Tanimë, Mbreti i mbretërve, kishte nevojë për pak vetmi, ndoshta donte të largohej sidoqoftë prej asaj Qabeje që ishte larguar disi prej urtësisë së ndërtimit të saj. Merrte me vete një sasi ushqimi dhe kërkonte për ndonjë vend të qetë ku të mendohej sadopak. Sepse ndërgjegjja njerëzore ishte errësuar aq shumë, e injoranca kishte marrë gjithçka përpara, e Qabeja ishte mbushur plot e përplot me idhuj të panevojshëm. Qabeja, e ndërtuar si kundërpërgjigje ndaj këtyre idhujve nga Profeti Ibrahim, ishte kthyer në një lodër për mekasit. Këta njerëz e kishin harruar detyrën e tyre të adhurimit karshi Allahut, e dukej të kishin hyrë në një garë për t’ia flijuar vetveten idhullit më të parë që do t’u mbushte mendjen. E qartë, që ky peizazh e kishte mërzitur jashtëzakonisht shumë Shpirtin e Qelibartë sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Ajo Qabe që ishte ndërtuar për të ndihmuar shpirtrat e tyre që të gjenin sadopak lehtësim shpirtëror, ishte kthyer tani në një shkas ngurtësimi të zemrave të atyre që jetonin aty pranë saj. Andaj, ndoshta, I Dërguari i Allahut kërkonte medoemos që të largohej prej kësaj gjendjeje drobitëse. Megjithëse kishte shumë nevojë të largohej drejt një tjetër qetësie, prapëseprapë nuk i shqitej prej zemre dashuria që kishte karshi kësaj ndërtese të shenjtë. Sërish, edhe kur largohej, mundohej të gjente një vend nga të mund të shihej edhe Qabeja. Ky vend ishte maja e një mali aty pranë, me emrin Nur. Në njërën nga anët, Qabeja edhe pse e vogël, dukej e plotë. Aty gjendej edhe një shpellë me emrin Hira, në të cilën shumë shpesh, ndodhte që Profeti ynë i nderuar të hynte për të medituar. Ja, deri këtu vinte thuajse përditë I Dërguari i Allahut, për të ndenjur aty mandej me ditë, javë dhe muaj të tërë. Dukej qartë se ky ishte një paracaktim i Zotit të Madhërishëm për ta bërë të fuqishëm sa të mund të mbante mbi supe një mesazh të madh, siç ishte i Tiji. Profeti i trishtuar e ndjente veten të pikëlluar e të dobët; edhe Qabeja i dukej sikur të ishte po e pikëlluar, e trishtimi i Tij kësaj here shtohej e shtohej akoma më shumë. Ndoshta e gjente qetësinë kur mendonte për ditët e mbara që do të vinin, për ato ditë të së ardhmes kur zemra e Tij do të ishte e mbushur plot e përplot me besim në Zot. Teksa rrinte kështu vetëm, e ndjente se si i mbushej zemra me ndjenjë adhurimi, e lutej fjalë-fjalë për fatin e zi që kishte ndjekur kësisoj Qaben e shenjtë. Mali i Nurit për në të cilin Ai udhëtonte përditë me orë të tëra, ngjante sikur i kishte bërë një ftesë më vete zotëruesit të nurit, e të dy ashtu të pritur, mezi duronin derisa të zbriste edhe nuri hyjnor. Ndërsa rrinte aty në shpellën e Hirës, Ai e ndjente veten të hapur karshi një besimi të pastër, i mbyllur ndaj kotësive; i ngjante sikur ishte ftuar në një zijafet të veçantë e të papërshkrueshëm të zemrës, dhe fërkonte vazhdimisht fytyrën e Tij.