NJERIU I INTUITËS SË LARTË ME DIMENSIONE REVELATIVE: Problemi i luftës

peygamberefendimizsavas-702x336.jpg

Problemi i luftës

 

Ishte problemi i sulmeve të armiqve dhe i luftës. Po, problemi i sulmeve, luftërave, fitoreve, paqeve. I Dërguari i Allahut edhe u sulmua, edhe luftoi. Po, në fillim me fisin dhe popullin e vet, pastaj në Medine me çifutët në rrethinat e saj. Më pas u përlesh edhe me perandori të tilla si Bizanti dhe Sasanitët. Ai ishte i rrethuar ngado me armiq të cilët prodhonin probleme çdo çast, kurse ai vazhdonte t’i zgjidhte ato, si gjithmonë, me lehtësinë më të madhe!

 

  1. a) Taktika e Uhudit

 

Do të flas jo për fitoren e Bedrit, jo për llogoret në luftën e Hendekut, jo për epikën që shkruan heronjtë e Mu’tes, as për përpjekjen e kalorësve të Jermukut; do të parashtroj çështjet që erdhën së bashku me Uhudin i cili, në një vështrim, mund të konsiderohet disfatë, dhe me dy-tri fjali do të shënoj vëmendjen, mendimin e gjerë dhe vendimet e qëlluara të Profetit. Uhudi është lufta kur për herë të parë u shfaq një e çarë në radhët e Islamit. Unë mbështetem te Allahu nga cilësimi i një muslimani të vërtetë si të mundur. As nuk them që pësoi disfatë. Më së pari, aty kishte një vendim të Allahut, sepse përballë dhe kundër muslimanëve kishte gjeni ushtarakë dhe politikë si Halidi dhe Amr b. Asi. Në të ardhmen këta kishin për të përmbysur sa e sa ushtri armike! Mirëpo për atë ditë ata ndanin së bashku fatkeqësinë për t’u ndodhur në radhët e politeistëve! Megjithëkëtë, ata ishin sahabet e së ardhmes! Ja, kështu, sahabet e së ardhmes dolën fitues mbi sahabet e ditës. Çështja e dytë, shigjetarët nuk vepruan në përputhje me strategjinë dhe taktikën e përcaktuar për ta dhe për detyrën e tyre nga i Dërguari i Allahut. Për më tepër, në botën e tyre të brendshme u shfaq edhe dëshira sado e lehtë për të bërë plaçkë, kurse rezultati i kësaj qe një pësim i kundërt me synimin. Ç’është e vërteta, s’na takon neve të bëjmë kritikën e atyre sahabeve të ndershëm e të famshëm, por ka gjëra që mund t’i thonë të mëdhenjtë. Së pari, ata ishin nderuar me të qenët të afërmit e Zotit. Ndërkaq, për ta kishte një nivel të caktuar marrëdhëniesh. Dua të them se këta njerëz-engjëj trajtoheshin sipas domosdoshmërive të sjelljes që u kishte hije. Sepse as që ka dyshim se mirësitë tona janë sa të këqijat e tyre! Po t’i kishim bërë ne ato që bënë ata atë ditë, duke u nisur nga fakti që ideatimi rrethohet gjithmonë nga klima e mirësisë, mund të kishim fituar mirësi, madje. Por ata njerëz vetëmohues të pashembullt, që i kishin shtrënguar dorën të Dërguarit të Allahut, që ishin betuar ta braktisnin këtë botë dhe vanitetet dhe që i kishin lënë pas engjëjt e afërt të Zotit, meqë brenda përmasave të tyre, kishin lëshuar hije mbi “kurbetin”, iu nënshtruan një fundi me pamje disfate, me hije disfate. Ç’kishte ndodhur? Nga disa qindra vetë, kishin rënë dëshmorë 70 besimtarë që s’ua dimë emrat.[1] Po aq ishin plagosur dhe s’ishin në gjendje të lëviznin. Politeistët mund të jepnin mbi ta një goditje të fundit, por, kur panë se muslimanët ishin strehuar në malin Uhud dhe se po lëshonin britje me zëra të fuqishëm e të kthjellët, për të mos u futur në rrezik, u larguan menjëherë nga fusha e luftës. Se si u dukën muslimanët atë çast, në sajë të bujarisë hyjnore dhe se si arritën të bërtisnin e klithnin me zë të fortë e të kulluar, ndërsa ndodheshin në prag të disfatës së plotë, shpëtuan dhe lëshuan në zemrën e mohuesve një frikë që ua rrëqethte zemrat. Mohuesit menduan: “Tani ata i shtypëm mirë dhe ata kurrë më s’kanë për ta drejtuar mesin! Atëherë, le të shkojmë! S’dihet se ç’ndodh! Po të sulmojmë edhe një herë, mund t’i hapim bela kokës!” Dhe me këtë mendim, u ngritën e ikën! Ndërkaq, dikush që do të bëhej më pas sahabe dhe do të bënte të mira sa ç’pati bërë të këqija dhe për të cilin Kur’ani thotë se “shejtani i ndërseu kurejshët”, u tha kështu mohuesve: “Shkoni dhe sa s’e kanë marrë ende veten, ashtu siç patën bërë romakët me Kartagjenën, shembuani Medinën e bukur mbi kokë ashtu që të mos mbetet edhe një për be prej tyre dhe, kështu, jepuni fund, sepse edhe sikur një të mbetet prej tyre, shtohen dhe në të ardhmen na bëhen mjerim për kokën!” I Dërguari i Allahut mori vesh për këtë dhe menjëherë urdhëroi kështu: “Të gjithë sa janë, të plagosur a të shëndoshë prej atyre që morën pjesë dje në Uhud, nesër të mblidhen në filan vend se do të nisemi për ta ndjekur armikun!”[2] Njerëzit që atë ditë, të mërzitur e të dëshpëruar qenë tërhequr në rrëzë të Uhudit, të nesërmen do të bënin një sulm të ri dhe ky do të ishte sulmi i të plagosurve e i të dëshpëruarve! Ata duhet të tregonin një fuqi shpirtërore të tillë që, të mund të riparoheshin thyerjet që do të përshkruajmë në vijim. E para, ishte thyer fuqia shpirtërore e muslimanëve. E dyta, në të gjitha anët, oreksi i mohuesve kishte filluar të fryhej. E treta, hipokritët bënin zhurmë të madhe duke u përpjekur për ta tronditur fuqinë shpirtërore të besimtarëve. Ashtu siç kishte thënë ai politeisti, mendimi “për t’i sulmuar dhe për t’i shkatërruar përfundimisht muslimanët” kishte filluar të diskutohej djathtas e majtas. Kështu, mbi kokë të muslimanëve ishte hapur një problem aq i frikshëm, saqë po të mos ishte zgjuarsia profetike e Muhamedit (s.a.s.), përballimi i tij do të ishte i pamundur. Po, atë ditë muslimanët ishin derdhur mbi armikun siç u derdhën ushtarët tanë në Dardanele, por edhe ditën të mblidhen dhe, një disfatë të paracaktuar, me bujarinë e Allahut, ta kthenin në fitore!

Sapo i Dërguari i Allahut u dha urdhër që të mblidhen, ata filluan të mblidheshin dhe kaluan në një sulm të ri. Dikujt i ishte këputur krahu, dikujt i ishte këputur këmba, dikush nuk kishte fuqi as për të ecur, por të gjithë dilnin nga çadrat dhe vraponin për tek vendi i mbledhjes. Fryma ringjallëse e të Dërguarit të Allahut sikur u kishte ridhënë jetë atyre dhe të gjithë kishin hyrë në garën se kush do t’i përgjigjej më parë atij. Ashtu siç thotë Busajriu, “po qe se mrekullitë e sjella prej tij do të ishin në përshtatje me vlerën e tyre, po të këndohej emri i tij mbi gurin e varrit, edhe i vdekuri që shtrihej nën të, edhe kockat e kalbura do të ringjalleshin!” Po, do të ringjalleshin! Ja, pra, në Uhud, ata që dëgjonin zërin e tij, ringjalleshin një e nga një!

Tani le ta dëgjojmë ngjarjen nga një sahabe. “Kishim shokë që s’qëndronin dot në këmbë, prandaj i bartnim në supe. Shoku na thoshte: “Merrmëni edhe mua dhe bartmëni se dua të jem atje ku na thërret i Dërguari i Allahut! Dua të ndodhem në front! Edhe në s’luftofsha dot, edhe në s’hedhsha dot shigjetë, do të qëndroj atje me shigjetë në dorë! Merrmëni në shpinë e më çoni gjer ku të më çoni. Po u shemba përtokë, të shembem atje!” Dikush bartte dikë në shpinë dhe dikush binte përtokë dhe humbte ndjenjat. Dikë e bartnin me vig e ditë tjetër në një mënyrë tjetër dhe, kështu, arritën në luginën Hamra-i Esved. Ishte një vend ku kurejshët mund të shihnin tymin e zjarreve të ndezura nga muslimanët. Kur muslimanët arritën atje duke ngritur pluhur e duke bërë një zhurmë të tmerrshme, kurejshët ngrinë kur panë para vetes njerëzit që ata i pandehnin të vdekur dhe, tani, të ngritur nga varret! Dhe Ebu Sufjani u thirri njerëzve të vet: “Ikni, ikni sa më shpejt!” Ai sikur donte t’u thoshte: “Ikni që të mos i hapim punë kokës! Shpëtimi ynë tani është të ikim në Mekë!”[3] Po patët mirësinë të vini re, i Dërguari i Allahut zgjidhi shumë probleme të shkaktuara nga një betejë, me një lëvizje, me një të rënë të dorës, me një frymë dhe pa asnjë ndërlikim! Kur’ani e përshkruan këtë situatë delikate kështu: “Disa njerëz u thanë atyre se armiqtë kishin përgatitur një ushtri, prandaj duhet të kishin frikë. Kurse kjo ua shtoi besimin atyre dhe ata thanë: “Allahu na mjafton, ç’dorëzanës i mirë është Ai!” (Al-i Imran, 3/173)[4]

Po, kurejshët lanë çdo gjë dhe ikën. Muslimanët e kurorëzuar lëkundjen e një dite më parë me fitore dhe me favorin e Allahut, u kthyen nga ndjekja e armikut pa asnjë dëm![5]

Disa autorë bio-bibliografë e shënojnë Uhudin si disfatë për ne. Po, po qe se në Uhud ka një aspekt disfate, ajo u takon atyre sahabeve që në fillim nuk e dëgjuan fjalën e të Dërguarit të Allahut, por pastaj, duke dhënë gjakun në zemër të Uhudit, ranë dëshmorë dhe shkuan në ahiret, në jetën e pasme, krejt të pastër! Në të vërtetë, në Uhud ka një aspekt fitoreje, që, sipas meje, është pikërisht aspekti mbi të cilin duhet qëndruar me vëmendje dhe që i përket Profetit Muhamed (s.a.s.) që dinte si t’i zgjidhte problemet dhe që e kthente disfatën në fitore! Kthimi i disfatën në fitore ishte më e rëndësishmja e Uhudit! Aty ku çdo komb e priste shpresën te mbrojtja, fillonte sulmi i Profetit Muhamed (s.a.s.) dhe sulmi i tij i shthurte të gjitha problemet e grumbulluara një mbi një, shpërndante besim në zemrat e muslimanëve, kurse hipokritët i mbyste sërish në zi! Oreksin e fryrë ua ngecte në fyt oreksfryrëve, zemrat e thyera i ngrinte peshë me shpresë dhe muslimanët ktheheshin edhe një herë tjetër në Medinë fitimtarë! E ç’thoni ju, pesimistë e të tërhequr para vështirësive, për Profetin Muhamed Mustafanë (s.a.s.) që zgjidhte probleme, pasi dëgjoni këto? Sigurisht, Muhammedu’r-Resulullah do të thoni!

 

  1. b) Këshillimi

 

Disa nga problemet me të cilat përballej, i Dërguari i Allahut i zgjidhte me anë të këshillimit. Në të vërtetë, me anë të këshillimit ai donte të hidhte themelet e një parimi të rëndësishëm. Ai vetë nuk ishte nevojtar për këshillim, por personat që pas tij, do të përfaqësonin botën islame, do të ndjenin gjithmonë nevojë për këshillim. Ai vetë kishte mbështetjen hyjnore. Zoti nuk e kishte lënë vetëm atë në asnjë çështje. Po t’i dhembte barku, vinte engjëlli dhe i frynte shërim; po t’i dhembte dhëmbi, Xhebraili (a.s.) i gjente shërim menjëherë. Ai jetonte kështu, në marrëdhënie të ngushta me botën engjëllore, megjithëkëtë, i jepte shumë rëndësi këshillimit, gjë që ishte edhe një aspekt i veçantë, një dimension i veçantë i zgjuarsisë së tij profetike.

Shekuj pas tij, “Këshilli” do të bëhej një sistem i pamënjanueshëm në administratën shtetërore. Si rrjedhojë e pranimit dhe përvetësimit të këshillimit si dhe i gatishmërisë për këshillim, administrata islame, me elasticitetin dhe universalitetin e vet që përfshinte shekujt, i kapërceu të gjitha periudhat e ndryshme nga njëra-tjetra dhe arriti gjer në ditët tona.

 

  1. aa) Një fragment këshillimi

Ja disa shembuj:

1) Ai i drejtohej mendimit të secilit, merrte idenë e secilit dhe kërkonte ta bënte mendimin e këshillimit sundues në jetën e shoqërisë. I Dërguari i Allahut qe këshilluar me Hz. Aliun (r.a.). Në fakt, Hz. Aliu ishte një njeri që thoshte: “Edhe sikur të më hapet perdja e të fshehtës, bindja s’do të më shtohet!” Megjithëkëtë, ishte një fëmijë në rrethin mësimor të të Dërguarit të Allahut! Ja, pra, edhe i Dërguari i Allahut këshillohej me Aliun e kësaj moshe![6]

Hipokritët kishin shpifur për Hz. Aishen (r.anha), ndershmëria dhe pafajësia e të cilës është e fiksuar me ajet. Kjo ngjarje shumanshme ka kaluar në histori si “Ngjarja e Shpifjes”.

Në të vërtetë, i Dërguari i Allahut besonte në mënyrë kategorike se kjo punë do të zgjidhej me anë të vahjit, zbulesës hyjnore, dhe s’kishte as dyshimin më të vogël për Hz. Aishen, megjithatë, e shihte me vlerë dhe interes të këshillohej një për një me sahabet e tij. Sepse këshillimi është gjithmonë me përfitim, asnjëherë me dëm! Dhe ai kishte ardhur për përfitim!

Me këtë rast, tregohet ky hadith me përcjellje të dobët: I Dërguari i Allahut e thërret Hz. Omerin dhe e pyet se ç’mendon për Hz. Aishen (r.anha). Hz. Omeri i përgjigjet kështu: “O i Dërguari i Allahut! Aishja është pa asnjë dyshim, e ndershme dhe e pastër! I kanë hedhur shpifje!” I Dërguari i Allahut e pyet se nga e dinte këtë gjë. Dhe Hz. Omeri i jep këtë përgjigje: “O i Dërguari i Allahut! Një ditë ti po drejtoje namazin. Më vonë e morëm vesh se në anë të nallanes të ishte ngjitur, pa e ditur ti, pak pisllëk. Sapo ishe drejtuar në namaz, të kishte ardhur Xhebraili, të kishte informuar për gjendjen dhe të kishte thënë t’i hiqje nallanet. Dhe, tani, nëse Zoti të lajmëron ty për pak pisllëk të ngjitur në nallane në mënyrë që të pastrohesh prej tij, a mundet të të lërë për grua gruan që, mos qoftë e thënë, ka kryer një mëkat të tillë? Jo, o i Dërguari i Allahut! Me siguri, Xhebraili do të vijë dhe do të të tregojë ty se ç’grua e ndershme është Aishja!”

I Dërguari i Allahut kishte thënë se “kush këshillohet, nuk pendohet” dhe ishte këshilluar me Hz. Omerin. Një këshillim i tillë nuk i sillte ndonjë humbje atij dhe nuk i solli. Jo vetëm nuk i kishte sjellë ndonjë humbje, por i kishte dhënë mundësi ta fitonte edhe një herë tjetër Omerin! Po, i Dërguari i Allahut këshillohej me nxënësit e tij dhe u drejtohej mendimeve të tyre. Natyrisht, fituesi ishin përsëri njerëzit me të cilët këshillohej, sepse, me këtë veprim, ai u jepte atyre edhe një mësim morali. A nuk thoshte vetë se, “kush këshillohet, nuk humbet”?

2) Para se të dilte për në fushatën e Bedrit, i Dërguari i Allahut qe këshilluar veç e veç edhe me ensarët, edhe me muhaxhirët. Sa trimërisht kishte folur atë ditë Mikdadi në emër të muhaxhirëve: “Ti ngaje kalin gjer në breg të Jemenit, ne do të të ndjekim dhe askush nga ne nuk do të mbetet pas!”[7] Por i Dërguari i Allahut donte të mësonte edhe mendimet e ensarëve që s’i kishin derdhur dot gjer atë ditë ndjenjat. Sa’d b. Muadh (r.a.) që kishte parandjenjë të fuqishme, u hodh menjëherë e tha: “O i Dërguari i Allahut! Gjithsesi, ti na mendon dhe pret edhe një përgjigje prej nesh! Përgjigjen e kemi gati. Ja malli ynë, ja dhe jeta jonë! Të gjitha janë fli në rrugën tënde! Merr çfarë të duash, sa të duash dhe shpërndaje. Dhe sa të duash ti jetë rrahin me padurim për të vdekur në rrugën tënde!”[8] I Dërguari i Allahut këshillohej dhe nxirrte në shesh gjendjen shpirtërore të aleancës. Ensarët dhe muhaxhirët ishin marrë vesh në një pikë dhe ishin gati të vdisnin. Kjo ishte ç’duhej bërë në një kohë kur armiku që e kishte humbur arsyen, mprihte armët. I Dërguari i Allahut do të sulmonte mbi armiqtë në emër të mbrojtjes së të Vërtetës, të drejtësisë, të dinjitetit islam, të popullsisë muslimane. Ai këshillohet dhe e përhap mendimin e tij në truallin më të gjerë. Ky ishte edhe këndvështrimi i tij. Allahu (xh.xh.) ia kishte treguar me kohë rrugën. Pavarësisht nga orientimi i Allahut, i Dërguari i Allahut merrte edhe mendimin e atyre që kishte pas dhe e diskutonte këtë çështje në emër të ndarjes me ata që do të ndodhej në të njëjtën vijë, të njëjtin mendim dhe të njëjtën ndjenjë! Në të vërtetë, ata do ta mbështesnin çdo propozim të tij, sepse i kishin dhënë fjalën dhe ajo fjalë donte të thoshte besim. Një ditë ai do ta kapte për jake Ka’b ibni Malikun, do ta tundte ëmbël dhe do t’i thoshte kështu: “A nuk më dhe ti fjalën në Akabe? A nuk më dhe fjalën se do të më ndodheshe pranë në të ëmbël e në të hidhur, se nuk do të ndaheshe prej meje edhe sikur netët të na ndiqnin pas, edhe sikur para të kishim vetëm ditë?”[9] Ata i dhanë fjalën dhe u hodhën drejt vdekjes. Ishte mendimi i tyre. Erdhën me mendimin e vet për të bërë një larje hesapesh të tillë dhe do ta bënin!

Me anë të këshillimit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia ngarkonte mbi supe botës një kauzë me rëndësi. Çdokush vraponte për ta bartur atë, sikur të bartte një tabut dhe, me sa të kishte fuqi, ia vinte supet atij thesari! Po, çdokush i dilte për zot atij, bartjen e tij e njihte si qëllim të jetës dhe thoshte: “Rënia dëshmor në këtë rrugë është për ne ideali më i ëmbël!”

 

  1. bb) Pamje këshillimesh të njëpasnjëshme

 

1) I Dërguari i Allahut u ndal në çështjen e vendit të luftës. Ai e pati bërë me kohë zbulimin e vendit dhe e pati vënë në sy kryet e oazeve. Me kohë kishte vendosur se cilën kodër apo majë do të zinte, ku do ta priste dhe thyente armikun që do të vinte kundër tyre me hov dhe egërsi. Megjithatë, çështjen e shtroi për diskutim.

Sahabiu jo fort i njohur, Hz. Hubab b. Munzir (r.a.) u ngrit në këmbë dhe tha kështu: “O i Dërguari i Allahut! A me anë të vahjit po vendosesh këtu, apo ky është mendimi yt? Po qe se po vendosesh me anë të vahjit, ne nuk mund të hedhim asnjë hap as para, as pas!”

I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Ky është mendimi im!” Dhe Hubab b. Munzir (r.a.) e vazhdoi fjalën kështu: “O i Dërguari i Allahut! Ne të zëmë vendin ku ndodhen oazet duke mos lënë asnjë të lirë. Ta lëmë armikun pa ujë! Kurse ti ngrije shtabin në krye të një oazi që të ndodhesh mes nesh!”[10]

2) Selmani (r.a.) ishte një skllav iranian. Një skllav në fillim zoroastrian, pastaj i krishterë dhe, më në fund, musliman. Kur u bë musliman, s’kishte askënd dhe asgjë. Ai ia detyronte çdo gjë të qenit musliman dhe qe vetë që e tregoi këtë në mënyrën më të mirë. Një ditë e pyetën: “Kush je ti?” “Selman b. Islam!” – u përgjigj ai. Ai e kishte gjetur prejardhjen e tij të vërtetë: “Selmani, i biri i Islamit!”

Në prag të luftës së Hendekut, i Dërguari i Allahut u këshillua përsëri me shokët. Secili tha diçka dhe, më në fund, i erdhi radha Selmanit të thotë mendimin e tij. Ai u shpreh kështu: “O i Dërguari i Allahut! Në vendin tim kishte një zakon. Po qe se pritej të na sulmonte armiku, ne mbroheshim duke gërmuar hendek përreth qytetit. Po qe se është e përshtatshme, le të hapim një hendek rreth Medinës dhe ta pengojmë sulmin e armikut!”

Ideja e Selmanit pranohet nga i Dërguari i Allahut. Jo vetëm kaq. I Dërguari i Allahut merr pjesë vetë për hapjen e hendekut duke u dhënë zemër e duke i entuziazmuar gërmuesit.[11]

3) Ai këshillohej jo vetëm me burrat, por edhe me gratë. Kështu, në Hudejbije ai qe këshilluar me gruan dhe s’e kishte quajtur aspak gabim të bënte siç e kishte këshilluar ajo![12]

Ai kështu qe sjellë gjithmonë në jetën e vet dhe, me anë të këshillimeve, kishte kapërcyer problemet që dukeshin si të pakapërcyeshme. Ndërkaq, ne vetëm tani po mundemi ta kuptojmë se ç’rëndësi ka fituar këshillimi në jetën e shtetit. Qeveritarët despotë që nuk janë këshilluar me askënd, janë larguar duke lënë pas me mijëra dështime. Kurse Profeti pati sugjeruar respektin më të madh ndaj idesë dhe mendimit. Mendja ka një urtësi reale, për rrjedhojë, edhe gjykimi, edhe ekzistenca e mendimit njerëzor ka një urtësi. Personave që ushqehen me anë të vahjit, zbulesës hyjnore, u kërkohet mendim edhe në çështjet institucionale të vahjit dhe ata kryejnë detyra të ndryshme për interpretimin e tij. Kështu, në fenë tonë është pranuar si parim që personi me zhvillim mendor jonormal (që s’e ka në rregull mendjen dhe gjykimin) nuk bëhet person përgjegjës, nuk ngarkohet me përgjegjësi fetare e juridike.

 

  1. c) Propozime dhe zbatime

 

Një thellësi e veçantë e posaçme për Profetin është edhe uniteti i shikimit dhe veprimit. Ku t’i shkonte syri, ku t’i arrinte vështrimi, aty arrinte ta shkelte këmbën dhe mendimet që i kishte parashtruar, aty i zbatonte menjëherë. Prandaj, ndjekësit e të Dërguarit të Allahut gjithmonë patën mundur t’i zbatonin thëniet e tij, nuk patën rënë në lëkundje, në habi dhe turbulli!

 

  1. aa) Njeriu i planit

 

Në ditët tona, plani është shndërruar në një prej çështjeve më me rëndësi. Duke e pranuar planin si një parim të rëndësishëm për zhvillimin, popujt dhe shtetet, për çdo gjë thonë “plan”. Për këtë është ngritur edhe tek ne Komisioni i Planit të Shtetit. Ndryshe, as rritje bëhet, as zhvillim i ekuilibruar. Pulsi i shoqërisë rreh në planet e bëra. Me një aspekt tjetër, plani është edhe si parakusht për ta mbajtur trupin e shoqërisë nën kontroll. Kurse i Dërguari i Allahut nuk kishte as komision, institut ose organ planifikimi, as kompjuter. Ai merrte vendime në çast dhe pastaj vepronte për zbatimin e tyre. Dhe ai merrte vendime në çështje të tilla që ishin njëqindvjeçare, dyqindvjeçare, treqindvjeçare, katërqindvjeçare, njëmijekatërqindvjeçare, dymijëvjeçare, dhe duke mos lënë pas në asnjërën prej tyre ndonjë problem. E thënë ndryshe, askush nuk pati thënë ndonjë gjë në kundërshtim me thënien e tij dhe nuk pati thënë dot! Kurse siç e parashtrova më parë nga një këndvështrim tjetër, ai kishte një çështje të tijën që i thoshin kumtim. Dhe në këtë çështje ai duhej të hidhte një hap të tillë që të mos lëvizte më as një milimetër para, as një milimetër prapa. Dhe ja jeta e tij në shërbim të kauzës së kumtimit të fesë: Në Mekë, pritje me një durim merimange, pritje e vazhdueshme me durim dhe ankth koralesh, pritje në krye të punës, të detyrës, qëndrimi brenda një pamjeje që mund t’i themi “aksion i pazë”, si nemitja e thellë e ujërave! Në këtë periudhë, urdhri për emigrim djathtas e majtas është, krahas futjes ndoshta në sera për t’i mbrojtur të dobëtit dhe të paqëndrueshmit, shpërndarjes së pamjes ndërsyese në një periudhë kur mungonte ekuilibri i forcave, çaktivizimi i thellësive që do t’u jepnin hapësirë rreziqeve dhe një veprim zbrazjeje ajri për të mos shkaktuar zëra dhe zhurmë! Kurse në Medinë u ndoq një rrugë shumë më e ndryshme duke marrë parasysh formën e shërbimit, domosdoshmëritë dhe nevojat e detyrës, fuqia jonë dhe fuqia e anës kundërshtare. Në të vërtetë, ndryshimi strategjik me të cilin përballemi në periudhën Mekë-Medinë, si dhe në periudhat e mëpastajme, ka qenë domosdoshmëri e natyrës së procesit të rritjes, të pësimit të ndryshimeve strukturore. Në Mekë duhej vepruar ashtu se ashtu e donin kushtet, kurse në Medinë, kështu… Po qe se i Dërguari i Allahut do të vepronte në Mekë siç veproi në Medinë, ky do të ishte një minus i madh për të. O Zot! Por Zoti e kishte dërguar atë jo për të bërë gabime e minuse, por për të dhënë vendime të qëlluara e për ta shpëtuar njerëzimin nga hutimi!

 

 

  1. bb) Ai nuk hodhi hap pas

 

Po, në Medinë, i Dërguari i Allahut zuri një rrugë tjetër dhe ashtu vazhdoi. Sepse ashtu duhej! Dhe çdo hap që hodhi, ishte premisa e hapit tjetër dhe, natyrisht, hapi tjetër, rezultati i tij. Kurrë në jetën e tij ai nuk hodhi hap pas! Sigurisht, si mund të hedhë hap pas Profeti Muhamed Mustafai (s.a.s.) që pati nxjerrë fitore nga disfata e Uhudit? Nuk pati hedhur dhe, me gjurmët e tij pati shkruar gjithmonë: Muhammedu’r-Resulullah! Qëndrimi dhe sjellja e tij në çështjen e hixhretit është shembulli i gjallë i kësaj. Edhe hixhreti i Etiopisë, edhe hixhreti i Medinës u bënë porta enigmatike të një epoke orientimi në Islam, të një periudhe triumfi të Islamit!

[1] Buhari, Megazi, 26.

[2] Ibn Hisham, Sire, 3/128.

[3] Buhari, Megazi, 25; Ibni Hisham, Sire, 3/99-111; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/56-60; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/42-49.

[4] Ibni Hisham, Sire, 3/128.

[5] Buhari, Megazi, 25; Ibni Hisham, Sire, 3/99; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/56-60; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/42-49.

[6] Buhari, Megazi, 34; Ibni Hisham, Sire, 3/313.

[7] Mexhmau’z-Zevaid, 2/280.

[8] Muslim, Xhihad, 83; Ibni Hisham, Sire, 2/266-267; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/332.

[9] Muslim, Tevbe, 53.

[10] Ibni Hisham, Sire, 2/272.

[11] Ibni Hisham, Sire, 3/235; Ibn Sa’d, Tabakat, 2/66; Ibni Kethir, el-Bidaje, 4/109.

[12] Shih. Buhari, Shurut, 15.

ilmihali

Share this post

scroll to top