Xheneti
Profeti ynë (s.a.s.) gjatë këtij udhëtimi gjithë të papritura do të dëshmonte edhe disa pamje nga Xheneti dhe Xhehenemi, të cilat do t’i duheshin për t’i treguar bashkësisë së Tij se me ç’do të përballej gjithësecili për aksh veprim që do të kryente.
Xheneti iu hap përpara syve, ashtu, sa hap e mbyll sytë. I zbukuruar me xhevahire të panumërta, e ngjyrosur me ngjyra nga më laryshanet, të cilat nuk i pranon asnjë imagjinatë. Përpara syve të Tij po paraqitej një bukuri që sytë nuk mund ta kenë parë kund, që veshët nuk mund ta kenë dëgjuar kund, dhe që nuk mund të fantazoheshin kurrsesi prej një qenieje të përkohshme. Ç’pamje të mahnitshme, por edhe prekëse njëherësh… Kodrat e smeraldta të Xhenetit i shpërfaqeshin përpara syve perde pas perdeje, duke i përftuar Atij mijëra ndjesi ilaçesh dhe mahnie.
Për një çast, në vesh i erdhi një zë shumë i ëmbël.
Po ky, ç’zë të ishte?!
– Ky është zëri i Xhenetit, – i tha Xhebraili (a.s.)
Nëse i vije veshin, e dëgjoi zërin teksa thoshte:
– O Zot! Jepmi mua ato që më ke premtuar! Ja tek janë dhomat që më ke falur, mëndafshet dhe pëlhurat përrallore, diamantet dhe kristalet e shtrenjta, argjendet dhe florinjtë, kolltuqet dhe dyshemetë, kafshët dhe pijet e shumëllojshme, andaj bjermi sa më shpejt njerëzit që më ke premtuar.
Si për t’i kthyer përgjigje atij zëri të sinqertë, kësaj radhe u ngrit një tjetër zë buçitës:
– Nuk do të kalojë shumë kohë, që çdo besimtar dhe besimtare, çdo mysliman dhe myslimane, që më beson Mua dhe të Dërguarin Tim, që vepron përherë mirë, e që nuk më bën shok në krijim, që nuk përkulet para asnjë force tjetër veç Times, ka për të mbushur hapësirat e tua!
Kush vepron brenda rregullave të vendosura prej Meje është i sigurt. Unë i jap çdokujt, atë që ai kërkon prej Meje. Kush kërkon diçka paraprakisht prej Meje, atëherë Unë ia jap. Dhe kush më dorëzohet Mua, duke më lënë në dorë përfundimin e gjithçkaje, atëherë Unë i jap finalizim punëve të tij. Sepse nuk ka kurrfarë dyshimi, që Unë jam Zoti që nuk ka kënd tjetër të barazvlershëm. Unë e mbaj gjithnjë premtimin e dhënë! Padyshim, që ata që besuan do të shpëtojnë. Sa krijues i mirë dhe i përsosur që është Allahu!
Xheneti, me ta dëgjuar këtë zë, filloi të thoshte këto fjalë:
– U kënaqa, o Zoti im![1]
Pa edhe njëherë brenda me kujdes. Atje kishte trima të ulur nëpër kanape, të cilët bashkëbisedonin me njëri-tjetrin buzë përrenjsh freskues… Nga të katër anët të rrethuar me shërbëtorë, ata mund të kërkonin ç’t’u donte zemra. Rrethendanë ishin të rrethuar prej hurive, dhe teksa përfitonin prej gjithë këtyre mirësive, ata as nuk ngopeshin, e as nuk tregonin shenja të ambientimit me to. Aromat dhe shijet ndryshonin vazhdimisht, asisoj që të jepnin kënaqësi të vazhdueshme, e të papërsëritshme.
Përballë kishte njerëz të grumbulluar në xhemate. Çdo ditë mbillnin gjëra të reja, frytet e të cilave i merrnin po brenda ditës.
– Kush janë këta? – e pyeti Ai Xhebrailin fjalëdrejtë.
– Këta janë ata që përpiqen në rrugën e Allahut. Që përdorin çdo pasuri e çdo fuqi në rrugën e Allahut. Shpërblimi i çdo vepre të tyre është i shumëfishtë, si kalliri i grurit, që nga një farë e hedhur në tokë, jep shtatëqind kokrra gruri. Allahu u jep atyre pasuri të reja për çdo gjë që ata kanë dhënë në rrugën e Tij. Sepse Ai jep atë që është më e mira,[2] – e përmbylli përgjigjen Xhebraili.
Në të katër anët kishte lumenj dhe përrenj të ëmbël. Në disa prej tyre kishte qumësht në vend të ujit, e në disa të tjerë kishte mjaltë. Atyre që ishin më të dallueshmit syresh u thoshin Nil dhe Eufrat. Ndoshta kjo tregonte sipërfaqen në të cilën do të përhapej Islami në të ardhmen, duke ia shpërfaqur përpara syve në trajtën e një fotografie, e cila ishte njëkohësisht edhe sihariq.
Kushedi sa e sa të mira të tjera gjendeshin atje, dhe me sa e sa përgëzime e patën mirëpritur në çdo vend që hynte. Çdo njeri, pasi t’i tregoheshin gjithë ato gjëra të bukura, do ta kishte të pamundur të donte edhe njëherë që të kthehej mbrapsht, në mes të njëmijë e një vuajtjeve. Vetëm se synimi i Tij i vërtetë ishte ta përqafonte krejt njerëzimin me mëshirë dhe dhembshuri, dhe qoftë edhe sikur të pranonin vetëm pjesën e parë të dëshmisë, pra pa emrin e Tij, veç “La ilahe il’lallah”, Ai prapë nuk do të hiqte dorë së kërkuar që aty të hynin të gjithë njerëzit. Edhe Ai vetë ua kishte thënë: “Kush thotë La ilahe il’lallah, hyn në Xhenet“.[3]I gjithë ai vend ishte krijuar enkas për Të, andaj edhe ardhja e Tij në të ishte e fundmja. Ngase ishte mbreti që do të vendoste rimën e fundit në varg, bashkimi i trupit me shpirtin ishte lënë posaçërisht në fund.
Xhehenemi
Patjetër, jo çdo vend ishte aq i ëmbël sa Xheneti. Kur u larguan së andejmi, për të shkuar në një tjetër vend, dëgjoi disa zëra tejet të frikshëm, për të cilët pyeti menjëherë se cili ishte burimi i tyre:
– Është zëri i Xhehenemit, – u përgjigj Xhebraili (a.s.)
– O Zoti im! Jepmi tashmë ato që më ke premtuar! E sheh se si vlojnë flakët, limfa dhe ujërat e nxehta! Thellësia arriti një pikë të paarritshme, dhe nxehtësia që është formuar është e padurueshme. Nismi ato që më ke premtuar!
Sakaq, u dëgjua sërish i njëjti zë me atë që kishte folur teksa ishin duke parë Xhenetin:
– Po, çdo njeri, mashkull apo femër që më bën mua shok në krijim; çdo mohues që më mohon mua, dhe çdo zullumqar që nuk beson në ditën e gjykimit dhe në librin Tim do të vijë. Mos u nxito!
– Në rregull, unë jam i kënaqur prej Teje o Zot![4] – i njëjti zë.
Kur pa nga vendi prej nga vinin të gjitha ato ulërima dhe klithma, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pa Xhehenemin të trupëzuar para syve të Tij, me të gjitha ato pamje, të cilat nuk të bënte zemra t’i shihje. Patjetër, këto ishin vetëm disa pamje, të cilat do t’i duheshin Atij si dëshmi për t’u folur të tjerëve në lidhje me ndalesat që duheshin zbatuar, në mënyrë që të mos përfundojnë atje. Ato ishin tufane flakësh që ngriheshin prej drurësh dhe gurësh të djegur… Një hungërimë e thellë dëgjohej gjithandej. Përbrenda ndjehej një uri e madhe për të pritur njerëz.
– A nuk ka më? – klithte ai. Ata që gjendeshin brenda tij duke kryer dënimin, nuk e kishin mundësinë që për disa çaste të tërhiqeshin mënjanë për të kaluar disa çaste pa vuajtjet e dënimit. Sa herë që trupi të tretej, e të shkrumbosej e të bëhej hi, çdo gjë fillonte nga fillimi, kockat rikrijoheshin, e përsipër u mvishej një shtresë mishi. Nga thellësitë e Xhehenemit dilnin vetëm klithma torturash:
– Ah, sikur të kthehesha edhe njëherë në tokë!
– Ah, sikur t’ia vija veshin atyre që më thuheshin, e të mos kisha rënë në këtë gjendje!
– Të përgjërohem, o Zot! Të paktën lehtësoma dënimin veç për një ditë të vetme.
– Të paktën të isha dhe.
Grumbuj të ndryshëm njerëzish ishin mbledhur në vende të veçanta, të cilat dënoheshin me mënyra të ndryshme. Mbi trup u rrinin engjëjt zebani, ndërsa në buzëqeshje nuk mund t’i vëreje as minimumin e ekzistencës së saj. Kishte njerëz të atillë, të cilët shkriheshin sikur ta kishin diellin afër vetëm sa maja e një shigjete.
Në një tjetër anë rridhnin rrëke të stërgjata gjaku dhe limfe, në të cilat lundronin të përmbytur gjithësoj mëkatarësh e njerëzish të pabindur. Çdo fatkeqi që tërhiqej paksa në anë, fillonin t’i binin me gurë, dhe teksa përgjëroheshin, goja u mbushej prej gurëve, duke u detyruar që të villnin sërish gjak dhe limfë prej gjithë trupit.
Aty pa edhe disa njerëz, të cilët torturoheshin duke u goditur me hekura dhe gurë, andaj pyeti menjëherë Xhebrailin, se po këta kush ishin?
– Këta janë njerëzit që përtonin të kryenin adhurimet farze, dhe që e kryenin vetëm sa për të kaluar radhën.
Ndërsa në anën tjetër, qëndronin njerëzit të cilët nuk e kishin dhënë zekatin e pasurisë së tyre. U jepej vetëm limfë dhe helm për të gjerbur, e mandej tërhiqeshin zvarrë sikur të ishin kafshë. Këtu Ai po dëshmonte se ç’ngjaste kur nuk i kryeje ato që urdhëronte Allahu (xh.xh.). Kishte edhe shumë gjëra të tjera për të parë. Në një cep tjetër qëndronin ata që kishin ngrënë prej asaj që i përkiste jetimit, të cilëve u jepeshin copëza zjarri për të gëlltitur. Në një tjetër anë ishin ata që nuk kishin qëndruar besnikë në fjalën e dhënë, të cilëve u ngarkoheshin pesha sa vjen e më të rënda. Gojët e atyre që kishin ditur veç të nxirrnin ngatërresa rrinin të shtrembëruara, me gjuhë të bërë gjak. Edhe gjendja e atyre që ishin bërë mjet në kryrjen e një padrejtësie karshi njerëzve ishte me të vërtetë për të ardhur keq.
Në një tjetër anë ishin ata njerëz që e kishin barkun edhe njëherë më të madh se veten. As nuk çoheshin dot në këmbë, e as nuk ecnin dot përpara. Kur pyeti se cilët qenë këta, përgjigja ishte se ata ishin njerëzit që ishin orvatur për të fituar para prej parave. Me një fjalë njerëzit e fajdeve.
Disa njerëz po i bënin shumë përshtypje. Ndërsa njërën anë e kishin mirë e tu mirë, anën tjetër e kishin krejt të dekompozuar, sikur të ishin trupa të rrënuar. E linin vendin e pastër për t’u vendosur atje ku ishte bataku. Kur i pa me kujdes, edhe këta ishin njerëzit imoralë, që kishin rendur nga një gjë e ndaluar kah një tjetër.
Dhe shumica e këtij kallaballëku përbëhej prej atyre që kishin rënë pre e rrjetës së dëfrimeve të kota, që jo vetëm kishin rënë vetë, por ishin munduar edhe të tërhiqnin të tjerët andej. Aty në anë ishin edhe femrat, të cilat kishin shërbyer si tërheqëse të tyre, të cilat rrinin të varura prej organit me të cilin i kishin qesëndisur mëkatarët. Klithma u mbulonte klithmën e pakmëparshme.
[1] Taberi, Tefsir, 8/3
[2] Ibni Kethir, Tefsir, 3/18; Taberi, Tefsir, 15/7
[3] Buhari, Sahih, 5/2193
[4] Taberi, Tefsir, 15/1