Profeti pati këshilluar gjithmonë për drejtësi

profeti-muhamed-35.jpg

Ashtu siç pati jetuar gjithmonë me drejtësi, edhe umetin, bashkësi-në e tij, e pati këshilluar gjithmonë për drejtësi. Dëshiroj të përmend këtu disa prej atyre këshillave:

“Më jepni fjalën për këto gjëra dhe unë t’ju jap fjalën për Xhenetin:

– Kur të flisni, flisni drejt!

– Kur të premtoni, çojeni premtimin në vend!

– Tregohuni të besueshëm në ruajtjen e amanetit!

– Ruani nderin!

– Mbyllni sytë para haramit!

– Mbani duart larg nga harami! Po, ai gjithmonë drejt pati jetuar, drejtësinë pati këshilluar dhe me drejtësinë që ishte diçka e posaçme për të, pothuajse ishte afruar në një pikë mes mundësisë dhe domosdoshmërisë, në një pikë të tillë, pas së cilës qëndronte vetëm e vetëm besnikëria e Allahut. Me fjalë të tjera, në drejtësi, i Dërguari i Allahut shihte nga horizonti afër sa dy kut. (Nexhm: 9). Në një aspekt, ai ndodhej në kuadrin e mundësisë, kurse në një aspekt tjetër, e pati kapërcyer botën e mundësisë. Me rastin e Miraxhit, siç ka thënë edhe Kadi Ijazi, ai erdhi në një vend ku nuk po dinte se ku ta vendoste këmbën. Atij iu tha që ta vendoste njërën këmbë mbi tjetrën. Gjithsesi, në çdo specifikë ai ishte një njeri. Mirëpo drejtësia në një nivel të tillë e pati lartësuar atë. Edhe ne një të tillë drejtësi na këshillon ai: “Jepni fjalën se do të flisni drejt, se nuk do të fusni në jetën tuaj gënjeshtrën që edhe unë t’ju premtoj xhenetin!”

Edhe në një tjetër porosi të tij kështu urdhëron: “Hiqni dorë nga gjërat që përmbajnë dyshime. Drejtësia prodhon në brendësi të njeriut siguri dhe stabilitet, kurse gënjeshtra është shtrembërim, është turbullirë.”

Dhe prapë urdhëron: “Kërkoni vazhdimisht drejtësinë! Edhe në se në drejtësi shihni shkatërrimin tuaj, pa asnjë diskutim që aty është shpëtimi juaj!”

Edhe në një porosi tjetër po kështu konkludon: “Mos u ndani nga e drejta. E drejta ju çon në mirësi, kurse mirësia në xhenet. Në se personi tregohet i drejtë dhe e kërkon të drejtën, shkruhet mes besnikëve në lartësinë e Allahut.

Ruhuni nga gënjeshtra. Gënjeshtra e çon njeriun në mëkat, kurse mëkati në xhehenem. Në se personi vazhdimisht gënjen dhe e kërkon gënjeshtrën, shkruhet si gënjeshtar në lartësinë e Allahut!” (76).

Shpëtimi dhe fundi i mirë janë te drejtësia. Edhe sikur njeriu të vdesë duke thënë të drejtën, një herë vdes, kurse çdo gënjeshtër është një vdekje më vete!

Ka’b b. Malik thotë: “Unë shpëtova në saje të drejtësisë sime.” Po, kur thuhet “drejtësi”, është e pamundur të mos e kujtosh atë.

Ka’b b. Malik ishte një njeri me fjalën të mprehtë si shpata dhe me shpatën të mprehtë sa fjala. Ishte poet. Me poezitë e tij mund ta kthente përmbys botën morale të njerëzve…

Pat ardhur në Akabe dhe i pati dhënë besën të Dërguarit të Allahut. Për rrjedhojë pati qenë ndër parësinë e Medines. Por nuk pati marrë pjesë në luftën e Tebukut. Tebuku pati qenë një luftë e vështirë. Në atë luftë, një grusht njerëzish do të përleshej me armatën e Perandorisë Romake. Dhe ku, pikërisht në të nxehtët përvëlues e shfarosës të shkretëtirës! Me atë mendim u bë nisja për atje, u tregua ajo trimëri e jashtëzakonshme për t’u nisur, u fitua ajo mirësi, por ajo luftë e frikshme vetëm në mendime mbeti.

Ndërsa Profeti të gjitha fushatat luftarake i mbante të fshehta, atë radhë qe nisur haptas dhe çdo njeri e pati ftuar haptas. Ja, pra, megjithë këtë ftesë të hapët, Ka’bi atë radhë nuk pati mundur të merrte pjesë.

Dhe tani le ta tregojmë shkurt aventurën e tij nga goja e tij:

“Të gjithë u ftuan për në luftë. Sepse përplasja do të ishte e ashpër. Por Allahu nuk e miratoi dhe lufta mbeti vetëm si një nismë. I ishte bërë apo jo e ditur, i Dërguari i Allahut i jepte një rëndësi të veçantë asaj lufte.

Ashtu si çdokush, edhe unë i përfundova përgatitjet. Madje, si atë radhë s’isha përgatitur për asnjë luftë tjetër gjer atë ditë.

Profeti i të Dy Botëve dha urdhër për nisje dhe ushtria u nis. Unë nuk dola bashkë me të tjerët duke thënë me vete se, sido që të ishte, do t’i arrija ata. Dhe nuk kisha ndonjë punë. Por më pengonte vetësiguria. Hë sot, hë nesër, kur ç’të shohësh, ditët ikën si pa u kuptuar. Tani më ishte e pamundur ta arrija të Dërguarin e Allahut. Kisha mbetur i detyruar të prisja dhe prita. Dhe prita çdo orë në një pritje që zgjati me ditë.

Më në fund filloi të dëgjohej nga të gjitha anët se Profeti po kthehej. Kështu ndodhte çdo radhë. Afër kthimit të tij Medina gjallërohej edhe një herë tjetër. Ja, tani, në sytë e çdokujt kishte një gëzim: po kthehej i Dërguari i Allahut!

Më në fund, erdhi koha e shumëpritur. Ushtria u kthye në Medine. Edhe Profeti, ashtu siç ishte bërë rregull, fillimisht kishte shkuar në faltore, kishte falur dy rekate namaz dhe kishte nisur takimet me popullin. Njerëzit shkonin në faltore grupe-grupe, e vizitonin, kurse ata që s’kishin marrë pjesë në ushtri, i kërkonin falje. Edhe shumica e atyre që ndodheshin në gjendjen time, kishin paraqitur justifikime që ishin pranuar nga i Dërguari i Allahut. Edhe unë mund të bëja një gjë të tillë. Mes tyre, unë isha një ndër më të aftët për të folur dhe me fuqinë bindëse më të madhe. Mirëpo si mund të ndodhte që, duke mos pasur asnjë justifikim, ta gënjeja të Dërguarin e Allahut? Nuk e bëra një gjë të tillë. Nuk munda ta bëja! Kur u takuam, Profeti më priti me një buzëqeshje të rrudhur që ma shpoi zemrën tej e tej. Dhe më pyeti: “Ku ishe?” Ia tregova situatën ashtu siç ishte, pa lënë gjë mangët. E ktheu kokën anash dhe më tha me majë të gjuhës: “Ngreu, shko!”

Dola jashtë. Më rrethoi fisi im: “Gjej dhe ti një justifikim e shpëto!” Për një moment sikur fjalët e tyre më zunë vend në zemër. Mirëpo erdha menjëherë në vete dhe pyeta: “A ka të tjerë në gjendjen time?” “Ka”, më thanë dhe më përmendën dy emra. Që të dy kishin marrë pjesë në Bedër dhe ishin ndër sahabet, pasuesit profetikë me emër e me zë: Muare b. Rebi dhe Hilal b. Umejje. Edhe ata nuk kishin paraqitur asnjë justifikim dhe kishin rënë në pozitën time. Kishin mbetur në pritje. Për mua ishin njerëz që mund t’u shkoje pas, prandaj vendosa të bëj si ata dhe hoqa dorë nga gjetja e një justifikimi.

U shpall një urdhër për ne të tre. Tanimë asnjë musliman nuk do të takohej e të bisedonte me ne. Dy shokët e mi u mbyllën nëpër shtëpitë dhe qanin natë e ditë. Unë isha i ri e i fuqishëm. Dilja në treg, në sokak dhe mund të hyja edhe në faltore në kohët e namazeve. Vetëm se me mua asnjeri nuk bisedonte. Shumicën e kohës e kaloja në faltore. Ndodhte që të prisja shumë gjatë për të mundur të kapja një buzëqeshje nga i Dërguari i Allahut. Por ç’e do që çdo ditë kthehesha në shtëpi vetëm me vetminë time. Ai, të cilit kurrë nuk i mungonte buzëqeshja në fytyrë, qoftë edhe një herë të vetme nuk m’i kishte hedhur sytë të më buzëqeshte! I jepja selam dhe ia ngulja sytë buzëve të tij se mos dalloja ndonjë lëvizje, por më kot!

Gjatë namazit shumë herë e shihja atë me bisht të syrit. I hidhte sytë nga unë kur filloja të falesha, por, sapo mbaronte namazi, menjëherë i hiqte sytë. Kështu do të vazhdonte plot dyzet ditë. Njerëzit dhe vendi ku ndodhesha më ishin bërë të huaj në atë mënyrë, sa që fillova të pandehja se ndodhesha në një vend të huaj.

Një ditë u hodha nga muri i avllisë drejt e në bahçen e Ebu Katades, djalit të xhaxhait, të cilin e doja shumë e që edhe ai më donte me shpirt. I dhashë selam, por nuk reagoi fare. E pyeta: “Më thuaj, për Zotin, a e beson që e dua të Dërguarin e Allahut?” Nuk m’u përgjigj fare. Ia përsëri-ta tri herë pyetjen. Pas herës së tretë, më tha: “I Dërguari i Allahut e di!” Vetëm kaq dhe u largua. Më ishte shembur bota mbi krye! Nuk i prisja kurrë këto fjalë prej Ebu Katades! M’u mbushën sytë dhe fillova të qaja me ngashërim.

Një ditë tjetër, duke u vërtitur i vetëm sokakëve të Medines, dëgjova një njeri të pyeste për mua. Personat që kishte pyetur, i kishin bërë me shenjë nga unë. Njeriu më erdhi pranë dhe në dorë mbante një letër që ishte për mua. Vinte nga sundimtari i Gassanit. Sundimtari më ftonte në vendin e tij. Më shkruante: “Dëgjova se ytzot të ka braktisur të vetëm. Eja tek ne. Njerëzve si ti pranë nesh u rritet vlera…” “Edhe kjo një provë” – thashë me vete, e grisa letrën dhe e hodha në zjarr.

Ishte dita e dyzetë. I Dërguari i Allahut më kishte dërguar një njeri. Njeriu thoshte se duhet të rrinim larg nga gratë. “Ç’të bëj, a ta ndaj?” – e pyeta. “Vetëm rriji larg” – më tha dhe shkoi. I thashë gruas të shkonte te prindët. Në këtë mes, gruaja e Hilalit kishte shkuar te Profeti e i kishte kërkuar lejë t’i rrinte të shoqit pranë për t’i shërbyer, pasi ishte plak dhe nuk i përgjigjej detyrës së tij si burrë. Dhe i Dërguari i Allahut i kishte dhënë lejë. Disa më thanë që edhe unë të kërkoja lejë. Por unë nuk pranova, pasi nuk e dija se si do ta priste Ai një kërkesë të tillë.

Kaluan ditë dhe u mbushën pesëdhjetë. Kisha arritur në një pikë që më ishte mbaruar durimi. Më ishte nxirë bota dhe më ishte bërë varr. Si çdo ditë, edhe atë mëngjes, pasi kisha falur namazin, po rrija në ballkon. Dëgjova se dikush po përmendte emrin tim me zë të lartë: “Myzhde, o Ka’b!” E kuptova si qëndronte puna. Menjëherë rashë në sexhde. Atë ditë, pas namazit të agimit, i Dërguari i Allahut kishte shpallur faljen to-në. Shkova në faltore. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe po më uronin. Talhai m’u hodh në qafë e po më puthte. Sikur po përjetoja sërish një Akabe! I shkova pranë Profetit dhe ia kapa dorën. Edhe ai ma kapi. Pandehja se nuk do të ishte gëzuar më shumë edhe sikur ta kishin uruar për xhenetin. I Dërguari i Allahut urdhëroi: “Allahu ju fali!” Dhe këndoi ajetin e zbritur për ne:

“Dhe Allahu pranoi edhe pendimin e atyre të treve. Toka u ishte ngushtuar aq shumë, edhe shpirtrat u ishin ngushtuar aq shumë, sa ishin bindur se nuk ka strehim tjetër veç Allahut. Allahu e pranon pendimin, është mëshirues i madh!” (Tevbe: 118).

Pas këndimit të ajetit, iu drejtova Profetit: “O i Dërguari i Allahut! Mua e drejta më shpëtoi! Jap fjalën se sa të jem gjallë, do të them vetëm të drejtën e të vërtetën!”

Po, e vërteta profetike që e quajtëm “besnikëri” , qëndron mbi fundamentin “vërtetësi dhe drejtësi”. Çdo profet flet drejt. Dhe kjo gjë është e detyrueshme. Sepse, po qe që në cilindo prej këtyre personave që sjellin nga bota e panjohur urdhëra dhe ua kumtojnë njerëzve, do të ndodhte edhe gabimi ose shtrembërimi më i vogël, çdo gjë do të kthehej me ko-kë poshtë. Të gjitha të vërtetat që na duhet t’i mësojmë në emër të njerëzimit, me anë të profetëve na përcillen. Dhe kjo është një çështje shumë delikate që s’lejon shtrembërim as sa grimca. Prandaj edhe Providenca Hyjnore urdhëron kështu lidhur me këtë çështje: “Sikur të trillonte ai (Muhamedi) për Ne ndonjë fjalë, do ta mbërthenim me forcë, do t’ia këputnim aortën dhe askush prej jush nuk do të mund t’i dilte në mbrojtje!” (Hakka: 44-47).

Përballë urdhrave dhe ndalimeve hyjnore Profeti ishte si i vdekuri në duart e larësit të kufomave. Revelacioni e vërtiste atë nga të donte dhe Profeti atë kahje merrte. Nga kjo ndjeshmëri dhe bindje e pakufishme ai s’kishte humbur asgjë edhe kur kishte fituar intimitetin hyjnor dhe kishte arritur në pikën e fundit. Jo që s’kishte humbur, por e kishte thelluar edhe më atë ndjeshmëri duke e kthyer në diçka të pa-tjetërsueshme!

Ai pati qenë burrë i fjalës

Gjer në moshën dyzetvjeçare askush nuk kishte dëgjuar e parë që ai të thoshte ndonjë gjë kontradiktore apo të mos qëndronte në fjalë. Një person që kishte fituar nderin të bëhej pasues i tij më vonë, tregon: “Ishte periudha e injorancës. Ishim marrë vesh me të Dërguarin e Allahut që të takoheshim në një vend. (Siç kam theksuar edhe në krye, ashtu quhej ajo periudhë, kurse Profeti nuk e pati jetuar atë në veçoritë e saj, por pati ndjekur një vijë tjetër jetese, të posaçme vetëm për profetët). Mirëpo unë e harrova fjalën e dhënë. Kur u kujtova pas tri ditësh, shkova me vrap atje ku e kishim lënë takimin dhe pashë se i Dërguari i Allahut po më priste! As u nxeh e as m’u zemërua. Më tha vetëm kaq: “O djalë i ri! Më mundove! Kam tri ditë që të pres këtu!”

ilmihali

Share this post

scroll to top