Profeti Muhamed (s.a.s) mbi çështjen e së fshehtës

profeti-muhamed-38.jpg

Fjala “e fshehta” (gajb) trajtohet në Kuran në ajete të ndryshme e në forma të ndryshme.

“Çelësat e së fshehtës janë tek Ai. Vetëm Ai e di të fshehtën. Ai e di se ç’ka në tokë e në det, Ai di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë e s’ka të thatë që s’është shënuar në librin e qartë!” (En’am: 59). Në këtë ajet thuhet se e fshehta ndodhet plotësisht në lartësinë hyjnore të Allahut dhe se askush përveç Tij (përfshi edhe Hz. Muhamedin) nuk mund ta dijë të fshehtën.

“Thuaj: “Unë nuk ju them se kam në dorë thesaret e Allahut dhe se e njoh të fshehtën. As po ju them se jam engjëll. Unë bëj vetëm ashtu siç më thuhet.” Thuaj: “A janë të barabartë i verbëri me atë që sheh?” A nuk po mendoni?” (En’am: 50).

“Thuaj: “Përveç dëshirës së Allahut, nuk kam në dorë ndonjë forcë për t’i sjellë dobi ose dëm vetes. Po ta dija të fshehtën, do të bëja më tepër dobi për vete dhe s’do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm një paralajmërues dhe myzhdedhënës për njerëzit që besojnë.” (A’raf: 188).

Kurse në kreun “Xhin” thuhet kështu: “Është Ai që e di të gjithë të fshehtën që nuk ia zbulon askujt përveç ndonjë të Dërguari që do. Atëherë Ai vë roje edhe para, edhe prapa tij që ata ta kuptojnë se i dërguari ka kumtuar fjalët e Zotit të tij dhe se Allahu ka përfshirë dhe shënon çdo gjë që ndodh rreth tij.” (Xhin: 26-28).

Tani, nën dritën e këtyre ajeteve mund të bëjmë një ndarje të tillë: “I Dërguari i Allahut e njihte absolutisht të fshehtën.” Dhe “I Dërguari i Allahut absolutisht nuk e njihte të fshehtën.” Këto janë dy vlerësime ose konkluzione ekstreme: i pari, një pohim absolut dhe, i dyti, një mohim absolut. Në të vërtetë, ai vetë nuk e njihte të fshehtën, por, në saje të njoftimit të Allahut, arrinte ta njihte në atë mënyrë, sa që, sikur të rrinte para një ekrani, u shpaloste njerëzve para syve në vijat kryesore dhe me parimet themelore, të gjitha ngjarjet që do të ndodhnin gjer në Kiamet. Kjo është edhe çështja mbi të cilën ne kërkojmë të qëndrojmë në mënyrë të posaçme. Ai nuk thoshte diçka nga vetja e tij; ato që thoshte, ishin gjithmonë revelacioni dhe njoftimet e Zotit. Pas Zotit si njoftues, jo vetëm profetët dhe Profeti ynë, por edhe një pjesë njerëzish të avancuar mund të bëhen pjesëtarë të së fshehtës si shprehje e lartësimit të tyre shpirtëror. Me të vërtetë, i Dërguari i Allahut pohon: “Mes ummetit tim ka një pjesë njerëzish të frymëzuar”, ku nënkuptohen njerëzit e de-një për frymëzimin hyjnor. Lidhur me këtë çështje, le të kujtojmë se si Hz. Omeri që po mbante hutben (ligjëratën) në minber, sheh, prej aty ku është, se si ushtria Islame po rrethohet pas malit prej ushtarëve armiq dhe i flet tri herë komandantit Sarije: “O Sarije, nga ana e malit!” Komandanti e dëgjon zërin dhe e çan rrethimin… Po ashtu, persona si Muhedini Arabiu që kanë aluduar për ngjarje që do të ndodhnin identikisht shekuj më vonë, qindra persona si Mevlana, Imami Rabbaniu, Myshtak Efendiu që kanë paralajmëruar lidhur me të ardhmen. Fakti që të gjithë këta kanë parashikuar të ardhmen, që kanë treguar besnikëri nga zemra për të Dërguarin e Allahut dhe që kanë pohuar se e gjithë pasuria e frymëzimit të tyre për të cilën janë bërë të denjë, rrjedh prej burimit dritësor Muhamedan, tregon se -me lejën e Allahut- sa i hapur ndaj së fshehtës ka qenë Ai! Po, në se ata që përgatiti Ai, bëhen të denjë për frymëzime të tilla dhe të aftë për të kapur frymërat hyjnore dhe, në këtë dimension, bëhen pjesëtarë të së fshehtës, përse të duket me mundësi të largët pjesëtaria ndaj të fshehtës – si një mrekulli kjo – e Profetit të të Dy Botëve i cili do të peshonte më rëndë në se ai vihej në një anë të peshores dhe i gjithë umeti i tij në anën tjetër?

Ekzistojnë afro treqind të tilla mrekulli të Profetit, të përmendura në librat e shquar të hadithit. Këto janë njoftime të së fshehtës, nga të cilat një pjesë e madhe janë realizuar identikisht dhe një pjesë tjetër presin kohën për t’u realizuar e vërtetuar. Ne këtu nuk do t’ përcjellim të gjitha këto. Mendojmë të mjaftohemi vetëm me disa raste tipike për të dhënë një ide; këto raste mund t’i ndajmë në tre grupe kryesore:

I pari: Njoftimet e së fshehtës përkatëse të periudhës së vet.

I dyti: Thëniet mbi të ardhmen e afërt dhe të largët.

I treti: Deklaratat mrekullishprehëse të pohuara me një stil figurativ, e vërteta e të cilave është kuptuar më vonë me zbulimet shkencore.

 

Njoftimet e fshehta në kohën e Profetit (s.a.s)

  1. Të gjithë librat e hadithit me Buhariun dhe Muslimin në krye, përcjellin unanimisht këto raste të veçanta:

Një ditë, i Dërguari i Allahut ngjitet në minber, në vendin e predikimit, dhe, me vështrimin në horizontin e botëve të fshehta, mes shfaqjeve sublime të zbuluara vrullshëm, i ofron xhemaatit buqeta të rejash. Një moment u thotë njerëzve: “Sot më pyetni çfarë të doni!” Pas kësaj, të gjithë fillojnë të pyesin dhe ai u përgjigjet. Mes të tjerëve, ngrihet në kë-mbë një djalë i ri dhe e pyet: “Kush është im atë, o i Dërguari i Allahut?” Siç duket, qoftë edhe pak, qarkullonin thashetheme për atësinë e tij, gjë që e shqetësonte djalin. Djali kishte shfrytëzuar rastin dhe e kishte pyetur Profetin, sytë e të cilit, me lejë të Allahut, qëndronin hapur ndaj të fshehtës. Profeti i përgjigjet: “Babai yt është Huzafe!” Më në fund, djali është i qetë, sepse përgjigjja e ka kënaqur. Tashmë ai do të quhet pa as-një kundërshtim Abdullah b. Huzafetu’s-Sehmi. Kështu, pra, në çastet kur secili pyeste diçka, është dikush që e kupton shumë mirë situatën shpirtërore të të Dërguarit të Allahut. Eshtë Omeri që ngrihet menjëherë në këmbë dhe thotë: “Ne jemi të kënaqur me Allahun, Zotin tonë, me Islamin, fenë tonë dhe Hz. Muhamedin, profetin tonë!” Ky reagimi i tij i hollë e kuptimplotë i zgjeron rrugëkalimet e frymërave të sigurisë që fryjnë në ndiesitë e të Dërguarit të Allahut dhe, ndërkaq, shfaqjet sublime ia lenë vendin frymërave intime.

Kjo ngjarje pati ndodhur në prani të sahabeve që patën mbushur atë ditë faltoren. Të gjithë sahabet i vërtetonin thëniet e të Dërguarit të Allahut dhe me qetësinë e tyre sikur thoshin: “Sadakte!”, “Drejt fole!”

  1. Myslimi na përcjell: Hz. Omeri, rrëfyesi i ngjarjes së mëposht-me, thotë: “Ndodheshim në Bedir. I Dërguari i Allahut e kishte përcaktu-ar plotësisht strategjinë e luftës dhe po kalonte nëpër vendet ku do të zhvilloheshin ngjarjet. Një moment, kur sytë po i shihnin përtej perdeve të hapura të së fshehtës dhe vështrimin e kishte hedhur në horizontin e së ardhmes, nisi të shënojë me gisht: “Këtu do të vritet Ebu Xhehli, atje do të bjerë Shejbe, kurse atje, Velidi…” Dhe përmendi edhe emra të tjerë.” Pas lufte Hz. Omeri betohej: “I gjetëm njerëzit e përmendur prej të Dërguarit të Allahut të vdekur atje ku pati vënë gishtin ai!” (86). Po, këta njerëz që nuk e kishin vërtetuar Hz. Muhamedin me gojë në të gjallë, tani dëshmonin për drejtësinë dhe besnikërinë e tij ndaj së vërtetës me anë të kufomave të tyre të mjera! Në se ai lajmëronte për diçka, thëniet e tij vërtetoheshin pa u shmangur asnjë centimetër!
  2. Në veprën “Mysned” të Ahmed b. Hanbelit lexojmë një ngjarje të tillë:

I Dërguari i Allahut po rrinte në faltore së bashku me sahabet, pasuesit e tij. Një çast ai tha: “Pas pak nga kjo portë do të hyjë këtu një njeri me pamje e fytyrë të pastër. Ai është nga njerëzit më të bekuar të Jemenit dhe në ballë bart shenjën e përshkimit të dorës së engjëllit.” Pas pak, pikërisht siç pati thënë i Dërguari i Allahut, hyri një njeri, u ul në gjunjë para Tij dhe deklaroi se ishte bërë musliman. Ishte Xherir b. Abdillah el-Bexheli, ky monument kulture dhe edukate!

  1. Në veprën “Delailu’n-Nubuve” të Bejhakiut përcillet kjo ngjarje:

Ebu Sufjani qe bërë musliman kur qe triumfuar Meka, vetëm se besimi nuk i pati zënë vend plotësisht në zemër. Ndërsa i Dërguari i Allahut po bënte “tavaf” rreth Qabes, edhe Ebu Sufjani vinte rrotull aty pari.

Një çast dhe Ebu Sufjanit i shkon nëpërmend: “Ç’bëhet, vallë, sikur të mbledh edhe një ushtri e t’i dal para këtij?” Pikërisht atë çast i Dërguari i Allahut i afrohet, i përkulet dhe i thotë në vesh: “Përsëri kemi për të të mundur!” Ebu Sufjani e kishte kuptuar tashmë të vërtetën! Besimi i lëkundur gjer atë çast në zemër, zë vend dhe Ebu Sufjani hidhet përpjetë duke thënë: “I kërkoj falje Allahut!”

Kush ia kishte bërë të ditur Profetit ç’kishte menduar atë çast Ebu Sufjani? Me ç’i kishte ndodhur, Ebu Sufjani bëhej dëshmitar se Muhamedi ishte i Dërguari i Allahut që thoshte gjithmonë të drejtën e të vërtetën!

  1. Po kështu, në librat e shquar të hadithit përcillet një ngjarje e tillë:

Umejr b. Vehb, i cili mes sahabeve, pasuesve të Profetit, cilësohej si “Ruhbanu’l-Islam”, “Shenjtori Islam”, në periudhën e injorancës konsiderohej “njeriu-djall”. Një ditë ky ulet, bisedon dhe merret vesh me Safvan b. Umejjen që vetë do të shtirej si musliman, do të shkonte në Medine dhe do ta vriste të Dërguarin e Allahut. Për këtë, Safvan b. Umejje do t’i jepte si shpërblim një numër të caktuar devesh.

Umejri e mprehu këllëçin dhe u vu për udhë. Kur arriti në Medine, tha se ishte bërë musliman dhe se donte t’i jepte besën të Dërguarit të Allahut. E morën dhe e çuan në faltore. Por sahabet nuk kishin aspak besim te Umejri. Prandaj edhe askush nuk donte ta linte atë vetëm me të Dërguarin e Allahut. Të gjithë ishin vendosur përreth Tij si një kala prej mishi dhe eshtrash. Kur Umejri hyri në faltore, i Dërguari i Allahut e pyeti pse kishte ardhur. Umejri shqiptoi një sërë gënjeshtrash, por me asnjë-rën prej tyre nuk mundi ta bindte të Dërguarin e Allahut, i cili, më në fund, iu drejtua: “Me që ti s’po e thua të vërtetën, atëherë po ta them unë: Ti u more vesh në filan vend me Safvanin dhe erdhe për të më vrarë mua. Për këtë nga Safvani do të merrje kaq kokë deve.”

Umejri u shtang sikur ta kishin goditur në kokë. U ul në gjunjë të Dërguarit të Allahut, ia mori duart dhe u bë musliman. Pas kësaj, ashtu e dha veten pas adhurimit, sa që mes sahabeve thirrej “i shenjtë”!

Nga e pati dëgjuar i Dërguari i Allahut bisedën midis Umejrit dhe Safvanit? Kush ia kishte sjellë atij që larg këtë lajm?

Për të ardhmen në një kohë të afërt të Tij

  1. Buhariu dhe Muslimi përcjellin sipas Hz.Usames si më poshtë.

Usame ishte i biri i Zejd b. Harisesë. I Dërguari i Allahut e donte shumë Usamen dhe nuk e ndante prej vetes. Kur i merrte në njërin gju Hz. Hasanin ose Hysenin, në gjurin tjetër pa tjetër do të merrte Usamen. Një radhë, duke i pasur parasysh të tre këta, ishte lutur: “Allahu im! Trego mëshirë për këta siç tregoj dhembshuri unë! Profeti jetonte ditët e fundit të jetës kur e pati caktuar Usamen si komandant të ushtrisë myslimane kundër Bizantit dhe po i jepte si amanet detyrën për t’ua treguar vendin dushmanëve të Allahut në ato toka ku vite më parë kishte rënë dëshmor i ati, Zejd. Por, kur Usame pati parë se gjendja shëndetësore e Profetit ishte rënduar, e pati ndalur ushtrinë dhe nuk pati lëvizur nga vendi gjer në vdekje të Tij. Ja, pra, ky Usame thotë kështu: “Një ditë ndodhesha bashkë me të Dërguarin e Allahut. Ai kishte dalë në ballkonin e njërës prej ndërtesave të larta dhe vërente përreth. Në një çast, Ai tha: “Po shoh se mes shtëpive tuaja po derdhen si shi intrigat!” .

Eh, ai tha kështu dhe u nda prej nesh…por shumë shpejt pas tij sokakët rënkuan nën vërshimin e intrigave. Hz. Omeri, Hz. Osmani dhe Hz. Aliu ranë dëshmorë gjithë si pasojë e këtyre intrigave… Sikur edhe vetë intrigat me gjuhën e tyre të ngatërresave e fatkeqësive e vërtetonin të Dërguarin e Allahut: “Po, të vërtetën thua!..”

Intrigat

Hz. Omeri gjithmonë pati pasur frikë nga shfaqja e këtyre intrigave. Një herë, në faltore, duke ndenjur bashkë me shumë vetë, pyet: “A ka dikush që ka dëgjuar për intrigat që ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut dhe di të thotë ndonjë gjë për to?” “Unë jam” -thotë Huzejfe. “Ti je një burrë i guximshëm,- i thotë Hz. Omeri- fol!” Dhe Huzejfe thotë: “Intriga e personit kufizohet te familja e tij, te malli e pasuria, te egoizmi, fëmijët dhe komshinjtë. Dhe këtyre u dilet përballë me agjërim, namaz, sadaka, me zbatimin e urdhërave e të ndalimeve.” “Jo ,- i përgjigjet Omeri, – unë nuk po pyes për këto, por për intrigat që do të dallgëzohen si dallgët e detit!”

Huzejfe: “O Omer! Ato s’kanë aspak lidhje me ty. Mes tyre dhe teje është një portë e mbyllur.” Kurse Omeri: “Ajo portë a do të hapet, apo do të thyhet?” Dhe përgjigjja e Huzejfes: “Do të thyhet!” Hz. Omeri u trondit dhe nga buzët e tija të dridhura u derdhën këto fjalë: “Në ndodh-të ashtu, ajo derë kurrë më nuk do të mbyllet!”.

Më vonë, një sahabe pyeti: “A e dinte, vallë, Omeri se porta është vetë ai? Huzejfe iu përgjegj: “Po, e dinte siç di për natën e mbrëmshme!” Po, Hz. Omeri e dinte se, pas vdekjes së tij, portat e unitetit të krijuar prej Hz. Muhamedit do të hapeshin, do të merrnin udhë grindjet dhe intrigat, në gjirin e ummetit do të shfaqeshin botëkuptime të ndryshme, rryma të ndryshme…Omeri i dinte këto, sepse i kishte lajmëruar njeriu i fjalës dhe besniku ndaj së vërtetës, Profeti i të Dy Botëve, Hz. Muhamedi (sav)!

Dhe, kur erdhi dita, thëniet e tij u realizuan identikisht. Omeri u pre me shpatë nga një tradhtar iranas. Edhe uniteti Islam mori një plagë të thellë në gjoks. Bota armiqësore e kishte zgjedhur shumë mirë objektivin dhe gjahtari i paepur e kishte ngulur shigjetën mu në të. Po, me vdekjen e tij intrigat rrodhën si shtrëngatë, dolën nga shtrati dhe e përmbytën tërë botën Islame. Në një aspekt, kjo ishte një copëtim, një ndarje, një ankth, por, në një aspekt tjetër, ishte edhe një argument dhe pro-vë e së vërtetës “La ilahe illallah, Muhamedu’r-Resulullah”, “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i Dërguari i Tij!”, e shkruar me gërma yjesh në qiell sipas gjuhës së ngjarjeve e ndodhive…

 

Epërsi dhe fitore

  1. Te Buhariu si dhe te vepra “Synen” e Ebu Davudit bëhemi dëshmi-tarë të kësaj ngjarjeje të treguar nga Habbab b. Eret. Le t’i përmbledhim ato që kemi dëgjuar prej tij:

“Ishte një kohë plot shqetësime. I Dërguari i Allahut po rrinte në hije të Qabes. Kush e di ç’sulme kishte pësuar përsëri! Ishte një periudhë e tillë që të gjitha zakonet e injorancës përdoreshin si nga një armë më vete kundër muslimanëve. Atëherë unë ende s’e kisha fituar lirinë. Mundimet dhe torturat që imzot dhe paria e Mekës zgjidhnin për mua, kishin arritur në një shkallë të tillë që ishin bërë, më në fund, të padurueshme. Kur e pashë ashtu të vetmuar të Dërguarin e Allahut, iu afrova pranë dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! A s’po lutesh dhe kërkon nga Zoti ndih-më dhe fitore për ne?”

Habbabi mendonte se i Dërguari i Allahut do të ngrinte menjëherë duart e do të lutej; madje priste se ndoshta edhe do t’i mallkonte Kurejshët…Mirëpo i Dërguari i Allahut i tha kështu Habbabit: “Betohem në Allahun se bashkësitë para jush patën vuajtur tortura më të tmerrshme. Ndodhte që të shtriheshin në hendeqe e t’u sharrohej trupi me sharrë hekuri e prapë të mos ktheheshin nga feja. U ndahej mishi prej kockave e prapë nuk jepeshin. Allahu do ta plotësojë këtë fe, vetëm se ju nxitoheni. Do të vijë një ditë e një grua do të udhëtojë e vetme nga Hire në Hadramut dhe nuk do të ketë frikë në rrugë veçse nga kafshët e egra!”

Dhe Hababi betohet: “Të gjitha thëniet e të Dërguarit të Allahut dolën. Unë i pashë të gjitha me sytë e mi!”.

“Ti do të jesh e para që do të takohesh me mua”

  1. Në njërën prej ditëve të sëmundjes që do të bëhej shkak për bartjen e Profetit në jetën e pasosur, ky e thërret pranë të bijën, Hz. Fatimen, që me sjelljet dhe vështrimin e thellë i ngjante gjer në hollësi, dhe i pëshpërit në vesh ca gjëra… Hz. Fatimja qan e qan sa i këput zemrat…Pastaj Profeti i pëshpërit në vesh ca gjëra të tjera nga të cilat aq shumë gëzohet, sa kujtonte njeriu se i ishin hapur të gjitha dyert e xhenetit…Në të vërtetë, ashtu ishte, sepse ajo kishte një gëzim të madh.

Kjo ngjarje nuk i kishte shpëtuar vështrimit të Hz. Aishes. Më vonë ajo e pyet Hz. Fatimen, por kjo nuk i tregon gjë duke iu përgjigjur shkurt: “Kjo është një e fshehtë që i përket të Dërguarit të Allahut!” Pas vdekjes së Profetit, Hz. Aishja e pyet përsëri dhe atëherë Hz. Fatimja i përgjigjet kështu: “Herën e parë më tha se do të vdiste, prandaj qava. Kurse herën e dytë më dha myzhdenë se i pari njeri nga familja që do të bashkohej me të, isha unë, prandaj edhe u gëzova!” Po, ashtu pati qarë, sa që vdekja profetike pati derdhur nga buzët e saj vargjet që do të bënin për të qarë njerëzimin të tërë:

E ç’të kërkojë njeriu aromë tjetër

                             Kur thith aromën e dheut të Muhamedit?

                             Të tilla hidhërime më ranë përsipër,

                             Sa, po t’u binin ditëve, do të bëheshin netë…

Gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit do të vërtetohej fjala e dytë: do të vdiste Hz. Fatimja duke u bërë, kështu, e para nga familja që i bashkohej Atij! Edhe vdekja e Hz. Fatimes vërtetonte drejtësinë e fjalës së të Dërguarit të Allahut dhe sikur i thoshte Atij: “Drejt fole!..”

Paqja

  1. Në një ngjarje të rrëfyer nga shumica e autorëve të Kutubi Sites , thuhet se i Dërguari i Allahut kishte paralajmëruar kështu për Hz. Hasanin një ditë në hutbe: “Ky është biri im, Hasan; ai është i nderuar. Me të Allahu do të sjellë paqen midis dy xhemaatëve të mëdha!”

Po, ai është fisnik bir fisniku. Eshtë bir i të Dërguarit të Allahut. Eshtë një zotëri. Një ditë, hilafetin dhe mbretërimin e ofruar do ta refuzonte vetëm e vetëm që të mos jepte shkak për intrigën mes ummetit dhe do të tregonte se ishte zotëri e bir zotëriu. Nuk do të kalonin më shumë se njëzet e pesë-tridhjetë vjet dhe fjalët e Profetit do të vërtetoheshin një e nga një. Pas Hz. Aliut, Emevitë gjetën përballë Hz. Hasanin. Vetëm se ky njeri i paqes e i qetësisë, duke shpallur se hiqte dorë nga të gjitha të drejtat, parandaloi, qoftë edhe përkohësisht, ndeshjen midis dy ushtrive Islame.

Kur Profeti paralajmëronte këtë ngjarje, Hz. Hasani ishte ende një fëmijë i vogël. Ndoshta atë ditë as që kishte kuptuar se ç’thoshte për të Profeti, i gjyshi. Domethënë se ai nuk veproi ashtu se ashtu kishte pasë thënë i Dërguari i Allahut dhjetëra vite më parë. Ndoshta i Dërguari i Allahut e kishte pasë ditur që atëherë se si do të ndodhte, pa kishte thënë ashtu. Edhe Hz. Hasani e vërtetonte gjyshin e tij dhe, vite më vonë vepronte ashtu siç kishte paralajmëruar Ai, duke i thënë me gjestin e vet: “Drejt ke folur!”

“Do të jetojë një shekull”

  1. Duke vënë dorën e bekuar mbi kryet e Abdullah b. Busrit, Profeti thotë: “Ky fëmijë do të jetojë plot një shekull!” dhe shton: “Edhe këto puçrra të shëmtuara do t’i fshihen!”

Sahabet thonë se ai njeri jetoi plot njëqind vjet, ndërsa puçrrat i ishin fshirë me kohë… Ashtu siç i Dërguari i Allahut lartësohej çdo ditë drejt një niveli më të përsosur se i një dite më parë sipas të fshehtës “Bota e ardhshme është më e mirë për ty se e para” , ashtu siç e gjente të mangët një situatë të mëparshme në krahasim me atë të mëpasme dhe, për pasojë, pendohej njëqind herë në ditë, ashtu edhe çdo ditë që kalonte, umeti i tij hidhte edhe një hap tjetër përpara në njohjen dhe kuptimin e tij, i shtohej edhe më besimi nga vërtetimi i paralajmërimeve të tij lidhur me të ardhmen dhe i thoshte atij: “Ti je i Dërguari i Allahut!”

ilmihali

Share this post

scroll to top