Para se të kalojmë në kuptimin e përgjithshëm të veprimtarisë edukative të Profetit dhe në trajtimin edukativ të njerëzve nga ana e tij, le të përpiqemi ta analizojmë shkurt ajetin e mëposhtëm që do ta ndriçonte këtë temë, sepse është e pamundur për ta kuptuar plotësisht kulmin e arritur prej tij në edukim, pa ditur se me ç’njerëz u mor dhe kushtet në të cilat i Dërguari i Allahut e zhvilloi veprimtarinë e tij edukative. “(Allahu) zgjodhi dhe dërgoi mes analfabetëve një profet që u lexon ajetet, i pastron dhe u mëson librin dhe urtësinë, kurse ata më parë ishin në një rrugë krejt të shtrembër!”
Njerëzit e asaj dite nuk dinin gjë për Allahun, nuk e njihnin atë. Ata ishin të paditur, injorantë e të egër. Në zemrat e tyre Allahu nuk shfaqej as si “Ai”. Ata nuk e njihnin Allahun as si një person të tretë të papërcaktuar. Ata ishin shumë shumë larg Allahut. Pastaj, në ajet thuhet se ata ishin analfabetë, s’dinin shkrim e këndim. Një bashkësi e pamësuar, injorante është një grumbull njerëzish shumë të vështirë për t’u marrë vesh me ta, megjithatë, duke dërguar mes tyre një profet me zemër të madhe e me shpirt të gjerë, Allahu nxori nga ato turma të egra gjenitë që do ta administronin dhe drejtonin botën!
Ndërsa Allahu u jepte penës, leximit, librit rëndësi të madhe para çdo gjëje tjetër, ata ndodheshin shumë larg tyre. Megjithëkëtë, Allahu e zgjodhi të dërguarin e Tij që do ta çonte mes tyre, nga mesi i tyre, pra, si ata, që s’dinte as shkrim e as këndim. Por ai kishte vetëm këtë gjë të përbashkët me ta, sepse nuk ishte as pagan, as politeist, pra, në bindje nuk kishte asgjë të përbashkët me njerëzit mes të cilëve jetonte. Në fakt, ai duhet të ishte i pamësuar, sepse mësuesi i tij do të bëhej Allahu. Ai do t’ia hapte rrugën e mësimit, do ta veçonte prej tyre të dërguarin e Tij që s’kishte marrë arsim, do ta përgatiste dhe do ta bënte mësues të atyre njerëzve të pamësuar.
Megjithëse para ardhjes së të Dërguarit të Allahut, ata lundronin në injorancë, bestytni dhe perversitet, Allahu do t’i pastronte, do t’i edukonte dhe do t’i përgatiste, siç edhe ndodhi, dhe të gjitha këto ai i bëri me dorën e një profeti që s’dinte shkrim e këndim! Në radhë të parë ai u mësoi librin, Kur’anin. Ky libër, ashtu siç bashkoi rreth vetes një bashkësi dhe e lartësoi njerëzimin në vlerat njerëzore dje, edhe në të ardhmen, brezat e ndriçimit do t’i lartësojë drejt përsosmërisë. Të gjitha mendimet që në ditët tona pandehen si origjinale, do të shuhen e mbarojnë një e nga një dhe Kur’ani do të mbetet i vetmi libër që do të mund t’u thotë diejve: “Mos perëndoni, jam unë!” Në botën objektive vetëm flamuri i tij do të valëvitet dhe të gjithë brezat do t’i këpusin zinxhirët e robërisë të lidhur për qafe e do të vrapojnë tek ai.
Ja, shihni sesi po shemben një e nga një perandoritë e së keqes, kurse Kur’ani, pavarësisht nga çdo pengesë, del në shesh si prushi nën hi dhe një botë e madhe e besimit te Allahu si Zoti i vetëm i gjithësisë, po ringjallet përsëpari. Me gjithë dhunën, padrejtësinë, shtypjen dhe mashtrimin e ushtruar mbi të, shpirti islam, me tërë rininë dhe freskinë e tij, po e tregon veten në të katër anët e botës dhe po zgjon interesim në zemra!
Allahu ia mësoi Librin të Dërguarit të tij famëmadh me qëllim që ai t’ua drejtonte njerëzve egot për nga e mira, që t’i lartësonte njerëzit në vlerat njerëzore, që, me anë të edukatës njerëzore, t’i drejtonte në rrugët për t’u bërë njerëz të përsosur dhe t’i bënte njerëzit ta përjetonin shpirtërisht edhe ata miraxhin ku qe ngjitur dhe që e pati përjetuar vetë, duke ua treguar rrugët e kësaj, edhe pse umeti i tij përbëhej prej njerëzish që më parë kishin qenë zhytur në injorancë, bestytni dhe perversitet! Po të dojë, Allahu e bën qymyrin diamant, dheun, flori. Ata njerëz zemërzinj Allahu i ktheu në diamantë vezullues. Brezi i Artë i Epokës së Bardhë i formuar nga Allahu me dorën e të Dërguarit të Tij, edhe sot e kësaj dite t’i merr sytë nga shkëlqimi! Po, është Allahu që e ka bërë këtë punë me dorën e Profetit Muhamed si argjendar dhe saraf. Me këtë konsideratë mund të thuhet se është Profeti Muhamed Mustafa, ai që e ka lartësuar njerëzimin në përsosmërinë njerëzore dhe që vetë ka kapur majën e përsosmërisë njerëzore!
Pastaj, njerëzit, kudo që të jenë ngjitur me krahët e pastrimit dhe purifikimit shpirtëror, me krahët e devocionit, me krahët e afërsisë ndaj Zotit dhe me krahët e shenjtërisë, kanë parë atje të valëvitet flamurin e Profetit Muhamed Mustafait. Dhe kudo që të kenë kaluar, kanë parë se para tyre aty ka kaluar Profeti Muhamed dhe kanë ndaluar në qëndrim respekti ndaj tij!
Është gabim ta mendosh edukimin e të Dërguarit të Allahut vetëm në formën e pastrimit të egove. Ai pati ardhur me një sistem edukimi universal dhe pati paraqitur një mesazh që do t’i lartësonte të gjitha zemrat, të gjithë shpirtrat, të gjitha mendjet, të gjithë egot në qëllimin e tyre të përfytyruar. Ja, këtë e shprehin edhe të vërtetat universale të Kur’anit. Ai do t’u dilte për zot mendjeve të njerëzve, do t’i nxiste mendjet dhe, duke u dhënë dimensione revelative, do t’i çonte gjer në pikën fundore ku mund të shkojë mendja. Pastaj do t’i rrokte shpirtrat dhe do t’i orientonte në drejtim të sublimes shumë më në krye të atyre që e kanë bërë profesion edukimin e shpirtrave, dhe do t’i shëtiste zemrat në majat e blerta si parajsë të atyre botëve, për të cilat zemrat janë të dëshiruara! Po kështu, do t’i merrte në dorë ndjesitë njerëzore dhe do t’u jepte krahë duke i çuar edhe atje ku përfytyrimi s’arrinte dot. Në të njëjtën kohë, nxënësve që i kishte lartësuar në ndjenja e në shpirt, do t’u hapte fletë më fletë dyert e ekonomisë, sociologjisë, administrimit, politikës, artit ushtarak, dyert e të gjitha diturive dhe shkencave, do t’i bënte ata administruesit më të përsosur, ekonomistët më të zgjedhur, politikanët më të suksesshëm dhe strategët ushtarakë më gjenialë. Po, i Dërguari i Allahut erdhi me një kauzë universale dhe, në një aspekt, dha mësime ekonomie, në një aspekt, mësime finance, në një aspekt, mësime administrimi e qeverisjeje, në një aspekt, mësime arsimimi e edukimi, në një aspekt, mësime drejtësie dhe, në një aspekt tjetër, mësime të drejtësisë juridike shtetërore e ndërkombëtare. Shkurt, me mesazhin që solli ai, përfshinte në mikroplan zhvillimin e sotëm në tërësinë e tij. Sigurisht, nëse sot, në një anë të këtij botëkuptimi edukativ të marrë prej tij si bazë e të ofruar njerëzimit, do të kishte ndonjë të metë të lehtë, qëllimi final i ardhjes së tij nuk do të vërtetohej plotësisht. Kurse ai ju thotë pak a shumë kështu: “Secili nga profetët e ardhur gjer tani ndërtuan një pjesë të kësaj ndërtese të shkëlqyer, pra, duke lënë gjithmonë diçka mangët. Çdokush që vinte, thoshte: “Vallë, kur do të plotësohet dhe mbarojë kjo?” Kurse unë po ju them: Ja, unë jam ai që e plotësova dhe e mbarova! Ndërtesës nuk i ka mbetur më asnjë mangësi!”[1]
Duke e mbështetur Profetin në lidhje me këtë çështje, Kur’ani thotë: “Sot e plotësova për ju fenë tuaj!” (Maide, 5:3) Po, i Dërguari i Allahut erdhi për të plotësuar mangësitë. Pas kësaj, ata që kanë kërkuar mangësi në mesazhin e parashtruar prej tij dhe në parimet e sjella prej tij, do të bënin më mirë sikur të kërkonin mangësitë në kokat dhe boshllëqet në shpirtrat e veta. Ai ishte një plotësues, reformues, përmirësues dhe përsosës. Ai i drejtoi dhe përmirësoi gjërat e shtrembra, i plotësoi gjërat e mangëta dhe i përsosi gjërat e mbetura gjer atë ditë pa u përsosur.
Se sa i madh mund të jetë një edukator, e shohim në këto veçori.
- Lartësimi i shpirtit, unit dhe mendjes
E para është lartësimi i shpirtit, unit (egos) dhe mendjes në pikën më të lartë, gjë që, siç dëshmon historia, e ka realizuar Profeti Muhamedi me nxënësit dhe ndjekësit e tij me favorin e Allahut. Ai i pati çuar ata gjer në pikën e fundit ku mund të arrijnë mendja, uni (egoja) dhe shpirti.
Në Kur’an bëhet fjalë për unin orientues drejt të keqes[2] që e mban njeriun vazhdimisht nën presion dhe e çon ku të dojë, për rrjedhojë, njeriu, në vend që të bëhet, me ndjenjat dhe mendimet e tij, njeri i shpirtit, kthehet në njeri trupi, lënde e materieje. Ja, nga e keqja e këtij uni qe mbështetur Hz. Jusufi (a.s.) te Allahu dhe pati thënë: “Pa dyshim, uni urdhëron me forcë të keqen dhe shpëton vetëm ai, të cilin e mëshiron Allahu!” (Jusuf, 12:53) Uni është në vetvete urdhërues drejt të keqes, megjithëkëtë, shpëtimi prej tij që është si dalja dhe shpëtimi prej një grope të thellë si Deti i Kripur, është krejt i mundur. Ja, me këto gjendje e trajton Kur’ani unin dhe thotë kështu: “O ti vete (unë, ego) e kënaqur, kthehu te Zoti yt, ti me pëlqim prej Tij dhe Ai me pëlqim prej teje!” (Fexhr, 89:27-28) Kur’ani bën fjalë veçanërisht edhe për unin urdhërues i së keqes që ndryshon duke u kthyer në unë vetëgjykues (e vetëkritikues)[3]. Madje, duke e pranuar këtë gjendje si një gradë, Kur’ani betohet në unin vetëkritikues: “Betohem në unin (veten, egon) që vetëgjykon e vetëkritikon!” (Kijame, 75:2)
Është edhe uni i kulluar[4]. Ky është një atribut i posaçëm i njerëzve të afërt të Allahut dhe ata që e bartin këtë atribut, janë aq të pastër e të kulluar, sa që kush i sheh ata, i duket sikur sheh dhe sodit Allahun. I tillë është uni i Profetit Muhamed! Dhe ai ka sjellë në gjendjen e unit të kulluar edhe shumë kapacitete të përshtatshëm për këtë, brenda kuadrit të gradëve të tyre dhe me sa e kanë lejuar mundësitë e tyre. Duke e pastruar dhe purifikuar unin, i Dërguari i Allahut tregoi synimet më të larta ku mund të ngjitej dhe, me bujarinë e Zotit, e ngjiti gjer atje. Kjo tregon se ai ishte i pashoq edhe në edukim. Kur shohim shekullin e shquar të Profetit Muhamed (s.a.s.) në lidhje me tregimin nga ana e tij të pikës së fundit ku mund të arrijnë mendja dhe uni, vëmë re se ai nuk pati lënë boshllëk as në edukim në mesazhin që pati sjellë.
- Karakteri universal i kauzës së tij
E dyta është përsosmëria e edukatorit, ajo matet me gjerësinë e kauzës së tij dhe përmasat sasiore e cilësore të partnerëve dhe ndjekësve të tij. Profeti Muhamed ishte ende në jetë kur mësuesit dhe prijësit e përgatitur prej tij ishin gati ta përhapnin të vërtetën në një hapësirë shumë të gjerë, nga Maroku në Kinë. Mendoni që atë ditë, Profeti Muhamed ishte i vetmi edukator e mësues në tërë këtë hapësirë! Popujt, fiset, bashkësitë dhe grupimet etnike të larmishme si një Kullë Babilonie që përbënin banorët e kësaj hapësire, me sistemin hyjnor të sjellë prej tij, u gjenin shërim të gjitha halleve të tyre dhe njerëzit me natyra dhe temperamente të ndryshme e të rritur në kultura të ndryshme, vraponin tek ai dhe e pranonin atë pa lëkundje, me të gjitha gjërat që kishte sjellë e thoshte. Kjo do të thotë se parimet edukative të sjella prej tij ishin universale, të tilla që mund t’u përgjigjeshin dhe t’u jepnin zgjidhje të gjitha kërkesave të njerëzimit. Kështu që Profeti Muhamed (s.a.s.) është edukatori me ndikimin më të madh i të gjitha kohërave dhe se, ndikueshmëria e tij edukative, është më e madhja e të gjitha kohërave! Në mënyrë të veçantë, ne, vlerën dhe madhësinë e edukatorit e kërkojmë në qëndrueshmërinë e parimeve edukative të sjella prej tij. Dhe shihni, tani, që, megjithëse kanë kaluar kaq kohë, shumica e atyre që janë edukuar me edukatën e Profetit Muhamed, janë të nivelit që t’i kenë zili engjëjt dhe parimet edukative të tij janë edhe sot të mjaftueshme për të përgatitur njerëz të tillë.
Një herë, le të mendojmë se Profeti Muhamed del nga mesi i një popullsie beduine, nomade, tejet të egër, që ua kalonin në egërsi kafshëve të egra. Dhe nga kjo popullsi tejet beduine, tejet të egër, tejet kriminele e tejet të frikshme, përgatit njerëz engjëllorë që do ta qeverisnin botën për shekuj me radhë! Kjo do të thotë se mesazhi i paraqitur prej tij ishte i mjaftueshëm për ta shpëtuar njerëzimin me një hop, me një frymë! Personalisht, mua s’më pëlqejnë përshkrimet e këqija dhe s’dëshiroj të bëj përshkrime të tilla, por nuk do të bëj dot pa parashtruar disa fragmente që tregojnë për rënien morale të shoqërisë në kohën kur doli Profeti Muhamed.
Profeti Muhamed u shfaq në një bashkësi shoqërore ku egërsia ishte bërë pjesë ose karakteristikë e natyrës së tyre. Ata pinin alkool, luanin bixhoz, kurvëronin krejt hapur dhe asnjërin nga këto veprime nuk e quanin turp. Kurvërimi dhe prostitucioni ishin bërë pothuaj legale. Për këtë kishte shtëpi të caktuara, në dyert e të cilave valëviteshin flamurë si shenja treguese.[5] Poshtërsia ishte e një niveli të tillë që duhej ta bënte njeriun të kishte turp që ishte njeri. Dhe sa e sa gjëra të tjera që më vjen turp t’i përshkruaj… Në mënyrë të veçantë, ata njerëz ishin në karakter aq gjaknxehtë e të nxituar, sa mund të shpërthenin furtunë në një gotë ujë! Ishte pothuaj e pamundur t’i bëje këta njerëz të ndjenin ngrohtësi ndaj njëri-tjetrit, t’i afroje ndaj njëri-tjetrit, t’i bashkoje e t’i ndërthurje me njëri-tjetrin. Siç shprehet M. Akif Ersoj, po të mbetej pa dhëmbë dikush, e hanin të vëllezërit! Intriga dhe provokimi ishin një sëmundje në dukje e pashërueshme që e kishte mbështjellë tërë Gadishullin Arabik. Atje ekzistonte çdo e keqe që mund t’i shkojë njeriut nëpërmend. Dhe dukej krejtësisht e pamundur që ata ta dëgjonin Profetin Muhamed! Mirëpo ai ua shkuli atyre një e nga një veset dhe cilësitë e këqija dhe ua hodhi atje ku s’mund t’i gjenin më! Pastaj i pajisi ata me moralin më të lartë dhe me vetitë më të mrekullueshme duke dalë, brenda një kohe shumë të shkurtër, bashkë me ta, në ballë të botës, madje, duke u bërë mësues për botën!
Po, ai ndërtoi prej një bashkësie beduine e të egër, një shoqëri të qytetëruar që edhe sot mbetet e tillë, që s’mund t’i afrohesh as tek thembrat! Prandaj, me plot të drejtë, Molieri thotë kështu: “Është e pamundur të tregosh një shoqëri më të papërshtatshme për t’u përmirësuar se shoqëria e Muhamedit dhe është gjithashtu e pamundur që një shoqëri të tillë të papërshtatshme ta përmirësosh, reformosh dhe ta bësh njeri brenda një kohe kaq të shkurtër prej 23 vjetësh! Dhe kjo i ka takuar vetëm Muhamedit!” Kurse një tjetër personalitet perëndimor thotë kështu: “Njerëzimi ka arritur 25 % të lartësimit të paracaktuar për të nga dita e parë e ekzistencës gjer në kohën e Muhamedit. Në kohën e tij, kjo shifër u ngjit vertikalisht e u bë 50 %. Pastaj, të gjitha përpjekjet e treguara nga koha e tij e gjer më sot e kanë ngjitur nivelin e lartësimit të njerëzimit vetëm gjer në 75 %!” Sipas këtij pohimi të sinqertë, fryti i përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë profetëve dhe filozofëve dhe të të gjithë burrave të mëdhenj të shtetit dhe shkencëtarëve nga Profeti Adem gjer te Profeti Muhamed, është diku afër frytit të arritur nga Profeti Muhamed brenda 23 vjetëve! Pas tij, në katërmbëdhjetë shekujt pasues gjer më sot, me gjithë zhvillimet shkencore e teknologjike, njerëzimi ka arritur një rezultat vetëm 25 %, kurse 25 përqindëshi i mbetur do të realizohet këtej e tutje në pastë jetë bota! Ja, ky është Profeti Muhamed! Dhe shërbimi i tij ndaj njerëzimit është i hapur për ndërgjegje të tilla të shëndosha e të qeta. Në lidhje me këtë temë, Enciklopedia Britanike thotë kështu: “Gjatë historisë së njerëzimit kanë ardhur reformatorë shumë të mëdhenj. Mes tyre ka edhe profetë. Të gjithë këta kanë arritur disa suksese. Por sukseset e arritura nga Muhamedi nuk mund t’i shohim te asnjëri prej tyre!” Gjithashtu, ndër personalitetet perëndimorë, një kërkues dhe studiues i matur thotë kështu: “Çdo njeri i madh ka lënë një gjurmë pas. Profetët kanë lënë gjurmët e tyre, reformatorët kanë lënë gjurmët e tyre, novatorët kanë lënë gjurmët e tyre dhe burrat e mëdhenj të shtetit kanë lënë gjurmët e tyre. Janë edhe gjurmët që ka lënë Muhamedi, por, të tilla që, kur flitet për gjurmë, të shkojnë ndërmend vetëm gjurmët e tij, me të cilat nuk mund të krahasohet asnjë gjurmë tjetër!” Dhe ky studiues është një njeri që ka marrë çmim në shkencë. Edhe miku e pohon, edhe armiku e pohon…
Allahu na e përshkruan veten me këto atribute: “… Ai e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla…” (En’am: 6:95) Allahu është ai që nga gjërat e ngurta e pa jetë nxjerr gjëra të gjalla. (U jep jetë gurit e dheut dhe te karboni tregon nuancat e diamantit.) Me këto atribute të shkëlqyera, të jashtëzakonshme e marramendëse, Allahu sikur i jep ngushëllim e qetësi Profetit Muhamed (s.a.s.). Në atë shkretëtirë të egër, në Gadishullin Arabik, mes atyre beduinëve, Profeti Muhamed ka marrë në dorë gurin, dheun, qymyrin, bakrin dhe prej tyre ka nxjerrë ar të pastër në personat e Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit, Aliut, Halidit, Ukbe bin Nafiut, Tarik bin Zijadit, etj., etj. (Allahu qoftë i kënaqur me ta përjetësisht!)
Gjer në çastin kur Profeti do të shfaqej në atë mjedis me profetësinë e tij dhe bashkëkohësit do të njiheshin me këtë profet të madh e të shkëlqyer, ata gjithsesi kishin mundësitë e tyre mendore, ndjesore, shpirtërore dhe ndërgjegjësore si dhe forcat dhe dhuntitë e tyre. Profeti kurrsesi nuk i cungoi mundësitë dhe dhuntitë e tyre. Ndoshta i vuri në punë dhe i zhvilloi më tej ato duke i zëvendësuar me mundësi, forca dhe dhunti më të fuqishme e më të mrekullueshme. Siç thotë një mendimtar i madh, shembulli më i bukur i kësaj është Omeri para Islamit dhe Omeri pas Islamit! Omeri para Islamit ishte një njeri i hapur dhe i prirur për t’u bërë i madh. Sjelljet dhe veprimet e tij të fëmijërisë, si garat e ndryshme të forcës me të tjerët, zëniet, përkulja e qafës së deveve dhe futja e kokës së tyre nën shalë, kanë rëndësi për të kuptuar se ç’embrione ndodheshin tek ai. Kurse Omeri pas Islamit ishte një njeri i butë e i ndjeshëm që nuk shkelte milingonën, që nuk vriste karkalecin! Aq i dhembshur ishte dhe aq përgjegjësi të gjerë ndjente si kalif, saqë thoshte: “Sikur të bjerë një qengj në Eufrat e të mbytet, Allahu i kërkon llogari Omerit për të!”[6] Ja, pra, Omeri dhe të tjerët si ai qenë ngjitur në këtë nivel duke u shndërruar në mbinjerëz në sajë të edukatës së marrë prej të Dërguarit të Allahut! Po, të tillë njerëz nxirrte i Dërguari i Allahut nga ajo bashkësi beduine, e egër dhe fanatike në zakonet e veta që u qenë ngulitur në gjak!
Tani, le ta zgjerojmë edhe pak temën me një shembull të thjeshtë. Një zakon të vogël si duhani nuk mundemi ta heqim megjithëse përdorim të gjitha mundësitë e shtetit. Jo vetëm që s’e heqim dot, por nuk po e ulim dot në një nivel normal rritjen e shpejtë të përdorimit të duhanit! Kjo punë qëndron kështu jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën. Ndërkaq, çdo ditë mbahen fjalime e biseda kundër duhanit, organizohen simpoziume, zhvillohen konferenca. Bota e shkencës, në përgjithësi, dhe e mjekësisë, në veçanti, thonë njëzëri se duhani bëhet shkak për kancerin e laringut, trakesë, hapësirës së gojës, etj. dhe statistikat tregojnë për përqindje që arrijnë në shifrat 95%. Megjithëkëtë, të gjitha përpjekjet nuk arrijnë dot t’i bëjnë njerëzit të heqin dorë prej këtij vesi të keq! Kurse në kohën e Profetit, kur dhjetëra e dhjetëra zakone të këqija si duhani u kishin hyrë në gjak njerëzve duke u bërë natyrë e dytë e tyre, Profeti ua shkuli me rrënjë të gjitha ato zakone dhe me një hop, me një frymë, duke u ngulitur zakone krejt të tjera, të bukura, duke e dhënë atyre një natyrë që do t’ua kishin zili edhe engjëjt në qiell! Kush i shihte ata, thoshte: “Zoti ynë! Këta nuk janë engjëj, megjithëkëtë, janë qenie më të përsosur se engjëjt!” Kur do të jenë duke kaluar ata nëpër Sirat dhe kur drita dhe bukuria e shpirtit të tyre do ta mbështjellë gjithkahjen sa ta shuajë xhehenemin, të gjithë engjëjt, të ngrirë nga habia dhe mahnitja, do të thonë: “Këta të rinj, mos janë profetë, mos janë engjëj?” Kurse ata s’janë as profetë, as engjëj, janë vetëm umeti i Profetit Muhamed, të rritur e të përgatitur nën edukimin e tij!
Abdullah b. Mes’udi ishte një njeri që ruante dhentë e Ukbe b. Ebi Muajtit.[7] I Dërguari i Allahut e mori në rrethin e vet të edukimit dhe prej atij bariu nxori një prijës të tillë që mund të thuhet se shkolla e Kufes është vepra e këtij sahabeje të famshëm. Mendoni që njerëz si Alkame, Neahi, Hammad, Thevri, Ebu Hanife e të tjerë janë nxënës të po kësaj shkolle. Këta njerëz të mëdhenj, secili një kulm në fushën e vet, dijenitë e tyre në një masë të madhe i kanë marrë nga burimi i Ibni Mes’udit. Ja, të tillë gjeni përgatiste i Dërguari i Allahut nga njerëzit që gjer atë ditë kur i kishte marrë ai në dorë, kishin kullotur bagëtitë!
Janë disa dijetarë të mëdhenj islamë që e kanë preokupuar prej kohësh botën shkencore perëndimore. Secili prej tyre janë është objekt studimi i vëllimeve të tëra. Njëri prej tyre është Imam A’dhami Ebu Hanife, i famshëm në fushën e jurisprudencës. Sipas një mendjeje të madhe, Soloni dhe Hamurabi mund të jenë vetëm çirakë të tij! Po kush është Ebu Hanife? Nxënësi i nxënësit të nxënësit të Ibni Mes’udit, ish çobanit dhe, pastaj, nxënësit të Profetit! Na ruajttë Zoti! Të mos pandehet se po e tregoj të vogël Ebu Hanifen! Qëllimi i fjalëve të mia është të shpreh madhështinë e mjeshtrit të mjeshtërve! Është në sajë të edukimit dhe përgatitjes së Profetit që nga këta njerëz që s’ishin asgjë, kanë dalë njerëz që janë bërë gjithçka! Nga i vdekuri është nxjerrë një njeri i gjallë dhe nga qymyri (karboni), diamanti!
Është përsëri në sajë të asaj edukate që, një skllav nga fiset berbere e pati kapërcyer konstelacionin e Herkulit, e pati ndërruar emrin dhe u pati treguar botëve detare gjëra që s’i kishin dëgjuar gjer atë ditë, duke parashtruar dhe ekspozuar gjëra të mrekullueshme që e kapërcenin mundësinë konceptuese të tyre. Gjer në çastin kur u njohën me muslimanët, europerëndimorët nuk i njihnin gjëra të tilla si nënvleftësimi i jetës, dëshira për të rënë dëshmor, dëshira për të vdekur. Prandaj perëndimorët nuk e patën kuptuar dot dhe ishin hutuar atë ditë kur Tariku kaloi Gjibraltarin[8] dhe vuri këmbën në Spanjë, kur, pasi ushtria e tij shkeli e tëra në tokën spanjolle, ai dha urdhër dhe i dogji të gjitha anijet me të cilat kishte ardhur gjer aty, kur me një repart zbulimi 5 mijë vetash, ishte përleshur me ushtrinë spanjolle 90 mijë vetash dhe kur ai s’binte moralisht dhe s’e humbte perspektivën edhe në kushtet më të pafavorshme! Para një armiku 20 herë më të madh në numër, ai i pati mbledhur ushtarët e tij e u pati thënë kështu: “Ushtarët e mi! Para keni një armik si një det, kurse pas keni një det armik. Ose do të ikni dhe do të vdisni me turp duke u qëlluar nga pas e duke u mbytur në det, ose do të fitoni duke luftuar dhe do të bashkoheni me Allahun!” Historiani na tregon se vetëm brenda disa orësh, Tariku dhe ushtria e tij dolën fitimtarë mbi turmat e pafund të ushtrisë spanjolle të shtrirë për tokë! Pastaj Tariku shkoi dhe e ngriti selinë në Toledo, në pallatin ku ndodheshin thesaret e mbretit! Dhe shiheni, tani, se ku ka arritur skllavi i djeshëm! Shiheni dhe përpiquni të dalloni thellësinë e kuptimit që u fryu Islami shpirtrave! Tariku ka vënë këmbët mbi thesarin e mbretit dhe thotë me vete: “O Tarik! Dje ishe një skllav me kular në qafë, kurse Allahu të dha lirinë dhe pastaj u bëre komandant! Sot ke triumfuar mbi Spanjën dhe ndodhesh në pallatin e mbretit, por mos harro se nesër do të dalësh para Allahut!” Aman, o Zot, ç’mendim i thellë, ç’mendim i madh! Në fakt, te njerëzit e shtresës së ulët, kur ngjiten lart dhe pësojnë ndryshime të tilla, shfaqet kompleksi i inferioritetit i cili i bën agresivë. Ata mbahen më të madh, fryhen dhe vazhdimisht kërkojnë t’ua tregojnë të tjerëve veten. (Këtë e shohim shpesh te njerëz të tillë që, pasi hipin në fuqi, u bien në qafë popujve.)
Kurse me Tarikun s’ndodhte kështu! Ç’edukatë kishte marrë, vallë, ai, që, si një skllav që kishte qenë, pritej të rrëmbehej nga ndjenjat, kurse ai vazhdonte të mbetej jashtëzakonisht dinjitoz dhe po aq vetëkërkues!
Një tjetër personalitet i rritur dhe përgatitur nën edukimin e Profetit, Ukbe bin Nafi, pasi e pushtoi tërë Afrikën dhe arriti në breg të Oqeanit Atlantik, donte të shkonte më tej dhe erdhi në vete kur uji i arriti në gjunjët e kalit. Atëherë, me fytyrën drejtuar kah qiejt dhe ndjenjat, në botët përtej, shprehej kështu: “Allahu im! Sikur të mos më kishte dalë para ky det errësire, emrin tënd burim drite do ta shëtisja gjer në fund të botës duke e çuar në botët e tjera përtej detit!”[9] Në lidhje me këto fjalë, Abdylhak Hamit thotë kështu: “Nuk e di, a këto fjalë të Ukbe bin Nafiut buçisnin më shumë në qiej, apo zërat e shpirtrave në qiell?”[10] Sipas meje, edhe engjëjt e kishin të njëjtën dëshirë, por Ukbeja ishte tjetër, ishte nxënës që kishte marrë mësime në shkollën e Profetit Muhamed Mustafait (s.a.s.), ishte një ndër nxënësit e edukuar dhe përgatitur prej tij!
Profeti i pati marrë dhe trajtuar njerëzit me të gjitha kapacitetet mendore, ndjesore e ndërgjegjësore pa ua cunguar, përkundrazi, duke ua nxitur dhe, kështu, nxori nga njerëzit me natyrat më të këqija, njerëz me natyrat më të mrekullueshme! Dhe fakti që pati vepruar aq drejt dhe me aq sukses në të gjitha kapacitetet, mund të shpjegohet vetëm me profetësinë e tij, sepse në veprimtarinë e tij nuk qe parë asnjë stonaturë!
[1] Buhari, Menakib, 18; Muslim, Fedail, 20-23; Musned, 2/257, 398.
[2] Në origjinal: nefsi emmare.
[3] Në origjinal: nefsi levvame.
[4] Në origjinal: nefsi safije.
[5] Buhari, Nikah, 36; Ebu Davud, Talak, 33.
[6] Taberi, Tarih, 5/195; Ebu Nuajm, Hilje, 1/53; Ibn Sa’d, Tabakat, 3/305.
[7] Musned, 1/379; Ibni Sa’d, Tabakat, 3/150.
[8] Fjala Gjibraltar vjen nga arabishtja Xhebel el Tar(ik), Mali i Tarikut. Ngushtica e Gjibraltarit mori këtë emër nga komandanti i famshëm arab Tarik që e kaloi atë, i dogji të gjitha anijet duke e prerë rrugën e kthimit dhe u hodh në Spanjë.
[9] Ibni Ethir, el-Kamil fi’t-Tarih, 4/106.
[10] Abdylhak Hamid Tarhan, fragment nga drama mbi Tarikun.