Një familje fisnike

profeti-muhamed-jeta-familjare.jpg

“Mos u frikëso! Allahu pa dyshim do të të mbrojë ty. Ti je i tillë që ruan lidhjet farefisnore, ndihmon të dobëtit dhe ushqen të varfrit. Ti je gjithmonë mikpritës me mysafirin, ti vazhdimisht kërkon të vërtetën duke iu përkushtuar plotësisht rrugës së drejtë…”

Këto ishin fjalët që Hatixhja i tha bashkëshortit të saj, Muhamed, të Dërguarit të Allahut, në kthimin e Tij në Mekë nga shpella Hira, e cila gjendej në majën e një mali në periferi të Mekës, ku atij i erdhën fjalët e para të Shpalljes Hyjnore përmes Kryeengjëllit Xhebrail. Ai kishte nxituar për tek bashkëshortja e tij e dashur për të gjetur ngushëllim pas eksperiencës tronditëse të takimit të parë me Engjëllin e Shpalljes.

Pra, kush ishte Hatixhja, e cila mundi të tregonte një forcë kaq bindëse pa hezitimin më të vogël, menjëherë pas dëgjimit të lajmit? Kush ishte kjo grua që e mbështeti dhe i dha siguri Profetit kur ai shkoi tek ajo, duke i kujtuar atij veprat e kaluara si një konfirmim që eksperienca e pazakontë ishte me të vërtetë nga Allahu, duke i sugjeruar më pas të kërkonin këshillë nga dijetari Uaraka ibn Neufel, në mënyrë që ai të vërtetonte ato që ajo i kishte thënë? Cilat ishin burimet e saj të ushqimit shpirtëror dhe këshillës, dhe cilat ishin ato virtyte që fitoi ajo përmes vendosmërisë së saj?

E nderuara Hatixhe, Allahu qoftë i kënaqur me të, lindi rreth vitit 555 e.s., 15 vjet përpara se mbreti i Jemenit, Ebreheja dhe ushtria e tij të sulmonin Qabenë, një ngjarje e përdorur si pikë referimi në historinë arabe. Babai i saj ishte Huvejlid ibn Esedi ndërsa nëna Fatime bint Zejda.

Huvejlidi ishte ndër anëtarët më të nderuar të fisit Kurejsh dhe mekasit kërkonin mendimin e tij për çështjet e tyre më të rëndësishme. Së bashku me gjyshin e Profetit, Abdulmutalibin, ai ishte një nga anëtarët e delegacionit të nisur për të parandaluar një rrezik që do të vinte nga Jemeni.

Ajo gjithashtu kishte një linjë të përbashkët prejardhjeje me Muhamedin paqja qoftë mbi Të: Kusaj ibn Kilabi ishte ai që lidhte familjet e tyre 5 gjenerata më parë. Po ashtu nga ana e nënës së saj, Fatimes, kishte një lidhje të ngjashme me familjen e Muhamedit me anë të paraardhësve të saj, Luajit dhe Abdul Menafit.

Në të njëjtën kohë, rrethi më i afërt familjar i Hatixhes luajti një rol me rëndësi të madhe në përgatitjen e saj për ditët që do të vinin. Ia vlen të përshkruajmë shkurtimisht këtu personat më të afërt të saj për të kuptuar ambientin nga rridhte ajo.

* Xhaxhai i saj, Amr ibn Esed, i cili mori përsipër detyrën e babait të saj pas vdekjes së këtij të fundit në luftën e Fixharit, ishte një nga liderët e Mekës.

* Motra e saj, Hala, u martua me Rebi ibn Abduluzan dhe ata patën një fëmijë, Ebu Asin, i cili u njoh më vonë si “i besueshmi”. Pasi mori miratimin e Profetit, Hatixhja e martoi vajzën e tyre Zejneben me këtë nip të saj, të njohur për ndershmërinë e tij.

* Hakim ibn Hizami ishte nipi tjetër i Hatixhes. Hakimi, i njohur si fëmija i parë i lindur në Qabe, ishte një mbështetës i fuqishëm i tezes së tij në punët e saj të tregtisë. Ai lindi 3 vjet përpara vitit të Elefantit dhe ishte në të njëjtën kohë një nga shokët më të afërt të Muhamedit para profetësisë. Ai kishte marrë përsipër detyrën të ndihmonte pelegrinët që vinin në Mekë; këtë detyrë ai e trashëgonte nga stërgjyshi i tij, Kusaji.

Ishte ai që bleu Zejdin, i cili do të bëhej një nga ndihmësit më të mëdhenj të Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të në ditët e para të përhapjes së Islamit, nga Panairi i Ukazit dhe ia dhuroi atë Hatixhes. (Profeti e liroi Zejdin dhe e bëri ndihmësin e tij.) Hakimi gjithashtu bëri sakrifica të mëdha për të ndihmuar bashkësinë myslimane për sigurimin e të ardhurave gjatë viteve të bojkotit.

Pas betejës së Hunejnit ndërmjet besimtarëve dhe politeistëve Kurejshë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të i dha Hakimit 100 deve nga plaçka e luftës, sepse ai dëshironte të fitonte zemrën e këtij njeriu me vlerë. Vite më vonë, kur Hakimi u bë mysliman, pasi Meka ishte çliruar, Profeti e uroi atë duke i thënë: “Pa dyshim, kur ti u bëre mysliman, more me vete shumë të mira”, duke iu referuar bamirësive të mëparshme të tij.

Dar’un Nedva (Shtëpia e Nedvës) ishte një vend pritjeje ku merreshin vendime të rëndësishme. Kjo i ishte lënë si trashëgim Hakimit dhe ai ia shiti atë Muavijes, duke dhuruar të gjitha përfitimet në rrugën e Allahut. Ai vdiq 54 vjet pas Hixhretit (emigrimi i Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të dhe shokëve të tij në qytetin e Medinës në vitin 622 (e.s.).

Hakimi ishte tregtar. Kur u çlirua Meka, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të e përfshiu atë në përshëndetjet e tij dhe deklaroi se ata që kërkonin strehim në shtëpinë e Hakim ibn Hizamit ishin në duar të sigurta. Hakimi tregoi një ndjenjë të pashembullt sakrifice vetjake për të shlyer kohën gjatë së cilës ai nuk kishte pranuar Islamin, megjithëse kishte qenë shumë i afërt; ai dëshironte të kompensonte kohën e harxhuar pa vlerë në jetën e tij të kaluar. Në një rast, ai vendosi të shkonte për Haxh dhe përpara se të nisej, dhuroi 100 deve, 1000 dele dhe liroi 100 skllevër. Pasi i bëri një premtim Allahut dhe Profetit në Hunejn, ai kurrë nuk kërkoi asgjë nga askush dhe nuk pranoi madje as gjëra që i takonin me të drejtë nga plaçka e luftës. Ai ndërroi jetë në moshën 120 vjeçare; kishte jetuar për 60 vite në Epokën e Injorancës, para Islamit, dhe 60 vite të tjera si mysliman.

* Uaraka ibn Neufeli ishte kushëriri i Hatixhes, dhe gjatë viteve të rinisë së saj, burimi më i madh i dijes. Ai kishte mësuar mjaft për të lexuar dhe kuptuar Teuratin dhe Inxhilin (Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re) në hebraisht dhe ishte një kërkues i rrugës së vërtetë, sepse për të, ishte e qartë se adhurimi i idhujve ishte absurd. Kërkimi dhe studimi i teksteve të vjetra e çoi atë në gjetjen e informacionit që parashikonte ardhjen e Profetit të Fundit, duke e bërë të qëndronte tërë ankth në pritje.

Ai i kishte treguar kushërirës së tij, Hatixhes, për këtë eksperiencë; ai po e përgatiste atë për ditët që do të vinin. Kjo ishte arsyeja që ajo i besonte atij çdo informacion të ri dhe ai ia interpretonte duke ia shpjeguar në një mënyrë që ajo ta kuptonte.

Në ato ditë poezia ishte një mjet i rëndësishëm komunikimi dhe Uaraka, herë pas here, i shprehte qëllimet e tij me poezi. Një ditë, kur Hatixhja kishte shkuar ta pyeste atë për disa gjëra, vargjet e tij treguan gjëra të mrekullueshme. Megjithëse ai thoshte që e ardhmja ishte e fshehur, ai e dinte se Engjëlli Xhebrail do t’i sillte Shpalljen dikujt të quajtur Ahmed (Kurani i referohet Muhamedit paqja qoftë mbi Të gjithashtu si “Ahmed”, që do të thotë “më i lëvduari”), i cili do të shpallej Profet i dërguar me mesazhin e Allahut dhe detyrën e shpëtimit të njerëzimit.

Vite më vonë, Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të e pyetën për Uaraka ibn Neufelin, i cili kishte studiuar shkrimet e shenjta dhe kishte refuzuar politeizmin e Mekës në epokën paraislame. Hatixhja, që ishte e pranishme, tha: “Nuk ka dyshim se ai të vërtetoi ty, megjithëse vdiq përpara se të deklarohej profetësia.” Më pas, Profeti shtoi: “Unë jam i sigurt që e kam parë atë të veshur me të bardha. Nëse ai do të kishte qenë nga banorët e zjarrit, do ta kisha parë të veshur ndryshe.”

Në një ditë tjetër, pasi dëgjoi dikë që fliste rreth Uarakas, Profeti dha lajme të mira se ai ishte në Xhenet (gjë e cila i ishte shfaqur atij).

Një ditë, Uaraka qëlloi të kalonte pranë Bilalit, një skllav që e besonte Profetin dhe po torturohej mizorisht për t’u detyruar që të braktiste fenë e tij. Duke parë këtë skenë të padurueshme persekutimi dhe torture të Kurejshëve kundrejt Bilalit, ai tha: “Një! Një! Betohem në Allah se nëse ata e vrasin sot atë, do të jetë një mirësi.”

Për shkak të këtyre dhe pohimeve të tjera të bëra nga Profeti për të, disa dijetarë kanë thënë se Uaraka ibn Neufeli ishte një mysliman dhe e kanë numëruar atë midis Sahabëve. Meqenëse ai vdiq menjëherë pas fillimit të ardhjes së Shpalljes, ai shkoi në botën e përtejme pa pasur shansin të ndante me të vuajtjet e jetës dhe të misionit profetik.

* Zubejr ibn Avami, i cili do të njihej më vonë si apostulli i Profetit, ishte një tjetër nga nipat e Hatixhes. Në të njëjtën kohë, nëna e Zubejrit, Safija, ishte halla e Muhamedit (s.a.s.).

Zubejri u bë mysliman kur ishte 12 vjeç dhe emigroi në fillim në Abisini (Etiopia e sotme), dhe më pas në Medine. Zubejri ishte myslimani i parë që përdori shpatën me trimëri në mbrojtje ndaj dhunës së jobesimtarëve. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të tha se në ditën e Luftës së Bedrit engjëjt po zbrisnin nga qielli në imazhin e Zubejrit. Ai po ashtu tha në Fushatën Kurejdha: “Çdo Profet ka një apostull dhe apostulli im është Zubejri.”

Ai ishte një nga 10 Sahabët e përgëzuar me sihariqin e Xhenetit ndërsa ishin akoma në këtë jetë. Në kohën pas vdekjes së Profetit, ai u bë një lider i bashkësisë myslimane, duke qenë një nga 6 anëtarët e këshillit të formuar prej Omerit, i cili luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Kalifit të ri.

ilmihali

Share this post

scroll to top