Sihariqet në lidhje me ardhjen e Profetit të fundit nuk mbeteshin vetëm me Ibrahimin. Të gjithë profetët e tjerë, të ardhur që me Ademin, do të flisnin veç për Të. Të gjithë do të ndanin të njëjtën myzhde me popujt e tyre. Sepse kjo ishte një detyrë për ta. Allahu (xh.xh.) u kishte folur kësisoj, duke kërkuar që të gjithë t’i jepnin fjalën:
– Nuk ka dyshim se juve ju dhashë libër dhe urtësi. Më vonë, kur të vijë ai profet që do të vërtetojë librat tuaj, do t’i besoni dhe do ta ndihmoni Atë. A e pranuat këtë që ju thashë?
Ata iu përgjigjën të gjithë së bashku:
-Po, e pranuam.
Pas kësaj, Zoti tha:
-Atëherë jini të gjithë dëshmitarë! Edhe Unë jam dëshmitar bashkë me ju, – tha Ai, dhe vazhdoi, – Tashmë kush nuk e mban fjalën e dhënë, ta dijë se është prej atyre që kanë dalë nga udha e drejtë.
Zaten, Ai (s.a.s), ishte shpirti i parë i krijuar; që në atë kohë, në librin e parë i ishte vënë emri “Abdullah”, dhe kishte filluar të përmendej si “Hatemu’n Nebijjin” (Vula e Profetëve). Me sa duket bashkimi i trupit dhe shpirtit të ekzistencës do të ndodhte drejt fundit. Ashtu si majaja e Tij ishte e fshehur në brumin e Universit, do të ishte po Ai që do t’i vendoste vulën. Sepse Ai ishte krijesa e parë, Mbreti i Fundit.
Ai ishte sihariqi që shëtiste ndër gjuhë, andaj dhe informacionet e dhëna për Të, nuk shëtisnin vetëm në gojët e profetëve; Ai ishte gjithashtu tema kryesore e gjithë njerëzve të ditur, të cilët e kishin treguar tashmë përkatësinë e tyre pas Tij. Këta njerëz që e merrnin dritën prej trashëgimisë që i kishin lënë profetët, në çdo rast që gjenin e sillnin temën drejt këtij Individualiteti, dhe për misionin që mbartnin në shoqëri, ata kishin marrë përsipër detyrën për t’i informuar njerëzit në lidhje me ditët që do të pasonin.
Sidoqoftë Arabia, i cili ishte vendi ku do të lindte ky Profet, ishte kthyer tashmë në një qendër, ku këto biseda ishin më të dendura. Zejd bin Amri do të jepte jetën duke kërkuar për Të; Kus bin Saide, do të mërgonte drejt botës tjetër duke kërkuar po Atë, teksa në çdo panair që merrte pjesë ulërinte emrin e Tij. Mekasit do të dëgjonin po emrin e Tij në klithmat e Uaraka bin Neufelit, e kësisoj vetëm do të thureshin vargje lavdëruese për Udhëzuesin e Fundit që do ta ngrinte edhe njëherë në piedestal njerëzimin, tashmë thuajse të rrënuar.
Zaten, gjendja e përgjithshme, tregonte për një periudhë që po përjetonte nuancën më të zezë të errësirës. Ashtu si në Bizant nuk kishte mbetur më rehati shpirtërore, edhe tek Persët as që mund të bëhej fjalë për të gjetur pakëz shpresë. Kudo mbizotëronte një injorancë që po e përvëlonte botën, dhe Arabia ishte po ashtu e ndikuar prej kësaj rrënoje.
Qabeja, vendi i çdo profeti pas ardhjes në tokë të Profetit Adem, ishte mbushur plot e përplot me idhuj. Në këtë rrethinë ku afërsia me Allahun duhet të ishte më e ndjeshmja, ishte bërë çdo gjë që të ndjehej e kundërta. Adhurimi i haxhit, që kishte nisur që me Profetin Ibrahim (a.s.), ishte ndryshuar asisoj që njerëzit vinin të zhveshur dhe i vinin Qabes vërdallë duke duartrokitur.
Me pak fjalë, bota ishte e etur për Mbretin e mbretërve. Ajo ishte kthyer edhe një herë prej Allahut në një vend të uritur për udhëzim. Andaj, në këto çaste ku errësira ishte bërë sterrë, ndjehej më së tepërmi se koha e shumëpritur po vinte. Bota po përgatitej për Të me të gjitha mënyrat, shikimet ishin drejtuar drejt horizontit për të pritur edhe njëherë agimin.