Një dimension tjetër i zgjuarsisë profetike të Profetit Muhamed (s.a.s.) është edhe zgjidhja fare lehtësisht e problemeve të çdo fushe të dala para, gjë që, gjithashtu, është një nga provat që dëshmojnë për profetësinë e tij.
Për një administrues dhe udhëheqës ekzistojnë disa veçori të rëndësishme, një pjesë të të cilave mund t’i radhisim kështu:
- Asnjë nga mesazhet e paraqitura nga udhëheqësi nuk duhet të bien në kundërshtim me jetën: ai vetë duhet të jetë i sigurtë mbi vlefshmërinë e tyre për çastin, edhe për të ardhmen.
Ashtu siç njeriu që e sheh me sytë e vet një ngjarje dhe pastaj e tregon atë pa u drojtur e pa u lëkundur aspak, pa pasur frikë se mos e përgënjeshtrojnë, sepse është i sigurtë për çfarë thotë, pasi i ka parë me sytë e vet, ashtu dhe udhëheqësi duhet të jetë po aq i sigurtë për mesazhet që paraqet dhe propozon, dhe duhet të besojë në drejtësinë e tyre më me vendosmëri sesa për një ngjarje, që e ka parë me sytë e vet! Ndërkaq, për suksesin e tij kjo është e pamjaftueshme; mesazhet e tij nuk duhet të bien në kundërshtim me jetën. Kjo do të thotë që mesazhet e tij duhet të përputhen me ligjet e jetës dhe të mos pengohen nga rrjedhat e saj, përkundrazi, të kenë aftësinë për të përfituar prej tyre.
- Udhëheqësi duhet të jetë këmbëngulës në kumtimin e mesazheve dhe çështjes së tij. Veçanërisht ai duhet t’ia kushtojë kohën më të madhe përgatitjes së elementit njeri, duhet të merret vazhdimisht me njeriun dhe, në veprimtarinë e tij kultura duhet ta ruajë gjithmonë peshën e saj.
- Udhëheqësi duhet ta njohë mirë kuadrin e ekipit të tij. Ai duhet të dijë mirë se kë do të bëjë përgjegjës dhe për çfarë, ç’do të presë nga secili dhe në ç’masë, ç’punë do t’i besojë dhe dorëzojë dikujt ose kujt duhet t’ia besojë dhe dorëzojë një punë të caktuar. Krahas kësaj, ai duhet ta rregullojë në atë mënyrë ecurinë e punëve që ka planifikuar, që nga shpejtësia e ecurisë së tyre të mos ndjehet i shqetësuar as njeriu mesatar, as njeriu i aksionit. Në mënyrë të veçantë, udhëheqësi duhet ta ketë krejt të qartë perspektivën e afërt dhe të largët të punëve në mënyrë që plani i punëve të sotme të mos e pengojë zbatimin e punëve të nesërme. Në të kundërt, punët e nesërme me të sotmet do të funksionojnë gjithmonë në dëm të njëra-tjetrës. Udhëheqësi i vërtetë duhet ta përcaktojë edhe situatën e disa viteve më pas, sipas ngjarjeve të zhvilluara në shoqëri, në mënyrë që punët e sotme të mos prishen nga të papriturat e të nesërmes.
- Udhëheqësi duhet të jetë i gatshëm për t’i zgjidhur të gjitha problemet e ndjekësve të tij. Këto probleme mund të jenë individuale, familjare, administrative, juridike, ekonomike dhe shoqërore. Udhëheqësi duhet t’i zgjidhë këto me mjaft lehtësi.
- Propozimet, direktivat dhe parimet e parashtruara nga udhëheqësi duhet të jenë gjithmonë të zbatueshme. Udhëheqësi i aftë e i suksesshëm u shmanget gjithmonë propozimeve utopike të pazbatueshme. Në të njëjtën kohë, ai është i pari dhe njeriu shembull dhe model në respektimin dhe zbatimin gjer në hollësi të propozimeve të veta.
Një tjetër veçori me rëndësi është që parimet të cilat përbëjnë qëllimin final të përfytyruar prej udhëheqësit, të mos korrigjohen dhe konsumohen nga koha, por ta ruajnë gjithmonë gjallërinë e tyre në atë mënyrë që njeriu i çdo kohe t’i pranojë, marrë dhe përvetësojë ato sikur të ishin eliksir, t’u gjejë zgjidhje problemeve të veta me to. Kalimi i viteve dhe shekujve nuk duhet t’i ndryshojnë ato, përkundrazi, koha që kalon duhet t’i bëjë ato gjithmonë e më aktuale, efektive e të zbatueshme.
Kur këto veçori që i kërkuam te udhëheqësi i aftë e i suksesshëm e që i radhitëm pjesërisht këtu, merren në tërësi, shihet se udhëheqësi më i suksesshëm i botës ka qenë dhe mbetet zotëruesi i zgjuarsisë së madhe, Profeti Muhamed (s.a.s.)! Ai është i tillë edhe ndaj profetëve të tjerë. Ai është personaliteti i zgjedhur dhe i veçantë, që i pati zotëruar veçoritë, të cilat i përmendëm më sipër, në shkallën më të lartë, i pati trajtuar në shkallën më të lartë dhe i pati përfaqësuar në shkallën më të lartë! Është e pamundur të tregohet një person i dytë si ai!
Kjo e vërtetë që ne e pranojmë si besim, njerëzit e Perëndimit kanë filluar ta zbulojnë sot me anë të kompjuterëve dhe unë, do të gëzohesha nëse zbulimi i tyre do t’i bindte ata dhe të tjerë si ata!
Thelbi i këtij përcaktimi, i konsideruar surprizë sipas disave, është ky: persona të ndryshëm të mëdhenj, bashkë me veçoritë e tyre që i bëjnë të mëdhenj, i janë dhënë një kompjuteri, i cili, në bazë të kritereve të caktuara, do të nxirrte se cili nga kandidatët është më i madhi dhe, në përfundim të shumë përpjekjeve dhe provave, ekrani i kompjuterit ka treguar si më të madh Profetin Muhamed (s.a.s.)! Edhe ai ishte një njeri, por nuk kishte jetuar si njeri. Ai ishte udhëheqësi më i madh, prijësi më i madh dhe pishtari më i madh. Ai kishte lindur në një mënyrë të posaçme vetëm për të dhe kishte jetuar në mënyrë të posaçme vetëm për të!
Dhe tani, po të doni, veçoritë që i parashtruam më lart për të dhënë një ide abstrakte, t’i zhvillojmë edhe më tej me shembuj konkretë.
- Profeti Muhamed ka sjellë mesazhe të tilla, asnjëra prej të cilave nuk ka dalë antagoniste e jetës dhe nuk ka rënë në kundërshtim me jetën. Gjithashtu, çdo gjë që ka thënë, ai e ka thënë mjaft i sigurtë në vetvete duke mos u lëkundur dhe duke mos dyshuar asnjë kohë për to.
Mes fjalëve të thëna prej tij, janë kritika dhe shpjegimi i shumë çështjeve nga qielli në tokë, nga parajsa te ferri, nga njeriu i parë gjer në kiamet, në përmbysjen e përgjithshme! Veçanërisht ngjarjet në lidhje me umetin, bashkësinë e tij, i ka numëruar dhe parashtruar duke dhënë, disa herë, edhe emra, sikur t’i shihte në ekran dhe pa treguar asnjë shenjë ngatërrimi. Ai ishte gjithmonë i sigurtë për ato që thoshte sepse Zoti ia kishte hapur para syve librin që i dallonte dhe i diferenconte gjërat si dhe ia kishte treguar në një masë të madhe tablotë e fatit. Ai shihte dhe tregonte. Nisur nga kjo, sigurisht që edhe parimet e sjella nga një person i tillë do të kishin jetëgjatësi të përjetshme.
Sa bukur shprehet mbreti i poetëve, Nexhip Fazëll:
E nesërmja është e jona, sigurisht e jona,
Dita lind, dita perëndon, përjetësia është jona!
Me këto fjalë, poeti shprehte bindjen dhe sigurinë e një njeriu që kishte besuar. Gjithashtu, këto fjalë, kur trajtohen nga këndvështrimi i kauzës së Profetit, arrijnë një thellësi të veçantë. Ditët lindin dhe perëndojnë, vitet dhe shekujt kalojnë, por mesazhet e sjella prej Profetit Muhamed (s.a.s.) do të mbeten të përjetshme!
- Ai ishte i bindur, i sigurtë dhe i vendosur
Ibni Is’hak tregon: “Kurejshët iu drejtuan Ebu Talibit me kërkesën për të bërë një marrëveshje me Muhamedin. Ebu Talibi e thirri të nipin dhe i tha: “Këta janë zotërinjtë e kurejshve dhe duan të arrijnë një marrëveshje me ty. Kanë ardhur këtu për të marrë disa lëshime prej teje, duke bërë edhe ata disa lëshime!”
I Dërguari i Allahut ishte mjaft i sigurtë në vetvete dhe e dinte mirë se ç’donte. Prandaj ai u tha: “Unë dua prej jush vetëm një fjalë që, kur ta thoni atë, do të bëheni zotër të të gjithë arabëve dhe të gjithë joarabët do të vrapojnë të bashkohen me ju!”
Të ardhurit u gëzuan shumë. Ata i thanë Muhamedit me emocion: “Të qoftë falë jeta jonë, na e thuaj, ç’është ajo fjalë?” Duke ruajtur të njëjtin seriozitet, i Dërguari i Allahut u tha: “Ajo fjalë është La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut!“ Dhe vazhdoi: “Po e thatë këtë, në një të ardhme të afërt do të bëheni zotërues të arabëve dhe i gjithë njerëzimi do të nënshtrohet e do të vrapojë tek ju!”[1]
Dhe ashtu ndodhi!
I bindur, i sigurtë dhe i vendosur dhe pa bërë lëshime, Profeti Muhamed (s.a.s.) parashtronte mesazhe jashtëzakonisht në përshtatje me jetën. Ai ishte i sigurtë edhe për të sotmen, edhe për të ardhmen. Ai thoshte: “Nesër ju do të bëheni zotërues të të gjithë arabëve dhe shtëpia e shenjtë, Qabja, do të bëhet vendadhurimi i gjithë njerëzimit!” Dhe, kur erdhi koha, të gjitha thëniet e tij dolën një e nga një. Sot, jo vetëm Qabja, por edhe varri i ndritshëm i tij, si një shprehje respekti për të, është bërë vend vizitimi i besimtarëve. Çdo vit, miliona njerëz, si fluturat rreth dritës, rrotullohen rreth asaj breroreje drite. Kur Profeti i thoshte ato fjalë, ende nuk kishte asnjë shenjë që të paralajmëronte realizimin e tyre të afërt ose të largët! Po, është shumë e rëndësishme për një udhëheqës, për një prijës, për një administrues e qeveritar, t’u besojë më parë vetë fjalëve që do të thotë, në mënyrë që ato t’u japin të tjerëve siguri!
Ngjarjen e Adij b. Hatimit që Hakimi e përcjell në veprën e vet, “Mustedrek”, e kam përmendur edhe më parë me një rast tjetër; me lejen tuaj, do ta kujtoj edhe një herë tjetër lidhur me këtë temë. Siç pata thënë atje, Adiji ishte biri i Hatim Tai-t. Hatimi ishte një njeri i njohur për bujarinë e tij.
Ja, pra, ky Adij na tregon neve një ngjarje të tillë: “Po rrinim bashkë me të Dërguarin e Allahut. Brenda hyri një burrë. Ai u ankua për piratët: “Karvanet plaçkiten, mallrat grabiten, rrugaçëria është përhapur ngado dhe, në të njëjtën kohë, thatësira dhe uria bëjnë kërdinë dhe, në të gjitha anët, njerëzit bien të dërmuar nga të pangrënët!”
Ndërsa burri po i ankohej të Dërguarit të Allahut në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut m’u kthye dhe më tha kështu: “O Adij, a e di ti se ku bie Hire?” Unë i thashë: “Jo, o i Dërguari i Allahut! S’kam shkuar asnjë herë atje. Por e di se ku bie.” I Dërguari i Allahut vazhdoi: “Po qe se do të kesh jetë, do të shohësh se, shumë shpejt, një grua e hipur mbi deve do të niset vetëm nga Hire dhe do të vijë për ta bërë Qaben tavaf!”
Unë thashë me vete: “E si mund të bëhet një udhëtim i tillë kur janë piratët e Tajit?” Kurse i Dërguari i Allahut vazhdoi: “O Adij! Po të kesh jetë, do të shohësh se, një ditë, të gjithë thesaret e Kisras (Perandori i Persisë) do të bien në dorë të umetit tim!” Unë e pyeta me çudi: “A po e ke fjalën për Kisran, të birin e Hurmuzit?” “Po, po, për Kisran, të birin e Hurmuzit!” – ma ktheu ai.”
Dhe Adij e përfundon tregimin e vet kështu: “Betohem në Allahun se jetova dhe i pashë një për një të gjitha ato që më tha i Dërguari i Allahut atë ditë dhe u bëra dëshmitar i tyre! Atë ditë ai më tha diçka edhe për ahiretin, për jetën pas ringjalljes. Shpresoj dhe besoj se edhe atë do ta shoh!”[2]
Ja, pra, me një besim dhe siguri të tillë të jashtëzakonshme ua tregonte dhe paraqiste i Dërguari i Allahut mesazhet e tij njerëzve që grumbulloi dhe bashkoi rreth vetes dhe në asnjë rast, në asnjërin prej tyre, nuk ndihej qoftë edhe një thërrime dyshimi apo lëkundjeje! Dhe, të gjitha gjërat për të cilat lajmëronte, kur vinte koha, me mirësinë dhe bujarinë e Allahut, dilnin në shesh e vërtetoheshin një për një!
[1] Ibni Hisham, Sire, 2/58, 59; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/150-151; Musned, 1/362; Mustedrek, 2/432; Ibni Sa’d, Tabakat, 1/202.
[2] Mustedrek, 4/518; Musned, 4/257.