Shtëpia e Aishes

profeti-muhamed-14.jpg

Aishja nuk jetonte në ndonjë pallat të madh. Banesa e saj ishte një dhomë e vogël, e mjaftueshme vetëm për nevojat e saj. Pozicioni i saj ishte në anën lindore të xhamisë së Profetit dhe dera hapej nga ana perëndimore. Xhamia ishte si kopshti i shtëpisë së Aishes. Kur i Dërguari i Zotit qëndronte në xhami për adhurim, sidomos gjatë Ramazanit, Aishja mund ta arrinte atë që nga dhoma e saj për t’i krehur atij flokët ose të shkonte shpejt e shpejt për të marrë ndonjë gjë për të nga dhoma e saj.[1] Muret e dhomës së saj, të cilat ishin mbushura me baltë, kishin gjatësinë e gjashtë apo shtatë krahëve. Tavani i saj, të cilin kushdo mund ta prekte me një dorë të ngritur lart, ishte i mbuluar nga gjethe hurmash dhe palme, i mbushur i tëri me lesh për të parandaluar shiun të rridhte poshtë. Dera e vetme prej druri e shtëpisë nuk rrinte kurrë e mbyllur për askënd.[2]

Aishja e shpjegon kështu madhësinë e dhomës së saj:

“Në qoftë se i Dërguari i Zotit ishte duke falur namazin, kur unë isha duke fjetur, ai do ta prekte këmbën time kur ishte në sexhde, dhe vetëm nëse unë mblidhja këmbët e mia, i Dërguari i Zotit mund të shkonte lehtësisht në sexhde.”[3]

Shtëpitë e grave të tjera nuk kishin ndonjë dallim kushedi se çfarë nga ajo e Aishes, përveç faktit se dyert e tyre hapeshin nga jashtë xhamisë dhe jo brenda në xhami. Duke përshkruar thjeshtësinë e dhomave të tyre, Hasani ka thënë:

“Njëherë, gjatë kalifatit të Osmanit të nderuar (r.a.), unë po vizitoja shtëpitë e bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut dhe kur ngrija dorën lart, arrija të prekja tavanin e tyre.”[4]

Kur u desh të zmadhohej xhamia e profetit dhe u shtrua për diskutim prishja e shtëpisë së Aishes së nderuar (r.a.), imami i famshëm Said ibn Musejebi, u ngrit në këmbë dhe i tha kështu kalifit të atëhershëm, Uelid ibni Abdulmelikut:

“Unë dëshiroj që ju të mos e shkatërroni këtë dhomë në mënyrë që njerëzit të mund të jenë të kënaqur me atë që kanë. Vetëm kësisoj, brezat e ardhshëm do të arrijnë ta kuptojnë se me çfarë lloj jete ishte i kënaqur i Dërguari i Zotit, edhe pse Ai kishte në dorë çelësin e gjithë thesareve të botës.[5]

Në të ndodhej një minder prej hasre, një jastëk lëkure i mbushur me kashtë, një copë lëkure e varur në një gozhdë, një sapllak, një kovë për ujë dhe për të vënë në të hurmat, dhe një tas për ujë të pijshëm. Nuk kishte asnjë dritë në këtë shtëpi të vogël. Tregohet që, njëherë, Aishja pati thënë:

“Në kohën e të Dërguarit të Allahut, ne, mund të ndodhte që të kalonim edhe dyzet net rresht pa ndezur asnjë llambë ose ndonjë mjet tjetër për ndriçim.”[6] Në ato kohë, vaji i përdorur për ndriçim nuk ishte tjetër pos atij që përdorej edhe për të gatuar. Aishja thoshte:

“Sigurisht nëse do të kishte ndonjë fije vaj në llambë, atë medoemos do ta përdornim për të gatuar.”[7]

Aishja kontrollonte me duar nëpër dhomë kur trembej se mos i Dërguari i Allahut kishte ikur. Kushtet e grave ishin të njëjta me ato të shtëpive të tyre. Sipas Aishes, pjesëtarët e familjes së të Dërguarit të Allahut, nuk kanë ngrënë asnjëherë bukë gruri për tri ditë me radhë,[8] derisa i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe shkoi pranë Zotit të Tij të Gjithëmëshirshëm. Në më të shumtën e herëve atyre u binte të hanin bukë apo gjellë të gatuar në furrë, dhe shpesh kalonte edhe një muaj i tërë pa zjerë asnjë gjellë.[9] Nganjëherë kalonin edhe tre muaj të plotë që ata hanin vetëm hurma dhe pinin ujë zemzemi.[10]

Kur hanin, ata uleshin së bashku në sofër dhe hanin në të njëjtën enë. Nganjëherë të afërmit e ndanin ushqimin me ta. Asgjë nuk ndryshoi në këtë shtëpi të lumturisë; as trofetë e luftës që fituan në vitet e mëpasme, e as dhuratat që u dërgonin përkrahësit e tyre, nuk e ndryshuan thjeshtësinë e jetës së Profetit Muhamed (s.a.s.). Deri në momentin kur Ai kaloi përmes perdes mes kësaj bote dhe botës tjetër, i Dërguari i Allahut mbeti më i pastri dhe më i përuluri ndër njerëzit.

Aishja, në lidhje me ditën kur ai ndërroi jetë, thoshte:

“Në ditën që i Dërguari i Zotit u nda nga jeta, për ushqim kishte mbetur vetëm pak elb mbi dollap. Nuk kishte asgjë më shumë. Unë e hëngra atë dhe kështu arrita të qëndroj në këmbë. Por meqenëse ajo ishte një sasi krejt e pakët, begatia e bekuar humbi dhe ajo sasi mbaroi mjaft shpejt.”[11]

Ndërsa rrethanat e jetës së saj me të Dërguarin e Zotit ishin të vështira, edhe 50 vitet që ajo i ka jetuar si një grua e ve nuk ishin të ndryshme; ajo shpërndante lëmoshë për të tjerët nga çdo gjë që zotëronte, madje në më të shumtën e herëve mbante për vete vetëm ujë zemzemi dhe hurma. Ajo thoshte:

“Kurrë nuk kam ngrënë deri në ngopje, edhe pasi vdiq i Dërguari i Allahut.”[12]

Ajo vazhdoi të praktikonte një më një, të gjitha ato që kishte parë dhe dëgjuar nga Profeti ynë i Dashur. Një ditë, i Dërguari i Zotit i tha:

“O Aishe, shpëtoje veten nga zjarri i Xhehenemit, qoftë edhe duke dhënë vetëm një gjysmë hurme për bamirësi, pasi kjo do të lehtësojë edhe urinë e dikujt, por edhe do të shërbejë si lehtësim për ndonjë nevoje të madhe tënden.”[13]

Një person i varfër dhe në nevojë erdhi në shtëpinë e Aishes dhe ajo ia dha atij çdo gjë që kishte si bamirësi. Më vonë, ajo u kërkoi njerëzve rreth saj për t’ia sjellë përsëri personin që ajo kishte ndihmuar. I Dërguari i Allahut, me ta parë këtë skenë, e ndërpreu dhe i tha:

“Jep dhe mos mat, po deshe që edhe ndaj teje të mos mbahet llogari.”[14]

Një ditë tjetër, ajo dëgjoi të Dërguarin e Zotit duke u lutur:

“Zoti im! Më bëj mua të jetoj si njeri i varfër, ma merr jetën time si njeri i varfër, dhe më ringjall mua së bashku me njerëzit e varfër në Ditën e Gjykimit!”

“Pse, o i Dërguari i Allahut?”, – e pyeti ajo.

Ai u përgjigj:

“Sepse të varfrit do të hyjnë në Xhenet më shumë se dyzet vjet para të pasurve. O Aishe! Duaji njerëzit e varfër e që janë në nevojë; mbaji ata gjithnjë afër, sepse në Ditën e Ringjalljes Allahu ka për të të lavdëruar.”[15]

Një ditë, Profeti Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të, hyri në dhomën e Aishes dhe vuri re se ajo kishte vendosur unaza të argjendta. Ai, me një ton që shprehte pakënaqësi, e pyeti:

“Çfarë janë ato, o Aishe?”

“I vura që të të pëlqej ty, o i Dërguari i Allahut.”, – iu përgjigj ajo.

Ai i tha me të njëjtin ton:

“A ke paguar zekat për to?”, – ia ktheu Ai me të njëjtin ton.

Ajo e dinte se zekati nuk ishte i detyrueshëm për të tilla unaza, vlera e të cilave ishte tejet e vogël, por me sa dukej, kjo ishte një tjetër situatë në të cilën të ndenjurit afër Profetit do të thoshte të ishe ndryshe nga të tjerët; thellësisht e hidhëruar, ajo u përgjigj në mënyrë mohuese. Pas përgjigjes së saj, i Dërguari i Zotit, i cili dëshironte që edhe ata që gjendeshin rreth tij të bënin një jetë të thjeshtë si të vetën, i tha se ky incident i vogël mund të jetë i mjaftueshëm për ta çuar atë në Xhehenem.[16]

Fjalët e tij e goditën shumë rëndë atë, duke e bërë madje edhe të humbiste ndjenjat për një çast. Pas kësaj, Aishja nuk mbajti më asnjëherë asgjë për vete, pavarësisht sa e vogël ishte, pa menduar veç për jetën e përtejme. Ajo dhuroi gjithë ç’kishte. Ajo mësoi se pasuria e saj më jetike, në këtë botë dhe në botën tjetër, ishte veç afërsia e saj me të Dërguarin e Allahut; humbja e një pasurie të tillë ishte e paimagjinueshme për një femër kaq të zgjuar. Një ditë, i Dërguari i Zotit i kërkoi asaj që të bënte diçka pas vdekjes së Tij:

“Nëse synon të ribashkohesh me mua, duhet të jetosh si një udhëtar në këtë botë! Rri larg nga të qenit pranë pasurisë dhe mos mendo për blerjen e një veshjeje të re përpara se ajo që ke, të vjetërsohet aq sa të mos mund të përdoret më.”[17]

I Dërguari i Zotit ishte një njeri i moderuar, i cili dinte t’i vinte në baraspeshë nevojat e kësaj bote dhe të ahiretit në mënyrën më të mirë të mundshme. Përmes mesazhit që iu shpall, Allahu i Madhëruar e bëri Atë të kuptonte se Ai duhet vazhdimisht të kërkonte shpërblimin në jetën e përtejme, pa harruar detyrat e tij të kësaj bote[18]. Në natyrën njerëzore ekziston një shkallë ambicieje që nuk njeh të ngopur; njerëzit janë krijuar në mënyrë të tillë që të mbeten gjithmonë të pakënaqur me botën dhe çdo gjë në të. Kjo ambicie, në Islam ka për qëllim të përdoret për të fituar jetën e përtejme, sepse Kurani tregon se individët, të cilët jetojnë vetëm për këtë botë dhe nuk e marrin në konsideratë botën tjetër, do të humbasin gjithçka. I Dërguari i Zotit ishte edhe më i vetëdijshëm për këtë, dhe kur Ai erdhi në shtëpi pas shpalljes së ajetit në fjalë, u kthye nga gratë e Tij dhe i nxiti ato që të tregonin të njëjtën ndjeshmëri:

“Në qoftë se një njeriu i jepen dy lugina të mbushura me ar, ai do të synojë për të tretën. Vetëm toka është ajo që mund ta ngopë. Megjithatë, pasuria është dhënë për të bërë të mundur kryerjen e adhurimeve të përditshme dhe për të përmbushur kërkesat e zekatit. Nuk ka dyshim se Zoti e pranon pendimin e njerëzve që e kërkojnë.”[19]

Pavarësisht se nga bashkëshortet e tij varfëria e tyre kurrë nuk konsiderohej si një problem, i Dërguari i Zotit, megjithatë, u përpoq që si e si t’i ngushëllonte ato. Kur Ai vizitonte dhomat e tyre, i pyeste:

“A ka ndonjë gjë për të ngrënë në shtëpi?” Me të mësuar se nuk kishte asgjë, ai thoshte: “Unë jam duke agjëruar, dhe saora përqendrohej përsëri në adhurim.[20]

Medinasit ndonjëherë përpiqeshin të lehtësonin problemet që kishte Profeti, duke i dërguar Atij ushqime dhe pije.[21] Por kjo ishte jeta që Ai e kishte zgjedhur vetë; Ai parapëlqeu të jetonte në mënyrë sa më të thjeshtë; megjithatë ajo që bënë sahabët për Të, ishin nga një mirësi më vete që padyshim do të shpërblehet. I Dërguari i Zotit ishte i ndjeshëm, Ai asnjëherë nuk rrezikonte të konsumonte qoftë edhe një mirësi të vogël që i përkiste jetës së përtejme, qysh në këtë botë. Ai kishte vetëm një dyshek të thjeshtë të mbushur me kashtë të ashpër. Një ta parë atë një grua nga medinaset, shkoi menjëherë tek Aishja me një dyshek të ri të mbushur me lesh si dhuratë. Kur i Dërguari i Zotit u kthye në shtëpi, ai e pyeti menjëherë:

“Ç’është ky, o Aishe?”

Aishja iu përgjigj:

“O i Dërguari i Zotit! Një grua nga ensarët, e pa shtratin tënd kur erdhi në shtëpinë tonë, dhe me t’u kthyer në shtëpi, dërgoi këtë.”

Edhe pse mirësia e gruas medinase ishte për t’u vlerësuar, parapëlqimi i Tij për një shtrat të thjeshtë ishte një gjest edhe më i bukur akoma. Ai u kthye nga Aishja dhe i tha:

“Ktheja mbrapsht! Betohem në Allahun e Gjithëfuqishëm, se nëse unë do të dëshiroja, Allahu më vinte në dispozicionin tim malet, duke i kthyer tërësej në ar dhe argjend.”41[22]

Edhe pse mëndafshi dhe ari janë të lejuara për gratë, i Dërguari i Zotit dëshironte që gratë më të afërta të Tij të ishin më të kujdesshme, andaj Ai u kërkoi atyre të qëndronin larg edhe nga mirësitë e përditshme. Një ditë, ai pa dy rrathë të artë në dorën e Aishes, dhe i tha:

“A dëshiron të të tregoj diçka më të mirë se këto? Nëse i heq ato dhe blen dy byzylykë argjendi në vend të tyre dhe pastaj i ngjyros me shafran, do të ishte më mirë.”[23]

I Dërguari i Zotit, jo vetëm jepte këshilla, por Ai gjithashtu ndiqte me vëmendje ndryshimet që ndodhnin në rrethin e Tij të ngushtë. Ishte e qartë nga thjeshtësia që ai kishte zgjedhur për vete, se Ai dëshironte gjithashtu sjellje të ngjashme edhe nga njerëzit që ishin më afër Tij. Ai dëshironte t’i mbante ata larg nga çdo gjë që do t’i lidhte pas kësaj bote, gjë e cila do t’i bënte të harronin ahiretin. Kur Ai dhe ushtria e Tij shkuan për të luftuar në Tebuk, që ishte vend-takimi me perandorinë bizantine, mbretërinë më të madhe të kohës, Aishja kishte blerë një copë leckë që kishte një pikturë mbi të dhe e kishte varur si perde në njërën anë të shtëpisë. Kur i Dërguari i Zotit u kthye nga Tebuku dhe e pa, u shpreh i nevrikosur:

“Ma hiq atë nga sytë! Ndërroje, sepse sapo hyj në shtëpi dhe shoh atë, më kujtohet kjo botë.”[24]

Pas betejës së Hajberit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) caktoi tetëdhjetë arka me hurma dhe njëzet arka me elb që do të akordoheshin çdo vit për gratë e Tij të dëlira. Por për shkak të bujarisë së Aishes dhe numrit të madh të vizitorëve të saj, kjo sasi nuk ishte e mjaftueshme që t’i përmbushte të gjitha nevojat.

Në ditën kur Profeti i Zotit u ngjit në Banesën e Qashtër, në shtëpinë e Tij nuk kishte asgjë më shumë sesa gjysmë tasi me elb. Madje, edhe ajo ishte huazuar nga një fqinj çifut pas dhënies së parzmores prej hekuri të të Dërguarit të Allahut si garanci.[25]

Aishja ka jetuar në këtë shtëpi në kushte mëse modeste. Jetesa e saj e thjeshtë, që tregon se kënaqësia dhe lumturia e vërtetë nuk rrjedh nga pasuria e kësaj bote, u ruajt me fanatizëm edhe pas ikjes së Profetit nga kjo botë. Dhoma e saj, e vogël në sipërfaqe, ka vijuar me vite t’u shërbejë brezave të tërë të myslimanëve, ashtu si një burim i cili derdhet në shumë lumenj. Në ditët e mëvonshme, njëlloj si atëherë kur i Dërguari i Zotit ishte ende gjallë, përgjegjësia kryesore për Aishen ishte të ushqyerit e zemrave dhe mendjeve të njerëzve.

[1] Buhari, itikaf, 4.

[2] Buhari, edebul Mufred, 1/272.

[3] Buhari, salat, 21.

[4] Ibni Sa’d, Tabakat, 1/506; Tahmaz, Sejidatu Aisha 32.

[5] Ibni Sa’d, Tabakat, 1/500; 8/167; Sujuti, Durru’l Mensur, 7/554.

[6] Tajalisi, Musned, 207.

[7] Harith ibni Ebi Usame, Musnatu’l Hadith, 2/996; Taberani, El-Muxh’amul Eusat, 8/360; Ishak ibni Rahuja, Musned, 3/1000.

[8] Buhari, et’ime, 73; Muslim, zuhd, 20.

[9] Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/217.

[10] Buhari, rikak, 17.

[11] Buhari, hums, 3.

[12] Ebu Nuajm, Hiljetul Eulija, 2/46; Tahmaz, es-Sejidatu Aisha, 38.

[13] Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/79.

[14] Ibni Hibban, Sahih, 8/151; Bejhekiu, Sunen, 7/12.

[15] Tirmidhiu, zuhd, 37; Bejhekiu, Sunen, 7/12.

[16] Ebu Davud, zekat, 3; Hakim, Mustedrek, 1/547; Bejhekiu, Sunen, 4.

[17] Tirmidhiu, libas, 38; Hakim, Mustedrek, 1/547

[18] Kasas, 77.

[19] Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/55, 5/218.

[20] Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/49; Ibni Hibban, Sahih, 8, 393.

[21] Buhari, hibe, 1; Ibni Maxhe, zuhd, 10.

[22] Bejhekiu, Shuabu’l iman, 2/173; Taberani, Mu’xhemul Eusat, 6/141.

[23] Nesai, zina, 39.

[24] Ibni Hibban, Sahih, 2/447; Nesai, Sunetu’l Kubra, 5/502.

[25] Buhari, xhihad, 88; Tirmidhi, buju, 7.

ilmihali

Share this post

scroll to top