Librat biografikë flasin për udhëtimin e parë të të Dërguarit të Allahut në shoqërim të të ungjit Ebu Talib kur pati qenë ende dymbëdhjetë vjeç. Ky udhëtim qe bërë për në Damask. Karvani bën konak diku në një han dhe Muhamedi caktohet si vëzhgues, ndërsa të tjerët ulen për të pu-shuar. Ndërsa karvani po i afrohej hanit, një murgu të quajtur Bahira, të njohur nga vendasit, i tërheq vemendjen një dukuri. Mbi karvan qëndro-nte një re që e shoqëronte vazhdimisht. Kur karvani qëndronte, edhe reja qëndronte; kur karvani vihej në lëvizje, edhe reja lëvizte. Për këtë, murgu Bahira i fton në ngrënie të gjithë pjesëmarrësit e karvanit. Kjo sjellje e murgut i cili gjer atëherë nuk pati treguar aspak interesim për karvanet, i çudit të gjithë. Të gjithë i përgjigjen ftesës përveç Muhamedit. Dhe murgu nuk sheh midis tyre atë që kërkon. Prandaj pyet në se ka mbetur dikush në rojë të karvanit. Pasi merr përgjigjen, e thërret edhe atë. Sapo Muhamedi hyn në dhomë, murgu në vetvete arrin në konkluzion dhe e pyet Ebu Talibin se kush ishte ai. Ebu Talibi i thotë se ishte i biri, por murgu nuk e beson sepse ka konkluduar se djali është Ai dhe e di se i ati duhej ta kishte lënë jetim pa lindur ende. Më vonë, murgu e heq mënjanë Ebu Talibin dhe e këshillon të heqë dorë nga ky udhëtim, sepse, sipas tij, çifutët ishin njerëz ziliqarë dhe, duke e njohur këtë djalë nga pamja, mund të mendonin ndonjë të keqe për të me që s’ishte nga radhët e tyre. Këto gjëra murgu vetëm sa i mendon, kurse Ebu Talibit i thotë vetëm kaq: “Hiq dorë nga ky udhëtim!..” Ebu Talibi ia dëgjon këshillën, gjen një justifikim, ndahet prej karvanit dhe kthehet pas për në Mekë.
Murgu Bahira thoshte të vërtetën. Por ishte një gjë që ai s’e dinte: Ai ndodhej nën mbrojtjen e Allahut (Xh.Xh.) gjer në fund të jetës, gjë që e shpreh edhe ajeti i mëposhtëm: “Allahu të garanton mbrojtjen prej armiqve”. (Maide: 67). Po, kështu i thoshte atij Zoti i vet dhe do ta mbante premtimin gjer në fund!..
Udhëtimi i dytë për në Damask
Udhëtimin e dytë për në Damask Profeti i Dy Botëve e bëri kur ishte njëzet e pesë vjeç. Këtë radhë ai printe karvanin e Hz. Hatixhes me të cilën kishte hyrë në ortakëri. Edhe kësaj radhe ai u takua me murgun Bahira. Murgu ishte plakur mjaft. U gëzua shumë kur e pa të Dërguarin e Allahut sepse vazhdimisht e kishte pritur një ditë të tillë. Murgu i tha Muhamedit: “Ti do të bëhesh profet. Ah, sikur t’ia mbërrija ditës kur do të shpallësh profetësinë! T’ia mbërrija dhe të të shërbeja!” Por ai nuk i mbërriti ato ditë, por është e padiskutueshme se ky pohim dhe pranim i ka përftuar atij shumë gjëra në jetën e pasosur.