Një ditë prej ditësh, ishte Zejd bin Harithi, një tjetër banor i kësaj shtëpie, që hyri e iu afrua të Dërguarit të Allahut. Edhe ai e kishte kuptuar se diç e re kishte ndodhur, mirëpo nuk po e rrokte akoma se për çfarë bëhej fjalë konkretisht. Nuk i kishte parë asnjëherë më parë kaq të entuziazmuar zonjën e tij, Hatixhen e nderuar, as Muhamedin, më besnikun ndër mekas. Në ato çaste, ai i gjeti ata në një qëndrim të pazakontë, përpara rrinte Nderi i të nderuarve, e nga pas i rrinte e shoqja e tij fisnike, e për më tepër nga goja e Tij po dilnin disa fjalë, të cilat nuk i kishte dëgjuar asnjëherë më parë. Ata po faleshin. Fillimisht i ndoqi me sy, në ruku dhe në sexhde, derisa u çmerit fare… Me ta mbaruar ritin, ai e pyeti menjëherë Të Dërguarin e Allahut se ç’kishte ndodhur. Tashmë kishte ardhur koha edhe për të; Ai e mori Zejdin pranë vetes, e si një baba, filloi t’ia tregonte të gjitha një e nga një. Profeti i Njerëzimit, i lexoi atij edhe disa ajete, derisa ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të shpallte besimin. E si ishte mundur që të ndodhte ndryshe… Profeti të thoshte diçka, e Zejdi të mos e pranonte. Prandaj edhe hoqi menjëherë dorë nga një jetë e lumtur krah babait dhe nënës së tij, për të jetuar kësisoj si një i dashuruar kryekëput pas vargjeve hyjnore që i zbrisnin Profetit të Allahut Paqja qoftë mbi Të. Ai tanimë ishte përballë me ftesë që, jo vetëm po i jepte drejtim të ardhmes së jetës së tij, por edhe po e shpinte drejt një lumturie të përjetshme. E për më tepër, Ai që po ia bënte një ftesë të këtillë, ishte vetë i Dërguari i Zotit. Një grimëçast, dhe ai e tha menjëherë fjalën e dëshmisë, duke iu ngjitur edhe ai nga pas karvanit të besimtarëve, pas Hatixhes dhe Aliut. Këndej e tutje, së bashku me Aliun e nderuar, do të ishin nga më të dashurit e profetit, që do ta harxhonin krejt frymën për të thirrur veçse për në rrugën e drejtë të Zotit. Pa kaluar shumë kohë, u dëgjuan të trokitura në portë. Pas portës ishte Ebu Bekri i nderuar. Edhe ky tregtar i fisëm dhe me emër në Mekë, nuk kishte ardhur për gjë tjetër, por për të dëshmuar dorëzimin e tij të plotë ndaj të Dërguarit. Profeti i Njerëzimit sal’lallahu alejhi ue sel’lem nuk ishte më i vetëm në detyrën e ftimit të njerëzve për në më të drejtën e rrugëve, pas Tij rrinin edhe sahabët e nderuar. Ai u lexonte atyre përditë ajetet e zbritura prej Allahut, dhe zemrave e mendjeve të etura për urtësi, ua mësonte pa treguar asnjëfarë përtese. Ndërsa ata, i përpinin ato dije, e ashtu të emocionuar prej tyre, nga dita në ditë thelloheshin në besimin e tyre, duke i ngjitur një e nga një shkallët e rrugëtimit për t’u bërë secili nga një njeri i përsosur.