Lutja është adhurim.1 Lutja është bërthama, ajka e përkushtimit.2 Lutja është emri i kthimit e drejtimit total nga Zoti. Kur flitet për adhurim, është e pamundur të mos përdoret lutja. A nuk urdhëron Allahu: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj” (Furkan 25/77), a nuk na thotë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 40/60) Lutja është një relacion i fortë mes robit e Zotit. Me të tjera fjalë, lutja është mënyra e shfaqjes së botës së mendimit e apasionatave të robit, para Zotit. Gjithë çka njeriu kërkon e që nuk arrin ta plotësojë me mundësitë e fuqitë e veta, ia kërkon të Gjithëpushtetshmit Absolut me anë të lutjes. Lutja është një sonatë e ëmbël që nis te zemra e besimtarit e lartësohet e lartësohet drejt Zotit, deri në kupë të qiellit. Ajo lutje, që sot është përmbledhur e ngushtuar vetëm në pesë vaktet e namazit, ose në fund të disa adhurimeve të tjera, në të vërtetë është nevoja e domosdoshmëria më e madhe e kësaj jete dhe e të përtejshmes. Jeta nuk mund të mendohet pa lutjen, sepse jeta vetë është një lutje,nga lindja në vdekje. Lutja është kodi i Aprovimit Hyjnor dhe çelësi i vendit të parajsës. Sërish, lutja është simboli i të qenit “abd”* që i paraqitet Zotit dhe simboli i mëshirës që zbret nga Zoti.3 Ose me fjalë të tjera, është vatra e marrëdhënies mes Zotit e robit. Nga njëra anë, lutja është adhurim; nga ana tjetër, është një miraxh vetjak, që bashkon botën materiale me atë shpirtëroren, të dëshmuarën me të padëshmuarën ende; një miraxh i lumturuar, që shkallë-shkallë, lartëson njeriun drejt së Vërtetës Sublime. Në sajë të lutjes, dora e mëshirës qëndron mbi ne dhe na mbron e na ledhaton, aq sa thuajse e ndjejmë vërtet. Njëkohësisht, lutja është një rrufepritës i ndëshkimit. Lutja është një formë efikase e adhurimit, që thith mëshirën e aprovimin hyjnor e shtyn e largon ndëshkimin e hidhërimin. Shpeshherë, aty ku fuqia njerëzore bllokohet e nuk ka më ndikim, ndërgjegjja njerëzore, me apo pa vetëdije, thërret në skenë lutjen. (Ah, sikur të ndodhte kështu që në momentin e parë!)
Në strukturën e brendshme të lutjes është e pamundur të përcaktohet kur ajo nis e kur ajo mbaron, madje ndoshta nuk ekziston aspak një përkufizim i tillë përsa i përket lutjes. Sepse nuk ekziston edhe ndonjë moment i tillë, gjatë të cilit njeriu nuk ia ndjen nevojën lutjes. Ndaj edhe njeriu, që për asnjë çast nuk ndodhet jashtë ndikimit të Pushtetit Hyjnor, nuk duhet të ndahet asnjëherë nga lutja kundrejt këtij Pushteti. Sepse në derën e Zotit mund të arrihet veç me anë të lutjes. Në atë derë mund të hysh me lutje dhe lutja është ajo që tërheq mëshirën mbi ne.
Nga aspekti ynë, lutja është kërkesë. Çdo nevojë morale e materiale, ne e kërkojmë prej Zotit. Kjo lutje mund të jetë me fjalë, mund të jetë me gjendje, mund të jetë edhe thjesht me zemër. Po ja që shpeshherë nuk e dimë se çfarë kërkojmë, nuk dimë si ta kërkojmë, nuk dimë, ndaj dhe kur kërkojmë, mund të shkelim edukatën e normat përkatëse ndaj Paracaktimit të të Gjithëpushtetshmes Hyjnore. Dhe këmbëngulim duke kërkuar atë që dëshirojmë dhe jo atë që Vullneti Absolut ka përcaktuar. Ndaj dhe kërkojmë pa treguar durim, duke dëshiruar plotësimin e çdo kërkese tonën, madje edhe në mënyrë imediate; dhe sa herë që kjo nuk plotësohet siç kërkojmë ne, duke menduar se lutja e kërkesa jonë është refuzuar, biem në pesimizëm.
Me një tjetër shprehje, kërkojmë gjithmonë që ta marrim Vullnetin Absolut nën timonin e vullnetit tonë të pjesshëm individual. Ja, të gjitha këto janë në kundërshtim me shpirtin, normat e terminologjinë e lutjes. Lutjet e kryera në këtë mënyrë janë larg të qenit lidhje mes robit e Zotit. Kurse zbatimi i normave dhe përshtatja me shpirtin e lutjes janë kushtet më të rëndësishme, ndoshta primare, që lutja të gjejë përgjigje. Shpeshherë lutja del nga zemra drejtpërdrejt, vetëm si një ndjenjë, në formën e një dëshire të zjarrtë a të një pasioni. Në këtë rast njeriu nuk përdor asnjë fjalë. Ndoshta as buzët nuk i lëviz, po ai është aq i ndërgjegjshëm se i Gjithëdijshmi i të Hapurës e të Fshehtës e di gjendjen e tij dhe atë që do zemra e tij më së miri, sa pa thënë asgjë, lë gjithçka në dorë të Tij, kështu dhe i gjen përmbushje për kërkesat e lutjet që ka. Krejt sikur profeti Ibrahim kur po e hidhnin në zjarr. Në çastin kur çdo shkak hesht, çdo mundësi është e pamundur, urdhri hyjnor i bëhet atij burim shpëtimi në një formë të tillë, që askush nuk e priste: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija 21/69).
Përcjellja me gjuhë e me fjalë e ndjenjave të zemrës drejt Zotit, është një tjetër formë e lutjes. Në këtë formë, robi paraqet veç gjendjen e tij, nuk kërkon diçka specifike. Ndonjëherë, ai mund të shprehë edhe gjendjen në të cilën ndodhet, edhe atë çfarë kërkon. Në Kur’an jepet shembulli i të dy formave të kësaj lutjeje, si lutje profetësh. Si shembull i formës së parë, janë lutja e profetit Ejjub (a.s.): “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija 21/83) dhe lutja e profetit Junus (a.s.): “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija 21/87).
Kurse shembull i formës së dytë është lutja e profetit Zekerija (a.s.), i cili i lutet Zotit kështu: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Ali Imran, 3/38).
Përveç këtyre, në Kur’an lutja është një prej temave që theksohet më tepër dhe lutjet që duhen bërë, i mësohen direkt Profetit. Kjo gjë, tregon më së miri rëndësinë e kësaj teme. Po të mos ishte e rëndësishme, pse do të theksohej lutja në Kur’an në qindra ajete? Përveç atyre ajeteve, në qindra e qindra hadithe të shenjta, të përcjella nga profeti, theksohet rëndësia e lutjeve dhe paraqiten qindra lutje që u këshillohet besimtarëve t’i bëjnë në çdo etapë të jetës. Njeriu kërkon që të shprehë një për një gjithë ndjenjat e dëshirat e veta, në mënyrën më të saktë e më koncize. Atëherë ndihmësi i tij primar për këtë, është Kur’ani Famëlartë. Dhe pas Kur’anit, lutjet që na mësohen në hadithet e shenjta.
Kështu duhet të jetë, sepse Ai që na ka krijuar bashkë me dëshirën për të kërkuar, Ai na mëson edhe si të kërkojmë me anë të atyre lutjeve. Padyshim që lutjet më të bukura e më të ndjeshme, Allahu ia ka mësuar profetit të Vet. Dhe profeti e njeh më mirë se kushdo tjetër Atë, të cilit i shkohet në derë me lutje. Profeti është njeriu i vendosmërisë në rrugë të drejtë, sepse adhurimi do vendosmëri. Duke thënë: “Më adhuroni Mua, kjo është rruga e drejtë!”(Jasin 36/31) Allahu jep një shenjë drejt kësaj të vërtete. Në çdo veprim të profetit dallohet kriteri dhe ekuilibri; edhe kur dërgonte ushtritë për të triumfuar andej-këtej nëpër botë, Ai ruante gjithnjë parimin të mos dëmtonte as edhe një milingonë. Gjithmonë ai është lidhur me shkaqet konkrete, po asnjëherë nuk e ka lënë lutjen pas dore. Kush dëshiron të shohë një jetë të kaluar natë e ditë me lutje e përgjërime, le të shohë jetën e profetit. Le ta shohë, që njerëzimi të kuptojë se ç’është lutja, si duhet performanca e saj, cilat janë normat e saj dhe cilat janë përfitimet morale e materiale që i sjell ajo njeriut. Le ta shohë e të marrë mend! Qindra njerëz kanë mbledhur lutjet e Profetit e kanë përgatitur vëllime të ndryshme me ta. Zoti i Gjithëmëshirshëm nuk ia kurseu një mirësi të tillë as autorit të këtyre rreshtave, Ai është Bujari që nuk kursehet, kështu u përgatit një libër me lutjet e profetit nën titullin “Libri i Lutjeve”*. Brenda mundësive, kjo përmbledhje është përgatitur në përmasa të vogla, por edhe ata që shfletojnë këtë mini-përmbledhje, kanë rastin të kuptojnë se edhe në botën e lutjes, profeti është i paarritshëm. Thua se ai e ka kaluar çdo çast të jetës duke u lutur. Edhe sikur një njeri të mos merret me asgjë tjetër, po vetëm të lutet gjatë gjithë jetës së tij, ato lutje do të jenë më pak se lutjet e përcjella nga Profeti. Ai i ka shpërndarë lutjet në brendësi të jetës së vet dhe çdo hap e ka hedhur nëpërmjet këtyre kristaleve drite të gjithanshme. Lutja është një fjalë që përsëritet e përsëritet e nuk ndahet nga buza e tij, përgjërimi e thirrja e shpirtit të tij, që nuk reshtte asnjë çast. As edhe një moment ai nuk e kishte lëshuar nga dora këtë kupë me ujë parajse, që i lagte buzën, as edhe një çast nuk e kishte përjetuar pa lutje! Ai ishte njeriu i aksionit, njeriu i gjykimit, po edhe njeriu që nuk kishte shok në lutje e adhurim. Edhe pasuesit ishin një grupim adhurimi, po sa herë që viheshin të ecnin me një hap me të në rrugën e adhurimit, mbeteshin prapa. U qoftë falë shpirti im, atyre që mbetën në rrugë! Kurse ai veç ecte, pa ditur ç’është lodhja, pa ditur ç’është ndalesa. Sepse Zoti e kishte krijuar veç të ecte para, veç të printe. Në Miraxh, edhe Xhebraili kishte dalë në udhëtim me të, por pas njëfarë vendi, edhe ai kishte ndaluar. Kishte ndaluar e i ishte kthyer profetit: “Ec, o Dërguari i Zotit! Rruga është jotja!” Sepse ai i tillë ishte, thua se ishte në maratonë edhe me engjëjt. Ai ndodhej në kulmin e vetëdijes së adhurimit, në majë të yllësisë së lutjes, vështronte madhështinë e lartësinë e Zotit që nga më i larti i horizonteve dhe i mbushej shpirti me përkushtim. Me një dëshirë të sinqertë, ai thoshte: “Nuk të njohëm dot si e meriton dija Jote Sublime, o i Gjithëdijshëm!” Kështu thoshte, i dëshpëruar që nuk arrinte ta njihte si duhet Zotin e vet. Ja, kjo e tija, është njohja e vërtetë. Siç thotë Ebu Bekri: “Të kuptosh se nuk je i zoti ta kuptosh, ky është konceptimi i kuptimit e i njohjes.” Dhe i dëshpëruar në horizontin e vet të shenjtë, thoshte: “A nuk ka më?”
1. Tirmidhi, Tefsiru-l Kuran, 3
2. Tirmidhi, Dua, 1
* rob
3Dejlemi el-Firdevs, 21/224.