Çdo gjë që kryhet për hir të Allahut e ka medoemos një shpërblim, një kundërvlerë të caktuar. Kur vjen puna tek agjërimi, si agjërimi nuk ka tjetër kur vjen puna te shpërblimi i tij. Ebu Umameja (radijallahu anh) transmeton se:
“I kërkova të Dërguarit të Allahut një këshillë. ‘Agjëro. Sepse agjërimi nuk ka të barabartë.’ – më tha. I kërkova sërish një këshillë. Ai, sërish, më tha: ‘Agjëro, sepse nuk ka të barabartë me agjërimin.’”
Ebu Umameja i nderuar (radijallahu anh) e përqafoi aq fort këtë këshillë që kishte marrë nga Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), sa që, që prej asaj dite, ai, e shoqja dhe shërbyesja e tij ishin gjithmonë duke agjëruar. Madje, nëse shikonte ndokush që nga shtëpia e tij të dilte tym, thuhej menjëherë: “Duhet të kenë miq në shtëpi.” Megjithatë, këtë pjesë le ta mbyllim duke përmendur edhe disa hadithe të tjera të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në lidhje me virtytin e agjërimit:
“Në Xhenet gjendet një portë që quhet porta e Rej’janit, nga e cila do të mund të hyjnë vetëm ata që kanë agjëruar; askush, përveç tyre, nuk do të mund të hyjë prej saj.”
“Çdokënd që mban një ditë agjërim për Allahun, Allahu e largon atë shtatëdhjetë vite larg prej Xhehenemit.”
“Agjërimi dhe Kurani, në ditën e kiametit, do të ndërmjetësojnë për faljen e mëkateve të robit të Allahut. Agjërimi do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë gjatë ditës larg të ngrënit e të pirit dhe të gjithë kënaqësive të tjera. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ –Kurse Kurani do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë netëve larg gjumit. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ – Dhe ndërmjetësimi i këtyre të dyjave është një ndërmjetësim që pranohet.’”