Koha për t’u hapur përreth

profetimuihamed.net-1.jpg

I Dërguari i Allahut, i Cili nuk reshti asnjëherë së kumtuari njerëzve të Tij, bijve të Abdulmutalibit, po e zgjeronte sa vjen e më shumë rrethin e Tij të kumtesës së Fjalës së Allahut. Tani Ai shkonte për t’u falur haptas në Qabe; i ftonte njerëzit në Islam, e u lexonte atyre ajete kuranore. Njësoj si profetët e ardhur para Tij, edhe Ai thoshte:
– O populli im! Hajdeni, dorëzojuni edhe ju Zotit që është i vetëm.
Kësodore, përpiqej që ndërmjet robërve dhe Allahut të mos ngelej kurrfarë pengese artificiale. Si fillim, Ai vendosi të takohej me fiset që banonin aty afër. I Dërguari i Allahut përdorte çdo lloj mënyre të mundshme, e cila i dukej si e frytshme për t’i ndihmuar ata që të gjenin rrugën e drejt që të rrëfente feja islame. Mundohej, që me sa të mund, t’ua përçonte edhe atyre pasuritë e pashoqe të zemrës së Tij. Herë-herë, Ai mendonte për grupe më të mëdha njerëzish, duke i ftuar ata të mblidheshin në një vend, nga ku do ta kishte më të lehtë që t’u fliste. I pëlqenin përherë vendet ku njerëzit mblidheshin trumba- trumba, andaj nuk humbte kohë për t’u nisur pranë tyre, për t’i këshilluar edhe një herë më tepër:
– O njerëz, nuk ka dyshim se Allahu ju urdhëron të hiqni dorë nga besimi në fenë e të parëve tuaj!
Dhe, me të thënë Ai këtë fjali, gjindja sikur tërbohej, fillonte të turfullonte nga mllefi. Fytyrat ktheheshin andej nga vinte sakaq një tjetër zë kutërbues, për të parë se cili ishte ai që po fliste; dhe nuk e patën të vështirë, që me një tahmin të lehtë, ta gjenin se kush fliste. E kush mund të ishte tjetër pos Ebu Lehebit. Qielli errej, madje dukej sikur do të fitonte ngurtësim prej zemrës së gurtë të Ebu Lehebit. Ai Paqja qoftë mbi Të, ishte Profeti më i Madh i të gjitha kohërave, kështu që nuk mund të mposhtej që në kundërvënien e parë të Ebu Lehebit apo Ebu Xhehlit. Dukej sikur çdo pengesë, në vend që ta  frenonte, e shtynte më parë, ia shtonte atë dëshirën e brendshme për t’i këshilluar më ethshëm njerëzinë. Ishte vazhdimisht në kërkim të fytyrave të reja, të cilat dukeshin të etura për t’u njohur me të vërtetën.
Ja, një tjetër ditë, do ta shohim në Dhilmexhaz, ku gjatë një panairi që po organizohej atje, Ai u ngrit sërish e filloi t’u fliste të gjithëve:
– O njerëz, thoni “La ilahe il’lallah” dhe gjeni shpëtimin!
Veçse, teksa i thoshte këto, nuk ndihej plotësisht rehat, se saherë që Ai nisej të bënte diçka të këtillë, të fliste të vërtetën, e njëjta fytyrë e ndiqte me duart e mbushura kërcënueshëm me gurë, për ta goditur, Ebu Lehebi, xhaxhai i Tij dora vetë. Ai nisej me qëllimin e vetëm se mbase u tregonte ndonjë gjë këtyre njerëzve, ndërsa përgjigjja ishte gjakosja e gjymtyrëve, por pa kurrfarë uljeje të dëshirës për t’i parë edhe njëherë, ashtu grumbull, njerëzit, që t’u tregonte se kishte një Zot, dhe Ai ishte Ehad, Një dhe i Vetëm. S’kishte thënë ende, as fjalinë e parë madje, kur klima e Dhilmexhazit u prish nga zëri i shëmtuar i Ebu Lehebit. Siç duket huqi largohet vetëm me largimin e shpirtit nga trupi i një njeriu.
– O njerëz, mos e dëgjoni këtë njeri, është veç një gënjeshtar, – u thoshte njerëzve, Ebu Lehebi.
Ja, kjo po që ishte një gënjeshtër e vërtetë; Ai person që deri dje thirrej nga të gjithë si “I sigurti”, Ai njeri të cilit i dorëzonin pasurinë që t’ua ruante pa kurrfarë mëdyshjeje, që për më tepër ky njeri ishte vetë nipi i Ebu Lehebit, po e përbuznin dhe hidhnin çdofarë fjale mbi Të, vetëm e vetëm se thoshte gjëra që ecnin në drejtim të kundërt me qëllimet e tyre grykëse. Mundoheshin si e si, që me çdo lloj mënyre, ta kthenin në një person që të mos kishte sy t’u afrohej më vendit të tyre. Këto fjalë nuk është se do të tregonin efekt përherë, sepse do të vinte një ditë që njerëzit do të lodheshin, e askush nuk do t’u besonte më. Por ç’e do, se ajo që e mërziste më tepër Simbolin e Dashurisë Njerëzore Paqja qoftë mbi Të, e mërziste fakti se njerëzit do të vonoheshin edhe një ditë më shumë për të besuar te Zoti i Gjithëlavdishëm.

ilmihali

Share this post

scroll to top