e tij mësimor kreu detyrën e shejhul-islamit për grupin e njerëzve të dritës dhe diturisë së periudhave të para, që përgatiti Ebu Jusufët, Imam Muhamedët, Imam Hasan Shejbanitë, Imam Zuferitë dhe Vekiun, mësuesin e Imam Shafiiut. Ai u vinte nënshkrimin e vet epokave, u bënte zë shekujve pas tij dhe ngjitej në pozitën e imamit të milionave. Shënimet që u diktoi ai nxënësve të tij të parë dhe veçanërisht Imam Muhamedit, i sistemoi më vonë Shemsu’l-Eimme, Serahsiu, në veprën e tij të njohur, “Mebsut”, dhe, madje, në fundin e një pusi, e një cisterne… Çdo ditë, nxënësit mblidheshin rreth cisternës, ai përkufizonte, saktësonte, kurse nxënësit i shënonin thëniet e tij, i fiksonin…

Është një anekdotë e tillë: Një ditë, nxënësit i thonë Serahsiut: “Imam Shafiiu paska mbledhur në kujtesë treqind dosje hadithi!” Dhe imami i madh, me një pamje mjaft modeste, mërmërit kështu: “Domethënë, qenka zekati i haditheve në kujtesën time!..”[4]

Kuptojeni si të doni! Edhe Imam Shafiiu, një gjeni më vete, maja e Everestit. Një majë e tillë, Imam Maliku. Edhe Ahmed bin Hanbel, një majë mali e tillë ishte.

Tani le të pyesim edhe një herë: Kush ishte Ebu Hanife? A mos nxënësi i Alkames, Jezidit, Esvedit, nxënësve të Ibni Mes’udit (r.a.) nga sahabet? Jo! Nxënësi i nxënësve të tyre! Pra, nxënësi i Hammad Ibni Ebi Sulejmanit. Ç’është e vërteta, edhe Hammad ishte një gjeni i veçantë i fikhut, një gjeni i së drejtës juridike, por nxënës i nxënësit të të Dërguarit të Allahut!

Po, në atë periudhë kur bota notonte në errësirë, kur as në lindje e as në perëndim të njerëzimit nuk dukej as zbardhja e rreme e agimit, madje, këta dijetarë që do të ndriçonin njerëzimin dhe botët, u përgatitën një e nga një në shkollën e Profetit Muhamed (s.a.s.)! “Këta njerëz të cilët, me dijet, kulturën dhe pjellorinë e tyre shkencore do të ndriçonin botët, shprehnin vlera mbi vlerat, megjithëse ishin shumë, ishin të çmuar!” Vlera e tyre nuk buronte nga që ishin të rrallë. Vetëm në periudhën e Ebu Hanifes, në Kufe ndoshta mund të numëroheshin pesëdhjetë gjeni të atij dimensioni. Sa pjellore është toka, sa e bekuar është koha! Më drejt, të gjithë këta janë reflektimi i dritës së Profetit Muhamed (s.a.s.), janë dallgëzimi i detit të tij të diturisë shpirtërore! Po, është në sajë të tij që nga një bashkësi beduinësh shpërtheu jashtë një kuadër diturie që e ndriçoi njerëzimin dhe i mbyti botët në dritë për katërmbëdhjetë shekuj me radhë dhe, në dashtë Allahut, do ta ndriçojë gjer në kiamet!

 

  1. b) Në fushë të tefsirit

 

Sipas nesh, tefsiri është një det më vete kurse si pika uji në krahasim me të, si pika uji të atij deti, është një arenë gjenish të mëdhenj nga Hz. Aliu te Ibni Abbasi, nga ky te Muxhahidi dhe Said Ibn Xhubejri, nga këta gjer te Ibn Xheriri, Fahruddin Raziu, Ibni Kethiri e gjer te dijetarët e mëdhenj të ditëve tona, të cilët, me përkatësinë ndaj Profetit, do të shërbenin dhe mjaftonin si dëshmitarë të profetësisë së tij, edhe sikur të mos kishte argument tjetër për të!

Për shembull, nga këta, ibni Xheriri është një mrekulli më vete. Shihni tefsirin e tij ku ai, me komentet e tij mbikohore të ajeteve dhe haditheve, flet për formimin e qiejve në shtatë kate, tërheq vëmendjen për faktin se si një kohë, qielli dhe toka ishin një dhe kur i erdhi koha, shpërthyen. Një mufesir, komentues, që parashtron parimet themelore të erërave dhe shirave dhe bën fjalë për gjëra që do të kuptohen vetëm pas një mijë vjetësh! një gjeni i vërtetë! Kërkimet dhe studimet shkencore tregojnë se ibni Xheriri ka shkruar mesatarisht 15 faqe në ditë vepra origjinale e studimore. Tani, nëse s’është gjeni ai, kush mund të jetë?

Po, edhe në fushë të tefsirit, nga ibni Xheriri te Fahruddin Raziu, nga ky te Imam Sujutiu i cili, duke hulumtuar qindra libra tefsiri, ka përgatitur vepra të mëdha, e gjer te dijetarët e mëdhenj të kohës sonë, ka njerëz të përgatitur në shkollën e Profetit Muhamedit (s.a.s.) në fushën e tefsirit, të tillë që, po të dilte njëri prej këtyre në perëndim në një periudhë të caktuar, do t’i ngrinin një përmendore të madhe dhe do t’ia bënin të njohur tërë botës.

Ne kemi një Imam Gazali që s’ka shok në shumë degë të diturive dhe shkencave. Por njeriu i perëndimit shumë pak ka mundur të tregohet i matur. Megjithëkëtë, në një çast maturie, Gibbi e pikturon atë si një shpirt të mrekullueshëm me shkop në dorë tek i magjeps njerëzit. Në linjën që zgjatet nga Imam Gazaliu te Imam Rabbaniu dhe nga ky gjer te Bediuzzamani, mund të takohesh me qindra nxënës të Profetit!

 

  1. c) Në fushë të hadithit

 

Kurse gjigantët e fushës së hadithit janë, secili, monumente krejt të veçantë të diturisë dhe virtytit. Imam Buhariu, Imam Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibni Maxhe, Imam Ahmed b. Hanbeli, Darekutni, Bejhakiu, Darimiu, të gjithë këta janë njerëz që secili më vete, në fushën e tij, mund t’i mjaftojë gjithë botës. Natyrisht, në asnjë mënyrë s’e kemi të mundur të qëndrojmë një për një mbi këta personalitete dhe t’i analizojmë veprat e tyre shkencore, sidomos po të mbajmë parasysh se ç’kemi vënë për synim. Vetëm kaq mund të themi se, nga këta, Imam Buhariu, pasi ka ngulitur në kujtesë një milion hadithe, vetëm afro 4 mijë prej tyre i ka hedhur në letër në veprën e tij “Sahih”. Ndërkaq, rigoroziteti që ka treguar në këtë përzgjedhje, është një legjendë më vete. Për çdo hadith, para se ta shkruajë, paska marrë abdest, paska falur dy rekatë namaz, pastaj paska hyrë në lidhje shpirtërore me Profetin dhe, vetëm pasi ka marrë miratimin e tij, e paska hedhur në libër. Ja pra, edhe një imam gjigant si ky është një nxënës i zakonshëm i Profetit, që është përgatitur në rrethin e tij mësimor. Imam Buhariu udhëton me ditë të tëra për t’u takuar me njeriun nga i cili do të dëgjojë hadith, më në fund, duke iu afruar që ta takojë, sheh se njeriu i tregon kalit qylafin bosh, duke u sjellë sikur në të të kishte elb dhe, atëherë, imami kthehet prapë pa e pyetur njeriun, pa i folur fare dhe kur e pyesin pse ka vepruar ashtu, përgjigjet: “Nuk jam i sigurtë se njeriu që e gënjeu kafshën, nuk ka për të më gënjyer edhe mua!” Dhe kush e di, sa e sa imamë të tjerë gjenialë hadithi ka, të cilët e kanë kaluar tërë jetën në mënyrë kaq rigoroze! Ja konaku prej krizoliti i fesë, ja hamallët-engjëj krahartë të tij dhe ja rruga jonë prej argjendi që s’të gënjen kurrë!

 

  1. d) Dimensioni botëror i diturisë

 

Në emër të shkencës historike të vjetër e të re, u shkruan aq shumë vepra të mrekullueshme të anshme, të paanshme e krahasuese, saqë është e pamundur t’i lexojmë këto e të mos ndjejmë admirim për të kaluarën tonë të shkëlqyer. Në një periudhë që konsiderohet si epoka e artë e muslimanëve, mjekësia, matematika, gjeometria dhe të gjitha degët e shkencave të natyrës shkonin krahas me fikhun (të drejtën islame), tefsirin (komentin e Kur’anit), hadithin (traditën profetike) dhe kelamin (apologjetikën islame). Nga El-Xhabiri (udhërrëfyesi i algjebrës) te ibni Sina, nga ky te ibni Batuta dhe Harizmi dhe prej këtij te Zehraviu, mjeshtri i kirurgjisë, veprat e të cilit u mësuan në Evropë gjatë dhjetë shekujve me radhë, të cilin, një revistë shkencore, duke e prezantuar, e mbiquan “shkencëtari që ka jetuar dhjetë shekuj”, të gjithë këta që bëhen me qindra dhe mijëra, janë çirakët e shkollës së Profeti Muhamed (s.a.s.)!

Po pse, vallë, tek ne nuk janë parë e njohur këta njerëz të mëdhenj dhe, as sot nuk njihen ende nga shumica? Fakti që nuk janë vënë re është një iluzion ndjesor. Në perëndim këta nuk i shpëtojnë shikimit, sepse atje janë si maja që lartësohen aty-këtu në një fushë të rrafshët. Ata aty bien në sy edhe sikur të mos jenë shumë të lartë. Ndryshe nga kjo, majat tek ne janë të njëpasnjëshme, janë një e tërë; pamundësia për t’i matur ka lindur mosnjohjen e tyre. Ata janë si maja që ndodhen pranë e pranë. Mes tyre nuk ka ultësira, nuk ka gropa që të mund të bien në sy e të njihen. Sa për ne, ne u treguam të pabesë ndaj tyre dhe erdhëm në këtë gjendje. Ne nuk mundëm ta vlerësonim veprën e tyre të madhe. Ndërsa perëndimi me atë vepër nxirrte në shesh rilindjen e tij, ne nuk u çliruam dot nga një sërë iluzionesh. Faji është tek ne, jo tek të parët, por tek plangprishësit, faji është tek ata që, megjithëse ndodheshin brenda në det, nuk ia dinin vlerën detit!

 

  1. Heronjtë e botës shpirtërore

 

Një dimension në gradë të dytë i tij është shenjtëria[5]. Në emër të shenjtërisë, Profeti Muhamed (s.a.s.) përgatiti njerëz të tillë, dhe, me portën që hapi, lartësoi në majën e përsosmërisë njerëzore njerëz të tillë, nga të cilët dikush thotë: “Edhe sikur perdja e të fshehtës të hapej, njohja ime faktike s’do të shtohej!” Disa sodisin Arshin e Madh, rezidencën hyjnore, ndërsa ndodhen në tokë, disa të tjerë bien në dalldi me soditjen e asaj statujës së shkëlqyer të Hz. Xhebrailit. Disa i kërkojnë një e nga një dimensionet e fshehtësisë së Kur’anit dhe sunetit dhe thurin dantella me shenjat e tyre. Ja Xhelxhutije, ja Nehxhu’l-Belaga, ja Mesnevija, ja Futuhulgajb, ja Fusus dhe Futuhat. Një ditë kur te ai shfaqet mirënjohja, Edisoni thotë kështu: “Rrugën që shkon për tek elektriku, e gjeta te vepra “Futuhati Mekkije” të Mujiddin Arabiut!” Me shprehjet dhe deklaratat e saj enigmatike, vepra “Futuhati Mekkije” është edhe sot në dorën tonë. Të deduktosh për elektrikun, elektronet, të nxjerrësh llambën elektrike nga një shprehje enigmatike e Kur’anit, edhe sikur të kritikohet nga disa pika, duhet të jetë një përpjekje egoizmi për të bërë kritikën e një ngjarjeje që i ka dalë interpretimi. Shumë të vërteta, njeriu i arrin edhe me anë të një të përpjete të tillë shenjtërie, edhe me anë të laboratorëve, me anë të qendrave kërkimore-studimore. Nëse ne nuk i kemi arritur dot, nëse nuk i arrijmë dot, kjo duhet kërkuar në inkonsekuencën e mendimit, në varfërinë e gjykimit, në dobësinë e ndjenjave, në pamjaftueshmërinë e vullnetit dhe vendosmërisë. Jo të kuptosh njerëzit që kanë kapërcyer epokën e tyre, si ibn Arabiu, Mevlana, Imam Rabbaniu dhe Bediuzzamani, është shumë e vështirë, madje, të kuptosh gjërat e zbuluara prej tyre! Si do ta kuptojmë një Shah Nakshibendi, një Maruf Kerhi, një Shazeli, një Shah Gejlani, një Ahmed Bedevi, një Shejhul Harani? Ja pra, të gjithë këta janë vetëm nxënësit dhe çirakët e shkollës së Profetit Muhamed (s.a.s.). Sipas nesh janë njerëz gjenialë, por, sipas shkollës së Profetit Muhamed (s.a.s.), janë vetëm një duzinë çirakësh – shpirti m’iu bëftë fli atyre çirakëve – dhe dashnorë të pasionuar pas dritës që, si fluturat që vijnë rrotull dritës, janë rrotulluar vazhdimisht përreth tij. Nëse iu janë hapur sytë për ta parë të fshehtën, prapë, me ato që kanë mësuar nga i Dërguari i Allahut u janë hapur. Në parantezë po kujtojmë fjalët e Imam Sujutiut, që thotë: “Në jetën time jam takuar 28 herë me Profetin Muhamed jo në gjumë, por duke qenë zgjuar!” Nëse kanë vrapuar pas dritës, kjo, me tërheqjen e tij ka ndodhur!

Ne jemi të burgosur në hapësirën tredimensionale dhe robër të kohës, e cila është një dimension konvencional i hapësirës. Kurse ata, duke kapërcyer hapësirën dhe kohën, jetojnë në një dimension tjetër, të ndryshëm nga këto, mbase jetojnë çdo ditë sy më sy e gjunjë më gjunjë me Profetin Muhamed (s.a.s.)! Madje, njëri prej tyre thotë kështu: “Po të mos takohem qoftë edhe një çast me Të, unë shkatërrohem. Sepse Atij ia detyroj tërë qenien time! Ashtu si luledielli e programon hapjen dhe mbylljen e vet sipas diellit, edhe unë ia detyroj jetën time ndjekjes dhe vështrimit të Tij! Po të më perëndojë Ai në zemër, do të thotë se edhe unë kam mbaruar!” Këta janë nxënësit e shkollës së Profetit Muhamed (s.a.s.); edhe në të ardhmen, në dashtë Allahu, nga i njëjti burim do të shpërthejnë formime të reja! Shenjtëria nuk është fusha ime. Pranë velive, shenjtorëve, unë mund të jem, shumë shumë, kitmiri, qeni roje i portës së tyre ose vetëm admiruesi i asaj bote. Në dashtë Allahu, një ditë, në sajë të zgjimeve të posaçme brenda jush, sytë e shumë vetëve do të hapen për ta parë të vërtetën dhe do të më japin të drejtë mua!

Ç’mësues dhe prijës është Profeti Muhamed (s.a.s.), që sot, në botën e misticizmit, në botën e jogizmit, nxënësit e tij i kanë fshirë e kaluar projektet e prijësit llafazan të boshllëkut ashtu që, po të mos frynte një erë e kundërt, ne qysh tani do të mund të thoshim: “Bota e së ardhmes është jona!” Po, sot Muhjiddin Arabiu aq e ka magjepsur njeriun e perëndimit, saqë në Gjermani, mijëra muslimanë me prejardhje gjermane, në sajë të dritave të shpërndara nga Muhjiddini dhe shokët e tij, thonë Profeti Muhamed! Po qe se në një vend, Abdulkadir Gejlaniu, Mevlana, Muhjiddin Arabiu, Imam Rabbaniu dhe Bediuzzamani hyjnë në zemra dhe arrijnë t’i kthejnë ndjenjat kah Profeti Muhamed (s.a.s.), kjo është krejtësisht një forcë e shenjtë e mësuesit dhe mjeshtrit të tyre!

Hz. Mevlana është një njeri gjigant. Në parantezë vetëm sa po kujtojmë se disa e kanë trajtuar atë nga këndvështrime të ndryshme, se, për më tepër, janë përpjekur ta vënë atë në vend të Profetit, se thonë që kjo apo ajo gjë e tij është profetike. Hz. Mevlana është nga figurat e mëdha dhe burrat e urtësisë  që e njohin botën engjëllore, i cili ka hapur velat drejt përjetësisë. Ai është përfaqësuesi i pashoq i dashurisë pasionante, i vuajtjes dhe ankthit, i emocionit, i sinqeritetit dhe njëri prej zbuluesve më të mëdhenj të arritjes te e vërteta e madhe, te e vërteta absolute, me anë të metaforave dhe aluzioneve. Në të njëjtën kohë, Hz. Mevlana Xhelaleddin Rumiu është një mjeshtër fjale. Sipas kompetentëve, edhe në dorën e tij ka një shkop magjik dhe, kush hyn në klimën e tij, magjepset!

 

  1. Dhe mjeshtri i gjuhës

 

I Dërguari i Allahut është mbreti i mbretërve arabë të fjalës dhe kryeshahu i oratorisë persiane.

Në këtë fushë ai ka një botë dëshmitarësh! Nga Hasan b. Thabiti te Ka’b bin Maliku, nga Abdullah bin Revaha te Ka’b bin Dhuhejr bin Ebi Sulmai, nga Lebidi te Hansa binti Dhuhejre dhe prej tyre te të gjithë poetët dhe letrarët abasitë, omejadë, selçukë, të gjithë mjeshtrit e fjalës i kanë shprehur thëniet e tyre më të çmuara lidhur me Të, me mesazhin e Tij dhe me fjalët e Tij dhe nuk kanë lënë gjë mangët në respektin ndaj mësuesit dhe mjeshtrit të tyre. Pa le poetët iranianë! Hajdar Bammad na përcjell që, një ditë, Gëte t’i ketë thënë kështu Princ Millerit: “Në historinë e Islamit, veçanërisht në Iranin ku kanë jetuar selçukët, abasitët dhe iranianët, në periudha të ndryshme janë përgatitur poetë gjigantë. Por në botën islame vetëm katër-pesë prej tyre pranohen!” Një njeri si Gëte i cili, në Gjermani, i ka ripërftuar gjuhës ndjeshmërinë, që e ka zbuluar gjuhën për së pari dhe që, posaçërisht me Faustin, ka hapur epokë në letërsi, thotë: “Në këtë vend, në kohë të ndryshme, janë përgatitur njerëz gjigantë, prej të cilëve, bota islame merr vetëm pesë: Mevlana Xhelaleddin Rumiun, Hafiz Shiraziun, Firdeusiun, Enveriun dhe Nizamiun. Të tjerët i lënë jashtë, pra, nuk i njohin si poetë. Mes atyre që i kanë hedhur se s’janë letrarë, ka të tillë që unë s’u shtie dot ujë për të larë duart!” Le të mbetemi me hutimin tonë! Kë fryjmë, kë e ngremë lart si balonë dhe ndaj kujt mbetemi të painteresuar e indiferentë!

Po s’e ditëm, le ta dimë se nuk ka perëndimor që të mos e ketë imituar Hafiz Shirazin. Edhe letërsia osmane, në masë të madhe, është e ndërthurur me botën e Hafiz Shirazit! Ja, pra, me iranianë e me turanianë, të gjithë këta janë çirakët e shkollës së Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe arkitektë që përdorin materialet e lëna prej Tij!

[1] Ibn Ethir el-Kamil fi’t-Tarih, 4/107.

[2] Ibn Ethir el-Kamil fi’t-Tarih, 4/562.

[3] Ibn Sa’d, Tabakat, 4/127.

[4] Usulu’s-Serahsi, 1/5.

[5] Në origjinal: velajet.

ilmihali

Share this post

scroll to top