ARDHJA E OMERIT

profeti-muhamed-35.jpg

Ishte një mbrëmje e së mërkurës. I Dërguari i Allahut pati hapur duart, e po lutej në shtëpinë e ibni Erkamit. Lutja e Tij ishte aq e sinqertë dhe me një ton aq këmbëngulës, saqë nuk kishte se si t’u shpëtonte sysh gjithë atyre të pranishmëve. I kishte ngritur duart e Tij të mpira, e me sy të ngulur nga qielli po lutej me këto fjalë:
– O Zot, nderoje atë që është më i virtytshmi mes atyre të dyve: Omer ibni Hatabin, ose Amr ibni Hishamin.
Omer ibni Hatabi ishte një burrë shumë i sertë. Ishte aq trim, saqë nuk trembej prej askujt. Kjo ishte si një farë trashëgimie që i kishte ngelur që nga i ati. Andaj, edhe motra e tij dhe i shoqi e patën mbaj- tur të fshehtë hyrjen e tyre në Islam. Faleshin, lexonin Kuran, luteshin dhe e kumtonin asisoj, fshehurazi, që të mos e merrte vesh ai.
Në fakt, Omeri i ndiqte të gjitha për së largu. Megjithëse nuk e hiqte dot sysh trysninë që i ushtrohej, e të bëhej mysliman, ai i vinte re virtytet që kishin këta njerëz që besonin. Një mbrëmje erdhi deri në Qabe, sepse kishte vendosur që ta kalonte atje natën. Ndërkohë, aty erdhi dhe i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, i Cili filloi të lexon- te Kuran. Po lexonte prej sures Hakka, dhe kjo ishte hera e parë që Omeri dëgjonte pjesë prej Kuranit. I pëlqeu shumë ritmi i asaj gjuhe. I duhej të shpëtonte disi prej ndikimit të tij, kështu që vendosi ta quante poet, siç bënin rëndom mekasit kurejshë. Mirëpo zëri vazh- donte të kumbonte.
Padyshim që ajo është fjalë e zbritur nëpërmjet një mëkëmbësi fisnik, e kurrsesi fjala e një poeti. Sa shumë që këmbëngulni në mospranimin tuaj!
Kjo ishte e pamundur! U mundua ta ndryshonte atë që mendoi pak më parë.
– Falltar, – tha, ndërkohë që zëri vazhdonte të artikulohej.
Ajo nuk është fjala e ndonjë falltari. Sa pak që e përmendni edhe ju! Ajo është fjala e lartësuar, e cila është zbritur prej Zotit të botëve. Njëmënyrazi, Resulullahu (s.a.s.) vazhdoi ta lexonte deri në fund suren e nisur, dhe Omeri e dëgjoi nga fillimi deri në fund, ashtu i ka- pluar nga një ndjenjë e thellë habie. U mendua gjerë e gjatë, e jo vetëm atë natë, por çdo natë. Mirëpo këto nuk ishin ende të mjaftueshme që Omeri të ndërronte radhën ku gjendej. Në mendje përjetonte mijëra lëkundje. Ditën tjetër, sapo të agonte, kthehej në rutinën e tij të përditshme, bashkë me shokët, sikur të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje.
Ndërsa Amr ibni Hishami (Ebu Xhehli) ishte një njeri që përdorte çdo rast të mundshëm për të dalë kundër Muhamedit paqja qoftë mbi Të, e për më tepër edhe merrte kënaqësi prej saj. Profeti ynë i dashur (s.a.s.) ishte munduar shumë që ta bënte të pranonte fenë e drejtë, por nuk ia kishte arritur dot. I kishte shkuar sa e sa herë pranë, por çdo herë ishte përballur ose me fyerje, madje ndonjëherë edhe ishte pështyrë prej tij. Megjithatë, Ai nuk hiqte asnjëherë dorë, e përmend- te përherë në lutjet e Tij, duke i kërkuar Allahut që ta vendoste edhe në zemrën e tij besimin e lumë. Vetëm se lutja nuk do të pranohej për të, por për Omer ibni Hatabin, duke bërë që të ishte Ebu Xhehli ai që dilte i humbur së këndejmi.
Mëngjesin e asaj nate kur Omeri e pati dëgjuar nga fillimi në fund suren e lexuar prej Muhamedit (s.a.s.) u drejtua për nga kodra e Safa- së. Ishte nisur për t’i bërë keq myslimanëve të mbledhur në shtëpinë e Ibni Erkamit. Teksa po ecte, gjatë rrugës ndesh një mysliman që e fshihte ende besimin e tij. Ai ishte Nuajm ibni Abdullahu (r.a.). Ajo çfarë pa e shqetësoi jashtëmase Nuajmin. Sepse Omeri ishte aq shumë i nevrikosur, saqë po turfullonte nga hundët. Duhet të bënte medoemos diçka që ta ndalte, por më parë duhet të sigurohej për të keqen që kishte vendosur të bënte Omeri.
– Për ku je nisur kështu, o Omer? – e pyeti ai.
– Po shkoj t’u tregoj qejfin këtyre që mundohen të fusin përçarje mes nesh, madje edhe duke na ofenduar të parët dhe zotat tanë. Po shkoj të vras Muhamedin, – u përgjigj ai.
I kishte rënë pikës. Omeri ishte nisur vërtetë me një synim tejet të keq. Duhet të bënte diçka që ta parandalonte këtë të keqe. E para që i erdhi në mendje ishte e motra e Omerit, bashkë me të shoqin e saj. – Për Zotin, ty të paska gënjyer egoja jote, o Omer! Po lë Abdi- menafët, e po shkon të vrasësh Muhamedin. A nuk do të ishte mirë që të shihje njëherë familjen tënde?!
Omeri po kalonte një shok të rëndë. E pamundur. Si mund të dilte një prej familjes së tij që të pranonte Islamin, pa e pyetur fare!
Ç’paska në familjen time? – u kthye ai drejt Nuajmit. Apo mos?.. Po… Kishte edhe prej familjes së tij që kishin pirë prej sherbetit të asaj çezme. Vetëm se Omeri nuk ishte në dijeni të tyre. Tevona syn- imi i tij i keq ishte fashitur falë Nuajmit. Ose të paktën pati fituar pak kohë. Tani ishte i detyruar t’i tregonte të vërtetën.
– Po, po, motra jote Fatime binti Hatabi dhe kunati yt, Said ibni Zejdi. Për Zotin, ata janë bërë myslimanë, e tani mbajnë anën e Mu- hamedit. Ti më mirë merru me ata më parë.
Në trurin e Omerit kishin flakëritur shkrepëtima pas shkrepëti- mash. Si ishte e mundur, që disa prej familjes së tij të lidheshin pas fesë së Muhamedit, pa folur më parë me të? Duhet t’i paraprinte menjëherë situatës, kështu që ndërroi menjëherë drejtim. Tani rend- te sikur të ishte duke fluturuar. Veçse kësaj here, destinacioni i tij nuk ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.), por shtëpia e motrës së vet.
Sapo ishte afruar te porta, kur nga brenda dëgjoi një zë të përdëlli- tur. Ky ishte zëri që i kujtoi menjëherë atë mbrëmjen pranë Qabes. Megjithëse zëri nuk ishte i njëjtë, burimi ishte i njëjti. Ky ishte zëri i Habab ibni Eretit (r.a.).
– Ta Ha, Ne nuk ta zbritëm ty Kuranin që të ndjesh vështirësi…
Megjithëse nuk e kishte kuptuar ende, bota shpirtërore e Omerit filloi të shkrinte. Tanimë kishte një pamje sikur do të dorëzohej nga çasti në çast. Megjithatë, e mblodhi dhe njëherë veten, dhe filloi ta godiste portën me sa fuqi të kishte. Bërtiste me zërin e tij buçitës dhe u kërkonte që ta hapnin menjëherë derën.
Ata që ishin brenda filluan të dridheshin nga frika kur morën vesh se ai që po i binte derës si i tërbuar ishte Omeri. Sepse tanimë ishte më se e qartë se përse kishte ardhur. E mëshehën diku Hababin që ishte aty për t’u lexuar Kuran atyre të dyve. Faqet e Kuranit i mori poshtë gjunjve Fatimja. Me ta kthyer shtëpinë në një gjendje të për- shtatshme për Omerin, e hapën me një frymë, madje edhe tejet të frikësuar.
Omeri ishte një njeri shumë i zgjuar. Hapja me vonesë e derës e kishte çmendur fare saora.
Ç’ishte ai zë që dëgjova pak më parë? – pyeti ai menjëherë, pa humbur kohë.
– Çfarë zëri dëgjove? – e pyetën ata, me një ton sikur të donin të thoshin: “Nuk ke dëgjuar kurrfarë zëri!”
– Jo, dëgjova, – dhe sakaq u turr drejt tyre. Bërtiste dhe nxirrte tym prej hundësh.
– Dëgjova se keni hyrë në fenë e Muhamedit, kështu që vareni prej Tij tashmë, dhe sakaq i dha një të goditur kunatit të tij, Said ibni Zejdit.
Fatimja deshi të ndërhynte për të mbrojtur të shoqin, por mori edhe ajo një të goditur. Ishte e vështirë të mund ta përballoje dot të goditurën e një njeriu si Omeri. Fatimja ngeli e mbuluar në gjak. Vetëm se ky ishte vetëm fillimi. Tani ajo nuk kishte asgjë se ç’të humb- te. Vëllai tashmë e dinte të vërtetën. Edhe ajo ishte fryti i së njëjtës tokë. Ishte e bija e Hatabit. Kësodore, nuk kishte kurrfarë kuptimi që të vazhdonte ta mbante të fshehtë besimin e saj. Mori një qëndrim prej trimeje dhe iu kundërvu të vëllait.
– Po, u bëmë myslimanë. Çfarë ka këtu! Po i bindemi Allahut dhe të Dërguarit të Tij paqja qoftë mbi Të. Eja, bëna ç’të duash tani!
Omeri mori goditjen e tretë. Ishte e pamundur që dikush të merrte një qëndrim të këtillë përballë tij. Sidomos një femër, do të çohet e do t’i bëjë trimen atij?!. Si ishte e mundur, që vetë motra e tij kthehej kah ai e fliste më shumë se ai vetë. Ambientin e rrethoi një heshtje e atypëratyshme. Omeri pa njëherë gjatë-gjatë nga e motra. Kishte ngelur e tëra e mbuluar në gjak. Mirëpo në qëndrim prapë kishte një drejtqëndrim të veçantë. Ngjante me një luaneshë të plagosur; tevona ishte në betejë për të ruajtur nderin e saj. Në vështrim i lexohej: “Ja, edhe më vrave? Ne lumturinë e vërtetë e gjetëm pranë Muhamedit.” Mesa duket ajo goditje kishte rrëzuar edhe Omerin. Mesa duket ishte e nevojshme që motra dhe kunati të goditeshin disifarë. Me ç’kupto- hej, kaderi atë ditë pati zgjedhur të rrëzonte një forcë që kundërshtonte njerëzit e tij. Pati vendosur që të ndodhte shkrirja pikërisht aty në shtëpinë e kunatit. Ishte bërë pishman për ato që kishte bërë. Edhe pak dhe do të shfaqej ndryshimi që kishte ngjarë brenda Omerit. U mundua ta ruante disi tonin e zërit, dhe iu drejtua së motrës:
– Jepma njëherë atë faqen që po lexonit para se të hyja unë! Ta shoh njëherë ç’na qenka ajo që i paska zbritur Muhamedit.
Edhe ata po habiteshin tashmë. Për një çast u lëkundën në t’ia jepnin apo jo. Sepse Omeri mund ta griste, apo më e keqja mund të prishte gojën e të thoshte ndonjë fjalë të pahijshme për Kuranin ose për Muhamedin, andaj Fatimja i tha:
– Kemi frikë mos i bën ndonjë gjë.
– Mos ki frikë, – ia ktheu ai, dhe mandej iu betua se nuk do t’i bënte asgjë veç leximit.
Nuk kishe ç’t’i thoje tani gëzimit që kaploi motrën, e cila pak më parë ishte shtrirë e gjakosur në tokë. E pati përkapur ardhjen në vete të të vëllait. Sepse e njihte shumë mirë… Omeri ishte zgjidhur. Pran- daj hodhi një hap para dhe i tha:
– Vëlla, ti je ende i papastër në mosbesimin tënd. Kuranin Fisnik nuk mund ta prekë kurrsesi një dorë e pistë.
Mirë, po ç’duhej bërë pyeste Omeri. Fatimja e nderuar i tregoi menjëherë guslin… Sepse ajo ishte fjala e Zotit, andaj duhet të kapej asisoj që në çdo çast të fitoje kënaqësinë e Allahut (xh.xh.)
– Kjo ishte një sprovë shumë e madhe për Omerin. Mirëpo, që pas go- ditjes që pësoi, ai e kuptoi se kishte ndryshuar krejtësisht mendim. Shkoi dhe u la ashtu siç e këshillonte e motra. Egërsia e pakmëparshme tani ia la vendin një butësie të parrëfyeshme shpirtërore.
Sakaq, Fatimja ia dha të vëllait faqet e sures Ta-Ha, e ai filloi t’i lexonte. Kur erdhi në një pikë të caktuar, ndali dhe belbëzoi:
– Ç’fjalë e bukur… Ç’shprehje të ëmbla që qenkan!
Nga ana tjetër ishte Habab ibni Ereti, i cili që prej çastit të hyrjes së Omerit rrinte i fshehur. Tani ai nuk po duronte dot pa klithur tek- birin. S’kishte kaluar as një ditë nga lutja që ishte bërë në shtëpinë e Ibni Erkamit, po ndodhte tani e pasqyruar para tij. A mund të prano- hej kaq shpejt një lutje aq e rëndësishme, sa të vinte njëri prej dy Omerëve e të pranonte se po hynte në fenë e Allahut? Hababi doli nga vendi, e po e shijonte të plotë tablonë e pranimit të lutjes.
– O Omer, të betohem që unë shpresoja shumë që t’i të pranoje Islamin, ashtu siç u lut për ty i Dërguari i Allahut! Unë e dëgjova atë jo më larg se dje teksa lutej: “O Zot, të përgjërohem që ta bësh njërin prej Omerëve të hyjnë në fenë tonë! Omer ibni Hatabin ose Amr ibni Hishamin.” Ja tek të betohem o Omer, që ajo lutje nuk është asgjë tjetër veç kësaj tëndes.
Omeri i nderuar po përjetonte dy surpriza përnjëherësh. Filli- misht, ç’punë kishte Hababi këtu? Ku kishte qenë gjer më tani? Pse ishte fshehur, e pse po dilte pikërisht për t’i dhënë këtë sihariq? Surpriza e dytë që po përjetonte ishte madhështia e virtytit të të Dërguarit të Allahut, për tek i Cili ai ishte nisur me synimin e keq që ta vriste. Ndërsa Ai jo vetëm që nuk mendonte keq, por edhe ndante nga koha e Tij që të lutej për shpëtimin e Omerit. O Zot, c’madhështi është kjo? Ç’virtyt ishte ky?
Tani atë Omerin e sertë e kishte mbuluar një ndjenjë trishtimi. U kthye nga Hababi dhe i tha:
– O Habab! A ma tregon dot vendin ku gjendet i Dërguari i Alla- hut? Dua të shkoj menjëherë për tek Ai.
Tani Ai është bashkë me shokët e Tij në një shtëpi, sipër në ko- drën e Safasë.
Tanimë, Omeri i nderuar e kishte të qartë destinacionin dhe synimin për ku duhet të shkonte. Në fakt ky ishte i njëjti destinacion me atë që kishte ndjerë teksa çohej në mëngjes. Vetëm se kësaj here ndryshonte synimi.
Pa kaluar shumë kohë, Omeri e gjeti veten duke trokitur në shtëpinë e Ibni Erkamit. Ata që gjendeshin aty, me të parë se ai që po trokiste ishte Omeri dora vetë, u trembën shumë. Rendën menjëherë për te Profeti i tyre i dashur:
-O i Dërguari i Allahut! Në derë është Omeri! Ka edhe shpatën me vete, mos ka ndonjë qëllim të prapë!
I pari u hodh në krye Hamzai i nderuar.
– Jepi leje të hyjë, o i Dërguari i Allahut! Nëse ka ardhur me ndonjë qëllim të mirë, e marrim në mesin tonë. Edhe po të ketë ardhur me ndonjë qëllim të keq, atëherë ia marrim shpatën dhe e vrasim me shpatën e vet.
Zaten edhe i Dërguari i Allahu nuk mendonte ndryshe. E dinte shumë mirë se ç’efekt kishte lutja, sepse tekembramja a nuk ishte vetë Ai që ishte lutur për të? Nuk kishte se si Allahu (xh.xh.) ta linte vetëm të Dashurin e Tij, duke mos iu përgjigjur kërkesave dhe lutjeve të Tij. Resulullahu, tashmë e kishte marrë pamjen e njeriut falënderues për pranimin e lutjes së Tij:
Lëreni të hyjë, – tha Ai.
Edhe të tjerët u çuan nga vendet ku ishin ulur. Ata donin që ta prisnin në këmbë ardhjen e Omerit.
U hap dera, dhe atje ia behu pamja madhështore e një divi si Omeri. Përballë tij qëndronte i Dërguari i Allahut, i Cili e priste krahëhapur me tërë dhembshurinë që e karakterizonte. E ngjashmja e kësaj pam- jeje mund të gjendej ndoshta vetëm në Xhenet. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të në fillim e përqafoi Omerin, mandej i tha:
– Ku ishte deri tani, o i biri i Hatabit? Të betohem në Allahun, pata menduar se nuk do të vije pa të ndodhur ndonjë gjë më parë.
Ja tek më ke, erdha o i Dërguar i Allahut! Erdha për të besuar Allahu, të Dërguarin e Tij dhe gjithë ç’ka ardhur prej tyre.
Nga shtëpia e Ibni Erkamit po buçiste një tekbir që mbulonte të gjithë sipërfaqen mes Mekës dhe kodrës së Safasë. Sepse të gjithë ata që kishin dëgjuar atë lutjen e një dite më parë, përfshi këtu dhe Re- sulullahun (s.a.s.) nuk e mbanin dot veten prej emocioneve. Zaten, si mund të pritej ndryshe ardhja e një njeriu si Omeri i nderuar (r.a.).
Ardhja e Omerit të nderuar tanimë tregonte nisjen e një tjetër periudhe. Sahabët e Resulullahut, që tani, pas Hamzait, panë të afro- hej edhe një tjetër forcë, filluan të dilnin, njëshe ose dyshe, më të sigurtë prej shtëpisë së Ibni Erkamit. Sepse ardhja e Omerit të nderu- ar i dha një forcë të veçantë secilit. Tani ata hynë në garën se kush do ta sillte tekbirin më të zëshëm prej kodrës së Safasë.282 Pas ardhjes së tij ata kishin mundësinë të dilnin më të sigurt nëpër sokakët e Mekës. Kur faleshin, e kishin disi më të lehtë. Edhe kur lexonin Kuran, nuk e kishin më aq të vështirë, se mos pas fshihej ndokush që po i dëgjonte. Ashtu siç e thoshte edhe Ibni Mes’udi, besimi i Omerit ishte si një ngadhënjim i fesë mbi mohimin.
Omeri i nderuar u bë mysliman për t’u bërë, por nuk dukej se do të ishte i qetë derisa t’ua bënte të gjithëve të ditur besimin e tij. Prandaj, u kthye nga i Dërguari i Allahut, dhe e pyeti:
-O i Dërguari i Allahut! Pse nuk e themi hapur besimin tonë? Ne jemi me të drejtën! Ata, megjithëse janë në rrugë të gabuar, e bërta- sin gjithandej bindjen e tyre. Profeti ynë paqja qoftë mbi të ishte njeri i durimit dhe pjekurisë.
– O Omer, po ti i sheh zaten ato që po jetojmë ne. Ne nuk jemi ende të mjaftueshëm për ta bërë diçka të atillë, – iu përgjigj Ai Omerit.
– Ja ku po të betohem për Allahun, o Mëkëmbës i Allahut, në çdo mbledhje që kam për të marrë pjesë, do ta bërtas me të madhe të
vërtetën, dhe sakaq doli nga shtëpia e Ibni Erkamit. Vendi i parë ku shkoi ishte Qabeja. Bëri nja dy herë rrotullame rreth saj, pastaj shkoi menjëherë pranë kurejshëve. Zaten edhe ata ardhjen e tij po prisnin. – Dëgjuam që e pësove dhe ti, o i shkretë! U magjepse?! – i thanë ata me një ton tallës.
– Ju dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, – buçiti zëri i tij.
Megjithëse ai që po i artikulonte këto fjalë ishte Omeri, idhujtarët e kishin të pamundur ta pranonin, andaj iu hodhën të gjithë me një frymë. Vetëm se në pah ishte hedhur një e vërtetë omeriane. Utben, i cili u hodh i pari për ta kundërshtuar, e kishte marrë sakaq në mes të këmbëve dhe po e rrihte për vdekje. Utbja, të cilit ia kishte futur gishtin në sy, tanimë qante me kujë prej dhimbjeve, dhe, me vajin e tij, po tërbonte gjithë Mekën. Që nuk ishte kafshatë aq e lehtë ishte e ditur nga të gjithë. Por edhe sikur ky Omeri i tanishëm ishte edhe më trim dhe i shkathët se më parë. Kallaballëku i mbledhur rreth tij filloi të shpërndahej. Askush nuk mund ta kundërshtonte Omerin, i cili tash e tutje do të ecte duke u tundur, me tërë krenarinë e besimit, nëpër sokakët e qytetit. Ai i vizitoi të gjitha mbledhjet për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë të Dërguarit të Allahut, duke ua bërë të ditur të gjithëve se ishte bërë mysliman.
Megjithatë i Dërguari i Allahut (s.a.s) ishte shumë i shqetësuar se mos Omerit i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Kur, më në fund, e pa tek po vinte, u kënaq së tepërmi. Me rehatinë se e kishte kryer detyrën, filloi t’ia tregonte të gjitha një për një të Dërguarit të Allahut.
– Nëna dhe babai im të qofshin fli, o i Dërguari i Allahut! Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Të betohem për Allahun, se i vizitova të gjitha mbledhjet, dhe ua thashë të gjithëve pa u ndjerë aspak në siklet.

ilmihali

Share this post

scroll to top