Pafajësia e Profetit Muhamed (s.a.s.)

religious-2262785_960_720-1.jpg

Që të gjithë profetët janë të pafajshëm. Kurse Kreu i të Dërguarve është edhe më i pastër se të pafajshmit. Sepse ai është esenca e krijimit të gjithësisë e më i nderuari i profetëve. Në poezinë profetike nevojitej rima, ndaj dhe Zoti e krijoi krijesën e Tij më të dashur si një rimë të asaj poezie. Në qiellin e profetësisë nuk kishte akoma një të tillë diell, që të gjithë të tjerët t’i bëheshin rreze.

Secili profet ishte dërguar për një periudhë kohore të caktuar, në një popull të caktuar. Po Profeti Muhamed (a.s.) është dërguar për të gjithë universin, epoka e Tij është sa epoka e ekzistencës së kësaj bote. Audienca e Tij është e gjithë ekzistenca. Asnjë profet nuk ka arritur të shpjegojë të vërtetën e ekzistencës si ai, në një sens universal e të kuptueshëm nga të gjithë. Dhe në fakt, kjo nuk ishte detyra e tyre. Sepse në periudhat kohore të misionit të tyre, shkenca ende nuk ishte zhvilluar shumë dhe ende nuk ishte ndier i nevojshëm hulumtimi fije për fije i rrjetës së ekzistencës. Këto, ishin çështje që i përkisnin epokës së Muhamedit (a.s.), ashtu siç edhe ndodhi, ndaj dhe asnjë nga fjalët e tij nuk do përplasej a binte në kundërshtim me shkencën e saktë e me zbulimet e vërteta. Edhe profetët e tjerë ishin secili një yll që përhapte dritë, po me të parë diellin, mblodhën dritën e tyre dhe e ruajtën në zemra. Sepse i ardhuri ishte dielli i diejve, drita e vërtetë që qëndronte në majanë e ekzistencës. Sa bukur që e shpreh Busajri:

Ai është dielli i virtytit

Kurse të tjerët yje

Porse yjet vetëm natën

Iu shfaqen njerëzve

Po, ai është më i virtytshmi i të virtytshmëve. Më i pastri. Ndaj dhe pafajësia e tij – ismeti i tij – qëndron më lart nga të gjithë, ashtu sikur morali i tij është mbi çdo moral. Edhe armiqtë e tij më të egër nuk kanë gjetur dot asnjë fjalë që mund të cënojnë nderin dhe pastërtinë e tij morale… dhe as do të mundin të gjejnë ndonjëherë. Sepse ai është kështjella e “Ismetit” dhe përmendorja e virtytit. As në fundin e pelerinës së tij bile, pluhuri nuk zë vend, balta nuk ngjitet dot as në palat e veshjes së tij, sepse ai është krijuar për të qenë i përzgjedhur – “Mustafa”, ajkë e pastërtisë morale.

Armiqtë i hodhën atij lloj-lloj shpifjesh. I thanë “i çmendur”. Po, me sa lejon kuptimi i fjalës, Ai mund të ishte i çmendur pas të Vërtetës, ndaj dhe ishte gati të sakrifikonte gjithë qenien e tij për këtë kauzë! Ai shpaloste gjithë ç’kishte e gjithë ç’ishte; kush të donte mund të merrte çfarë të donte. Aty mund të merrej edhe parajsa, edhe bukuria hyjnore.

Pastaj i thanë magjistar… edhe më inatçinjtë shkojnë pranë tij e u lëkundet gjithë çfarë zotërojnë në emër të mohimit. Numri i atyre që i bashkohen rrugës së tij, pa pyetur për çmimin, është pa cak. Ndaj dhe mohimi, me mendje të kufizuar veç në ç’sheh syri, nuk gjente ç’të thoshte tjetër. “E gjithë kjo, nuk është veçse një zjarr magjie”, thonin, duke u munduar të gjenin ngushëllim me këta fjalë. Po ai zjarr, nuk ishte tjetër, veçse forca e besimit, reflektimi i bukurisë dhe atraksioni i të vërtetës hyjnore.

Mandej i thanë orakull. Ai ishte ulur në kuvend e lajmëronte se çfarë do të ndodhte deri në Ditën e Gjykimit, një për një. Po për ta nuk kishte profetësi, kishte parashikim e fall, sepse falltorët e orakujt ishin mësuar të dëgjonin gjer atë ditë. Sikur të kishin qenë fare pak të vëmendshëm, atëherë do ta kishin dalluar më së miri fjalën e tij, nga gënjeshtrat e falltorëve397. Por Profeti ynë thoshte vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç asaj që i mësohej e i bëhej e ditur.

Po të jetë ai i çmendur – mos qoftë thënë! – atëherë në botë nuk ekziston diçka që quhet mendje. Kurse falli e magjia janë aq larg nga serioziteti i tij, sa as në ëndërr nuk mund t’i hyjnë dot. Se edhe ëndrrat e tij janë aq të vërteta, si edhe jeta. Ato frymëzime të shenjta, që shkëputeshin e vinin nga pjesët e hapura drejt të përtejmes të jetës së tij, ishin një pjesë e pamohueshme e mesazhit të tij.

Ja, të gjitha këto fjalë të venitura, që janë në kundërshtim me mendjen, logjikën e gjykimin, nuk u kursyen aspak për të. Po askush nuk guxoi të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme në lidhje me moralin e pafajësinë e tij. Sepse çdo fjalë e thënë në këtë temë, vetëm sa do të turpëronte të zotin e saj. E këtë e di mirë edhe miku, edhe armiku i tij. Gjer më sot, mijëra libra e qindra mijëra njerëz kanë shpjeguar atë e jetën e tij. Ka prej tyre që janë bërë xixëllonja të zjarrit të tij, edhe prej atyre, që si lakuriqit të natës, ia vret sytë drita e tij. Po që të gjithë këta njerëz, sado që kanë botëkuptime e ndoshta edhe besime të ndryshme, bashkohen të gjithë në të njëjtën pikë. Ja, ajo pikë është vërtetimi i moralit dhe i virtytit të Profetit. Në një farë sensi, edhe ne jemi xixëllonja të atij zjarri, ndaj dhe fjala jonë, gjithmonë sillet e vërtitet rreth boshtit të moralit të tij. Dhe kjo nuk bëhet për t’i thurur lavde e për t’i bërë vlerësime atij me fjalën tonë, po për të zbukuruar fjalën tonë me të. Sepse kjo është e vërteta, e pamohueshmja, vlerësimi i gjithanshëm, që imponon konceptimin e shpjegimin e tij në këtë mënyrë. Vetëm se nuk mund ta vazhdoj këtë temë, pa pohuar e pa theksuar diçka. I lutem lexuesit të këtyre rreshtave që të mos e kërkojë atë e virtytin e tij kurrsesi mes fjalëve e shprehjeve të mia të vobekta. Librat e veprat e shkruara më parë janë një udhërrëfyes më i mirë për lexuesin, kurse padyshim që shpjegimin më të qartë për të, e bëjnë ndërgjegjet e tyre të kthjellëta e të pastra. Ajo ndërgjegje, në të cilën gjithmonë pasqyrohet e gjen vend vetëm e Vërteta. Kështu që, edhe ai përfaqësues i të Vërtetës, mund të njihet vetëm me ndërgjegje të tilla. Sepse bashkë me zemrat, edhe ndërgjegjja jonë është një rezidencë e tij e përjetshme. Sa e shenjtë është ajo rezistencë, në të cilën gjen prehje Mbreti i Profetëve. Ja, kjo fjalë është pika ime e dobët, nuk e kam më në dorë, dhimbja më prek penën e fjalët derdhen vetë.

O Profet i Virtytshëm! Duku edhe njëherë, ashtu si u duke katërmbëdhjetë shekuj më parë! Kthehu për pak, në klimën e këtij populli të lartë e fisnik, që i shërbeu për nëntë shekuj me radhë besimit tënd e që është flamurtar i këtij misioni të shenjtë e ndriçoje edhe atë, ashtu si ndriçove dikur botën e errët të arabit. Kalëro mbi kalin tënd e kthehu pak nga ne! Më beso, këta kalorës drite që po rriten e përgatiten, nuk kanë për të të lënë vetëm! Mjafton një shenjë e jotja, mjafton një buzëqeshje… dhe ata që të gjithë janë gati të heqin dorë nga gjithë ç’kanë e të vijnë pas teje…

397 Ibn Hisham, Sire; Ibn Kethir, el-Bidaje

ilmihali

Share this post

scroll to top