Hixhreti është një problem. Si një dukuri, hixhreti ose emigracioni është duke u jetuar edhe në ditët tona. Po e shihni se si po i futen shtetit dy këmbët në një këpucë… Unë këtë shqetësimin tim e kam parashtruar në shumë biseda. Këto janë vënia në skenë e lojërave të planifikuara jashtë. Nesër në Lindje mund të hapet një portë e re hipokrizie, kurse në Perëndim, një portë e re mosmarrëveshjeje; në Jug mund të hapet një portë tjetër eksplozioni, kurse në Veri, një portë tjetër separacioni. Të gjitha këto, sepse në një anë mohuesit dhe mizorët, në anën tjetër hipokritët e Azisë presin të gatshëm dhe me gishtin në këmbëz për të na hapur një mijë e një belara mbi kokë. Edhe më parë na e patën rrokur një pikë të tillë të dobët dhe e shtrinë përtokë Perandorinë Osmane që ishte element ekuilibri në botë! Po qe se populli nuk do ta kishte përdorur, më në fund, në Dardanele, në luftën për pavarësi, vetëdijen e kombit, sot ky popull e ky komb s’do të ishte më. Jo vetëm ky popull, as bota islame s’do të ishte, sepse as që ka patur komb dhe popull të dytë musliman që ta ketë mbajtur në dorë ekuilibrin mes popujve, kombeve dhe shteteve! Po kështu, po të mos ishte ky popull e ky komb, as ne nuk do të kishim shpresë për ekuilibër. Por në Dardanele dhe në luftën për pavarësi, shtabet heroike, vetëmohuesit, të sakrifikuarit, dëshmorët dhe ushtarët e thjeshtë të ushtrisë së të bekuarve të këtij avanposti të famshëm të fundit ditën ta përdorin vetëdijen e kombit, edhe Zoti u fali atyre mundësitë për të ekzistuar dhe një herë tjetër! Ja, tek ekzistojmë, lavdi Zotit mijëra herë! Ekzistojmë dhe me një ekzistencë tjetër! Ekzistojmë me një ekzistencë tjetër që mungon në Sofje dhe Bullgari, në Turkistan dhe Uzbekistan, etj. Për të dëmtuarit, fatkeqët, të burgosurit dhe viktimat tona në këto vende, edhe pse mundemi të organizojmë vetëm ndonjë miting për të thirrur e bërtitur, edhe pse vetëm mundemi të klithim e rënkojmë, prapëseprapë shpërthejmë me të gjitha ndjenjat tona duke u dhënë edhe atyre lehtësi. Në dashtë Zoti, edhe ata një ditë do t’i thyejnë zinxhirët e qafës dhe do t’i lajnë hesapet me armiqtë! Në Kur’an thuhet: “Ne i ndërrojmë ditët mes njerëzve…” (Kur’ani, Al-i Imran, 3/140) Sot e ardhmja i përket atyre, nesër dikujt tjetër… ata që po vuajnë sot, në një të ardhme të afërt do të buzëqeshin!
Po, hixhreti ose emigrimi është një problem më vete, i rëndë e i vështirë. Në sajë të zgjuarsisë së gjerë të të Dërguarit të Allahut, si ata që emigruan në Etiopi, si ata që emigruan në Medine, jo vetëm që i kapërcyen me lehtësi vështirësitë materiale të emigrimit, pa iu nënshtruar asnjë shqetësimi ekonomik, por, krahas kësaj, realizuan arritje të mëdha. Ç’është e vërteta, asnjë emigrim në historinë e njerëzimit nuk është realizuar me aq sukses sa emigrimet e realizuara me dorën e Profetit. Po si i kishte zgjidhur i Dërguari i Allahut këto dy probleme nga më të mëdhatë? Dhe tani, le ta shtjellojmë pak më gjerë këtë temë, por pa kaluar shumë në hollësi.
Medina ishte një vend i vogël, popullsia autoktone merrej me bujqësi, prandaj dhe tregtia dhe tregu kishin kaluar krejt në dorë të çifutëve. Mekasit që kishin emigruar në Medinë e njihnin shumë mirë tregtinë, por me mundësitë tejet të vogla që kishin në dorë, e kishin shumë të vështirë të mbaheshin përballë çifutëve! Ku dhe si do të bënin tregti? Ata kishin ardhur aty, duke lënë krejt mallin dhe pasurinë në Mekë! Ndërkaq, numri i atyre që emigronin nga Meka në Medinë, shtohej çdo ditë, popullsia fryhej pa pushim dhe me shpejtësi. Ku do të vendoseshin dhe me se do të ushqeheshin këta njerëz që arrinin aty çdo ditë? Popullsia vendase e Medinës ishte e varfër për vete! Të gjitha këto ishin probleme të stivuara një mbi një dhe të gjitha prisnin zgjidhje nga i Dërguari i Allahut! Të gjithë shihnin me besim nga ai. Sigurisht që ai do t’i zgjidhte! Dhe ashtu ndodhi! I Dërguari i Allahut i zgjidhi ato probleme me një hop!
Sapo arriti në Medine, i Dërguari i Allahut ngriti vëllazërinë mes ensarëve medinas dhe muhaxhirëve mekas.[1] Ai frymëzoi një vëllazëri të tillë në shpirtrat e tyre, që e kalonte shumë vëllazërinë e gjakut! Aq para shkoi kjo vëllazëri, saqë erdhi një ditë që ensarët t’u propozonin mekasve trashëgimi sikur t’i kishin vëllezër të vërtetë! Në përgjithësi, ensarët e ndanë çdo gjë përgjysmë me muhaxhirët! Kurse pati raste kur kjo ndarje e kaloi ço kufi!
I Dërguari i Allahut i kishte bërë vëllezër Sad b. Rabi me Abdurrahman b. Avf-in. Vëllazëria mes tyre ishte aq e thellë dhe e sinqertë, sa ishte e pamundur të tregohej një rast i dytë i saj!
Një ditë, Sad b. Rabi (r.a.) ia kap dorën të vëllait dhe i thotë kështu: “O vëlla! Ju e latë çdo gjë në Mekë dhe erdhët këtu! Tani ti je beqar, kurse unë kam dy gra. Po të them për hir të Allahut: pëlqeje njërën dhe unë do ta ndaj që ta marrësh ti!”
Me sytë e përlotur, Abdurrahman b. Avfi (r.a.) iu përgjigj kështu: “O vëlla, Allahu t’i bekoftë gratë! Ti vetëm tregomë rrugën e tregut, kjo më mjafton mua!”
Pas një farë kohe, Abdurahman b. Avfi arrin në gjendje ekonomike që të mund të mbajë shtëpi dhe, puna e parë që bën, është të martohet. Në të njëjtën kohë, ky akt ishte edhe shprehje e respektit ndaj ndjenjave të familjes ku hynte e dilte, ishte një delikatesë shpirtërore krejt e veçantë![2]
Nuk kishte asnjë problem që të mos e zgjidhte kjo vëllazëri. Personat vetëmohues të lidhur në këtë mënyrë me njëri-tjetrin ishin, në të njëjtën kohë, kandidatë për ngadhënjimin e botës. Kjo atmosferë vëllazërie që zotëronte në Medine, me kohë do të depërtonte në arteriet e të gjithë botës!..
- a) Përplasja e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe
I Dërguari i Allahut po rrinte vetëm. Një çast, u hap dera dhe brenda filluan të hyjnë të parët e muhaxhirëve, emigrantëve mekas. Mes tyre nuk ndodhej asnjë ensar, musliman medinas, dhe gjendja ishte e tillë që të tërhiqte vëmendjen. Pse vallë, kishin ardhur vetëm muhaxhirë, kurse nga ensarët nuk kishin thirrur asnjë? Të ardhurit kërkuan leje nga i Dërguari i Allahut dhe ia paraqitën kështu justifikimet e tyre:
“O i Dërguari i Allahut! Ne erdhëm këtu duke emigruar për hir të Allahut. Gjithë mendimi ynë ka qenë të ndodhemi me ty në rrugën e Allahut. Mirëpo vëllezërit ensarë treguan një interesim të tillë për ne, që kemi frikë se mos e mbarojmë këtu shpërblimin e ahiretit! Vëllezërit le të na lejojnë se ne, tashmë, duam t’i plotësojmë vetë nevojat tona, kurse ndihmat dhe pjesën që e patën ndarë për ne, duam t’ua kthejmë prapë. Po mbetemi të detyruar ndaj tyre dhe po turpërohemi!”
Duke folur kështu, ata qanin. Edhe i Dërguari i Allahut nuk i mbajti dot lotët. Kjo pamje ndoshta i kishte përlotur edhe banorët e qiellit! Në një aspekt, kjo ishte përplasje e të kënaqurit me pak dhe bujarisë së madhe. Gjer atë ditë, një grindje e tillë nuk ishte parë mbi tokë!
Kur, pas pak, i Dërguari i Allahut thirri ensarët dhe u tregoi se ç’kishte ngjarë, të gjithë menjëherë kundërshtuan dhe nuk e pranuan këtë thjeshtësi, këtë të kënaqur me pak të muhaxhirëve! Pranimi i një propozimi të tillë, për ta, ishte një lloj sikur të pranonin t’ua prisnin trupin për mesi! Sepse ata ishin njësuar në atë mënyrë me vëllezërit muhaxhirë, që ndarja prej tyre ishte pothuaj vdekje për ta. Kështu, edhe ensarët qanin, edhe muhaxhirët qanin. Të jetonin bashkë në të njëjtën qytezë dhe të paktën pesë herë në ditë të ndodheshin së bashku në faltore dhe të largoheshin tani nga dhomat dhe sofrat që i kishin ndarë së bashku gjer tani, ishte tejet e vështirë sidomos për ensarët! Njëra anë përfaqësonte bujarinë e madhe, kurse ana tjetër, të kënaqurit me pak dhe sakrificën. Muhaxhirët e morën fjalën edhe një herë, tashmë në sy të vëllezërve ensarë, dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ne bëmë hixhret, emigruam për hir të Allahut dhe erdhëm në Medinë. Ne nuk menduam gjë tjetër veç lartësimit të fesë, por vëllezërit ensarë na ndihmuan me të tepërt dhe u sollën si burrat, prandaj kemi frikë se do t’i shpaguajmë këtu të gjitha të mirat dhe përfitimet dhe s’do të na mbetet gjë për të marrë në ahiret! O i Dërguari i Allahut, ne s’mundëm t’i bindnim vëllezërit ensarë, prandaj lutuni ju në emër tonë të na lenë të lirë, të kujdesemi vetë për veten tonë, të banojmë veç, të mos na i sjellin prodhimet e veta, të mos gatuajnë e të na e vënë gjellën përpara!..” Të gjithë ishin prekur thellë! Po ashtu edhe i Dërguari i Allahut! Ai u tha kështu ensarëve: “Vëllezërit muhaxhirë thonë se ju kujdeseni shumë për ta, se i bëni me turp me këtë kujdes kaq të madh, se, kështu, ata e humbin pëlqimin e Zotit, pasi s’u mbetet të bëjnë asnjë sakrificë për ta fituar atë!”
Ja, të tillë vëllazëri kishte frymëzuar i Dërguari i Allahut në shpirtin e tyre, kështu i kishte lidhur dhe shkrirë ata me njëri-tjetrin! Në këtë mbledhje historike, palët arritën këtë marrëveshje: muhaxhirët, emigrantët mekas do të punonin me pagesë në arat, kopshtet dhe pemishtet e ensarëve dhe do të banonin në shtëpitë e veta; kështu, ata nuk do të mbeteshin nën detyrimin e mirënjohjes. Natyrisht, duke u dhënë mundësi muhaxhirëve për të punuar dhe fituar, ensarët vazhdonin t’i ndihmonin muhaxhirët dhe, kështu, muhaxhirët mbeteshin muhaxhirë dhe, ensarët, ensarë![3] Me këtë vetëdije vëllazërimi që pati mirësinë të ngrinte në Medinë, i Dërguari i Allahut kishte zgjidhur së pari, në një masë të madhe, çështjen e emigrimit.
Çështja e dytë ishte tregtia. I Dërguari i Allahut pa se në Medinë, në jetën tregtare sundonin çifutët dhe të krishterët. Për ta kapërcyer këtë sundim të tyre, i Dërguari i Allahut urdhëroi, që në një vend të veçantë, të ngrihej tregu i muslimanëve.[4] Aty e tutje, muslimanët do ta bënin tregtinë e tyre, do të shisnin e blinin në tregun e tyre! Kjo do të siguronte edhe hyrjen e muslimanëve në tregti dhe fuqizimin e tyre, edhe ngritjen e tregut të tyre. Në këtë mes, do t’i jepte fund edhe sundimit të jomuslimanëve në treg.
Dhe, kështu, u ngrit një treg i ri. Muslimanët filluan të bënin tregti mes tyre. Autorët bio-bibliografë shënojnë këtë: “Shumë shpejt, çifutët arritën të mos bënin më dot tregti në tregun e Medinës!” Po, në tregun e muslimanëve askush nuk konkurronte dot më me muslimanët! Fundja, kjo ishte edhe ajo që synonte i Dërguari i Allahut! Muslimanët nuk do t’i nënshtroheshin kujt, nuk do të vareshin nga të tjerët! Allahu (xh.xh.) nuk do të pajtohej me depersonalizimin e muslimanëve! Besimtari duhet të jetë vetë ai, duhet të qëndrojë mbi këmbët e veta, duhet të ecë me këmbët e veta, duhet të kapë me duart e veta, duhet të shohë me sytë e vet, duhet të flasë me mendimet e veta, duhet të jetojë sipas ideve të veta dhe duhet ta ruajë patjetër identitetin e vet! Ja, këtë realizoi i Dërguari i Allahut në Medine!
- b) Kushtetuta e parë
Sapo arriti në Medine, Profeti përhapi një deklaratë.[5] Këtë deklaratë të përgatitur nga i Dërguari i Allahut me të arritur në Medinë, juristët e quajnë Kushtetuta e të Dërguarit të Allahut. Shumica e parimeve që përmbahen në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, përmbahen në këtë marrëveshje ose kontratë sociale të të Dërguarit të Allahut. Me të drejtat që u njohu të krishterëve dhe çifutëve, ai realizoi një afërsi dhe njësim të tillë mes medinasve të të tre besimeve, saqë i tërhoqi ata pas vetes duke i shkëputur nga bizantinët, sasanidët dhe kurejshët. Kështu, për shumë kohë, çifutët jetuan të qetë e të kënaqur nën pushtetin dhe mbrojtjen e muslimanëve. Ngatërrestari i madh i periudhës së Medinës, hipokriti i famshëm Ubej Ibni Selul, ua përshkruan kështu shqetësimet e veta kurejshve: “Për ne, ardhja e tij në Medinë dhe përhapja e fesë së vet nuk përbëjnë rrezik. Rrezik është largimi i të krishterëve dhe çifutëve nga afria me idhujtarët dhe tërheqja pas vetes. Ky është edhe kërcënimi i vërtetë për ju!”
Sistemi dhe kushtetuta të hapura ndaj paqes, për shumë kohë ose, më saktë, gjersa u shkelën prej tyre, u bënë pretekst qetësie edhe për ta, edhe për muslimanët! Për shumë çështje, çifutët i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut dhe mbështeteshin në gjykimin e tij.
Me të vërtetë, librat e hadithit tregojnë se ata, në çështjen e vjedhjes, në çështjen e dënimit ekuivalent me fajin (kisas), në çështjen e adulterit, i drejtoheshin të Dërguarit të Allahut. Nga kjo kuptojmë se, po t’u liheshin vetë atyre çështjet e tyre, ata u drejtoheshin gjykimit të muslimanëve, sidomos pse në atë mes ndodhej i Dërguari i Allahut, ngaqë muslimanët i njihnin për më të drejtë e më të aftë në gjykim! Burimi i shenjtë që do të bëhej në të ardhmen instanca qendrore e njerëzimit, qysh ato ditë kishte filluar ta bënte të ndjehej se ishte instanca qendrore e drejtësisë!
Ja, kështu, me një të rënë të dorës, edhe çështja e hixhretit, emigrimit zgjidhej, edhe muslimanët, brenda një jete të qetë, hulumtonin rrugët për t’u hapur në botë!
[1] Ensar: ndihmës, ndihmëtar; muhaxhir: njeri që bën hixhret, emigrant.
[2] Buhari, Menakibu’l-Ensar, 3; Ibn Hisham, Sire, 2/50; Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/279.
[3] Buhari, Hibe, 35; Muslim, Xhihad, 70; Musned, 3/200; Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/279-280.
[4] Ibn Maxhe, Tixharat, 40.
[5] Ibn Hisham, Sire, 2/147.