Asgjë nuk arrihet pa u lodhur

shutterstock_776264908.jpg

Në anën tjetër, Kurani mundohej të pastronte mendimet e njerëzve në këtë tollovi mendimesh nga më të shumëllojshmet, porse të gabuara. Ai u sillte atyre mendimin e drejtë mbi të gjitha temat që ata diskutonin gjatë ditës. Sepse, si çdo herë në historinë e njerëzimit, përfaqësuesit e mohimit e shihnin veten të ndryshëm, duke u dhënë vetes një të drejtë përbuzjeje karshi besimtarëve. Ajejet zbrisnin, jepnin shembuj nga profetët e mëparshëm, duke u treguar mënyrën e tyre të të jetuarit, dhe me këtë rast i këshillonin myslimanët që “të bënin durim”. Teksa një ajet përshkruante me detaje vështirësitë e kaluara prej profetit Nuh alejhi selam, duke treguar fjalët që i ishin thënë profetit Nuh prej mosbesimtarëve, u jepte atyre një mesazh.
– Sipas nesh, ti nuk ke asnjë ndryshim me ne! I njëjtë je! Lëre që, ata që të ndjekin ty janë shtresa më e ulët në mesin tonë. E gjitha kjo i thuhej atij para syve. Prandaj, ne nuk mendojmë se ju mund të keni diçka më tepër se ne, madje mendojmë se ju jeni veçse disa gënjeshtarë.
Kjo ishte një sjellje aspak e hijshme, e cila arrinte deri atje, sa e shihte lumturinë shpirtërore tek përzënia e disa të varfërve nga mesi i shoqërisë. E njëjta situatë po ndodhte, vetëm se kishte ndryshuar dimensione; po mundohej që të arrihej diçka e vyer pa u munduar aspak.
Idhujtarët e Mekës vinin herë pas here për të dëgjuar fjalët e Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe ajetet kuranore, por më tepër me qëllimin për të kuptuar se si funksiononte ky mekanizëm, i cili ngelej prapëseprapë i pakuptueshëm nga ana e tyre. Ata nuk synonin kurrsesi se do të fitonin diçka nga besimi, qëllimi ishte si të mbaheshin më fort pas mohimit që u kishte verbuar sytë. Ato çfarë dëgjonin nuk kishin kurrfarë kuptimi për ta, ndaj ata, me t’u larguar nga mexhlisi vazhdonin me sjelljet e tyre përtallëse. Sepse, lëre që mendonin se ishin ata që besonin me të vërtetë te Zoti, por si çdo sjellje të tyren mundoheshin ta fusnin brenda një kornize të së drejtës.
– Nëse edhe këta do të shkojnë në Xhenet, atëherë padyshim, që vendi ynë atje ka për të qenë më i madh dhe më i bukur, – thoshin ata. Kësisoj e vendosnin veten e tyre në parajsë që prej këtu, por derisa fjalët e Xhebrailit alejhi selam t’ua fiknin këto shpresa:
– Ç’u ka ndodhur kështu këtyre mosbesimtarëve, që bredhin sa majtas sa djathtas, e që zgjaten ashtu për të të dëgjuar, me demek se duan të tallen! Mos u ka hipur në kokë se do të shijojnë Xhenetin e Bekuar pa besuar? As të mos u shkojë nëpërmend! Sepse, asnjë njeri nuk ka të drejtë të krenohet përpara një tjetri! Sepse Ne, i krijuam ata, si gjithë njerëzit e tjerë, nga një droçkë e pistë uji!

ilmihali

Share this post

scroll to top