Kur arriti moshën madhore, Hatixhja ishte një kandidate për bashkëshorte, me të cilën shumë burra të rinj e fisnikë donin të martoheshin. Në të vërtetë, kush nuk donte të martohej me një grua si ajo? Sa i përket prejardhjes, ajo vinte nga një familje fisnike dhe me pushtet; sa i përket pozitës shoqërore, ajo i përkiste një familjeje të respektuar dhe për së mbari. Ajo ishte gjithashtu e afrueshme dhe inteligjente, dhe sjellja e saj tregonte maturi dhe ekuilibër. Bashkëshorti i saj i parë ishte Ebu Hala Hind ibn Zara. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër Ebu Hala vdiq duke i lënë Hatixhes një pasuri shumë të madhe. Nga martesa e tyre lindën 2 djem të quajtur Hind dhe Hala.
Hindi qëndroi pranë nënës së tij gjatë gjithë kohës, edhe kur ajo u martua me Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të. Kështu që ai do të edukohej nën mbikëqyrjen e Profetit Muhamed dhe do t’i jepej titulli “Rabibu Resulullah”, “i edukuar nga Profeti”.
Hindi mori pjesë në krah të Profetit në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. Pas vdekjes së Profetit, ai ishte gjithashtu në radhët e ushtrisë së Kalifit të katërt, Ali ibn Ebu Talib, në Betejën e Xhemelit ku edhe ra shehid në përpjekjen për të vendosur drejtësinë.
Hindi, i cili jetoi një jetë të pashembullt në çdo aspekt, ruajti dhe transmetoi kujtime të çmuara. Ai u kujtoi dhe përshkroi në detaje pamjen fizike të Profetit, moralin e tij shembullor dhe kujdesin e tij ndaj Hasanit, djalit të Fatimes, kur Hasani donte të dëgjonte për gjyshin e tij, Profetin Muhamed. Në fakt, si përpara edhe pas vdekjes së Profetit paqja qoftë mbi Të, përderisa Hindi jetoi me të, ai nuk kishte vështirësi ta përshkruante Profetin, ndërsa njerëzit e tjerë e kishin të pamundur ta shihnin drejt në sy Profetin për shkak të madhështisë dhe bukurisë së tij.
Pas vdekjes së Ebu Halas, Hatixhja u martua me Atik ibn Aidhin nga fisi Beni Mahzum. Megjithëse, edhe kjo martesë, ishte e destinuar të mos zgjaste shumë. Atik ibn Aidh vdiq pak kohë më pas, duke lënë një vajzë të quajtur Hind.
Hindi, e cila iu la në kujdes Hatixhes, qëndroi me nënën e saj deri sa arriti moshën madhore dhe u martua me Safij ibn Umejen nga fisi Beni Mahzum. Nga kjo martesë Hatixhja pati një nip të quajtur Muhamed. Prej këtu e tutje, Muhamedi, i biri i Hindit dhe pasardhësit e tij, do të kujtoheshin si “bijtë e Tahiras” – bijtë e të dëlirës.