Rendje për tek Profeti i Njerëzimit

profeti-muhamed-59.jpg

E ç’mund të ndryshonin gjithë këto? Pasi ishe pjekur me një vlerë siç ishte besimi, cila është ajo forcë e ajo fuqi që mund t’i dilte përballë njeriut për ta ndarë prej rrugës së tij? Inatit të nxehur flakë të mekasve, po u rrinte sipër një ortek i stërmadh siç ishte besimi i myslimanëve. Përditë vinin shumë njerëz që donin të takoheshin me Të Dërguarin e Allahut Paqja qoftë mbi Të. Kishte filluar një garë, ku nuk mund ta dalloje se ku përfundonin garuesit; “lindje” të reja, që rendnin njëra pas tjetrës, sikur secila të donte t’i fashiste sadopak më tepër dhimbjet. Një tjetër ditë, ishte pikërisht djaloshi trimosh, Sad bin Ebi Uakasi që e nderoi banesën e Profetit të Njerëzimit… Të gjithë këta ishin miqtë e zemrës së Ebu Bekrit të nderuar; ishte ai që i merrte një e nga një e ngjiste drejt këtyre lartësive të pamatshme. Sad bin Ebi Uakasi, një natë, kohë para se të njihej me Islamin, kishte parë një ëndërr ku çdo anë e kishte mbërthyer errësira. Ishte një errësirë e atillë që nuk shihej asgjë me sy. Në qiellin e kësaj nate të errët ishte shfaqur një hënë e plotë. E kaq iu desh Sadit që ta ndiqte nga pas këtë dritë magjepsëse, mirëpo ç’të shihte përpara tij ishin edhe Zejd bin Harithi, Ali bin Ebu Talibi dhe Ebu Bekri, që ecnin po në drejtimin e dritës.
– Kur keni ardhur ju këtu? – i arriti ai ata dhe i pyeti.
– Sapo erdhëm, – iu përgjigjën ata.
Pas asaj nate, ishte e pamundur që Sadi ta harronte më këtë ëndërr, si dhe bisedat që kishin kaluar mes tij dhe miqve të tij më të mirë. Derisa, një ditë dëgjoi se Profeti i Allahut po i ftonte njerëzit drejt një feje të re. Me ta dëgjuar diçka të këtillë, u nis menjëherë për në vendin e quajtur Exhjad, ku edhe besonte se mund ta gjente. Me ta parë, Ai po falte namazin e ikindisë, i shkoi menjëherë pranë duke i pohuar se edhe ai e pranonte Islamin. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. Ata ishin edhe të afërm me vetë Profetin, ishin kushërinj prej nëne. Andaj, edhe e quante si “daja im”. “Daltë ndonjëri që mendon se ka dajë më të mirë.”, shprehej ai më së shpeshti, me një ndjenjë
krenarie ndaj të tjerëve. Sadi i nderuar, u bë mysliman, mirëpo kjo do të ishte një problem shumë i rëndë për nënën e tij. Ndërsa vetë Sadi ishte shumë i prekshëm në çështjet që kishin të bënin me nënën ose babanë e tij, i donte më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë; ai dridhej kur dëgjonte qoftë edhe një fjalë prej tyre, dhe mundohej që për asgjë të mos i shkaktonte mërzi. Andaj, nëna, e cila e njihte shumë mirë natyrën e të birit:
– Ç’është kjo fe e re që po na flet, mor Sad? – e pyeti ajo.
– Ose do të heqësh dorë nga feja që ke besuar deri më tani, ose unë nuk kam për të pirë e për të ngrënë më që këtej e tutje. Mendoje vetë, se ç’do të mendonin të tjerët për ty, – mundohej ai që t’i ushtronte njëfarë trysnie për ta ftuar edhe atë në fenë e Allahut.
Po mundohej të bënte gjithë ç’kishte në dorë për t’ia ndërruar mendjen; nëna nuk po tregonte as ndryshimin më të vogël në sjelljen e saj.
– O nënokja ime! Të përgjërohem, pse bën kështu? Unë nuk kam për të hequr dorë prej fesë sime, – i thoshte ai. Kështu pati kaluar ajo ditë dhe ajo natë; mirëpo nëna nuk futi
në gojë as një kafshatë bukë, e as një gllënjkë ujë. Nëna e tij dukej po aq e vendosur sa edhe i biri. U gdhi, e prapëseprapë, tek nëna e tij nuk kishte kurrfarë ndryshimi. Mirëpo, në anën tjetër kishin ndodhur shumë ndryshime, qielli kishte filluar të fliste, dhe Xhebrail Fjalëdrejti urdhëronte “se sjellja e mirë ndaj prindërve ishte detyrim për mbarë myslimanët, veçse kjo nuk do të thoshte se ata mund të kundërshtonin urdhrat e Allahut.” Tani, Sadi sikur ishte qetësuar paksa, andaj e dinte mirë se ç’do të bënte paskëndej.
– Për Zotin o nënë, megjithëse të dua aq shumë, edhe sikur ta di se ke njëmijë shpirtra, e çdo ditë do të japësh nga njërin, unë prapëseprapë nuk heq dorë prej fesë sime, – i tha ai sërish nënës së vet me tërë vendosmërinë.
Saora, nëna, e cila e vuri re seriozitetin e të birit, hoqi dorë prej mosngrënies dhe mospirjes, kështu që vendosi të përdorte një tjetër metodë. Pikërisht ky ishte edhe vendi ku Sadi filloi të merrte frytet e para të mirësjelljes karshi prindërve.

ilmihali

Share this post

scroll to top