Gjendja e pikëllueshme e të pambrojturve

muhammad-name-wallpaper-8481978.jpg

Këtej e tutje Meka po vepronte më e planifikuar karshi myslimanëve. Fillimisht ata zgjidhnin ata që ishin më të dobët, e që nuk kishin kurrkënd që të mund t’i mbronte. Kështu kishin rënë në një mendje me njëri-tjetrin, që prijësit e çdo familjeje të gjenin anëtarët e fisit që ishin bërë myslimanë, e t’i rrihnin e torturonin me sa të kishin mundësi, derisa të ktheheshin prapë në fenë e tyre. Vetëm Ebu Xhehli, nëse dëgjonte ndokënd të thoshte “La ilahe il’lallah”, rendte menjëherë për tek ai, sidomos nëse ky do të ishte ndonjë i dobët e i pambrojtur, merrte kënaqësi së torturuari derisa ky i fundit të hiqte dorë prej Islamit. Në këto tortura, Suhejb ibni Sinani humbi kujtesën, e nuk dinte më se ç’thoshte. Ebu Kufejhen e lidhën me zinxhirë nga këmbët, e nxorën në rërën e nxehtë përvëluese të shkretëtirës, dhe e torturonin duke i vendosur gurë të rëndë mbi trup, ku ai rënkonte nga mëngjesi në darkë për pakëz mëshirë.  Edhe ai humbi kujtesën, duke i humbur të gjitha funksionet e mendjes në nxehtësinë flakëritëse të dunave shkretëtirore. Në trupin e Habab bin Eretit shihje vetëm shenja djegjesh; pronari e torturonte pareshtur derisa ai të hiqte dorë prej fesë së re, madje ndonjëherë nxehte një shufër hekuri, e ia ngjiste pas trupit. Një ditë tjetër, e patën kapur për flokësh dhe ishin munduar që ta hidhnin në zjarr; gjoja kjo ishte një mënyrë edukimi. Kjo ishte një pamje e padurueshme; ata e mbanin atë për një kohë aq të gjatë, saqë yndyra që dilte prej kurrizit të tij fiknin zjarrin, e cila shërbente si njëfarë mënyre, sado e vogël, “qetësimi”. Pikërisht në këto tortura, shërbëtorja me emrin Dhenire do të humbte syrin, shërbëtorja e familjes së Dhuhres do të rënkonte nën kërbaçët e dhimbshëm të Esued bin Ebi Jegusit. Njëra nga shërbëtoret që do të torturoheshin kaq keq ishte edhe shërbëtorja e Omerit, i cili nuk e kishte pranuar ende fenë islame në atë kohë.
– Nëse nuk do të isha lodhur, ta tregoja unë qejfin ty, – thoshte ai.
– Nesër do të jetë Zoti im, Ai që ka për të ta kthyer nesër në të njëjtën mënyrë, – ia kthente atij shërbëtorja si kundërpërgjigje të birit të Hatabit, vetëm se nuk do t’ia shihte hairin këtyre fjalëve në ato ditë aq të vështira.
Në familjen e Abdudarëve ishte një çift nënë e bijë që punonin si shërbëtore; nëna e humbi kujtesën përgjatë torturave që nuk dinin të mbaronin. Madje ajo arriti në një gradë të atillë që nuk dinte ç’thoshte.
Ishte pikërisht Ebu Bekri i nderuar, që si gjithnjë, rendte i pari për t’i ndihmuar këta njerëz që thuajse gjatë tërë jetës së tyre nuk e kishin njohur lirinë. Ai ia blinte ato të zotëve e u falte menjëherë lirinë. Madje, Ebu Kuhafja, i cili kishte dëshmuar një rast të tillë i tha:
– Me ç’po shoh po i blen një e nga një gjithë shërbëtorët, e mandej po u fal lirinë. Të paktën sikur të kishe zgjedhur ata që janë pak më të fortë, mund të vijë një ditë që do të të duhen si mbështetje, e ata mund ta bëjnë këtë më mirë.
– Synimi im i vetëm me këta të mjerë, është kënaqësia e Allahut,
– ia ktheu Ebu Bekri, me një ton zëri që tregonte se nuk do t’ia hapte kurrë portën ndonjëfarë përfitimi personal.
Nuk do të kalonte shumë kohë, dhe ajetet do ta tregonin një e nga një se sa të drejtë kishte Ebu Bekri i nderuar (r.a.) teksa vepronte me
një mënyrë të tillë. Amar bin Jasiri, i cili ishte kthyer në mysliman bashkë me nënën dhe babanë njëkohësisht, ishte shërbëtor i Beni Mahzumit. Ebu Xhehli, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes, i nxirrnin që me të aguar në mes të shkretëtirës, për t’i torturuar me të gjitha metodat, derisa ata vetë të lodheshin. Një ditë, Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të i pa në këtë gjendje, dhe i erdhi jashtëzakonisht shumë keq.
– Vetëm pak durim, o familja e Jasirëve! Mos të kini dyshim, se vendi ku do të shkoni do të jetë Xheneti, – i pati përgëzuar Ai, që në të gjallë.
Me të vërtetë, baba Jasiri i moshuar, shkoi në Xhenet pikërisht në mes të këtyre torturave. Ndërsa nëna, Sumeja, vdiq nga një shigjetë e goditur nga dora e Ebu Xhehlit, i cili arriti kulmin e mllefit teksa shihte që as vdekja e të shoqit, nuk e bënte këtë grua të hiqte dorë prej fesë së re, të Islamit. Edhe ajo kishte arritur kësodore gradën e martires duke mos devijuar asnjëfarësoj nga e drejta dhe e vërteta, që përfaqësonte feja islame. Sumeja e nderuar, do të ishte kësisoj e para e dëshmorëve të Islamit. Ajo që ishte më tepër pikëlluese ishte se të gjitha këto po ndodhnin në sytë e Amarit. Mbi të vendosej një gur më i nxehtë, nëse i mëparshmi shihej si i papërshtatshëm për torturë, pasi mund të ishte ftohur! E mbajtën aq gjatë në tortura fizike dhe mendore, saqë e humbi disa herë me radhë ndërgjegjen, duke ardhur në një gjendje që nuk dinte se ç’thoshte.

– Nuk kemi për të të lënë të lirë pa na i përmendur me fjalë të mira Latin dhe Uzën, – i thoshin ata. Do ta linin menjëherë të lirë nëse i lavdëronte këta dy idhuj. Amarin, për ta lënë, e lanë të lirë, por ai do të vuante përgjatë tërë
jetës prej këtij fakti.

Megjithëse nuk iu pakësua, gjatë gjithë jetës, asnjëherë dashuria që kishte për Allahun (xh.sh.) dhe Profetin e Tij Paqja qoftë mbi Të, prapëseprapë nuk ia falte dot vetes që e pati ndotur gjuhën duke përmendur emrat e atyre idhujve të rremë. Mund të thoshe se kishte mbaruar krejt… Ashtu, me krahë e brinjë të thyera, erdhi pranë Resulullahut (s.a.s.). I vinte shumë turp, saqë nuk e shihte dot në sy Profetin e Njerëzimit. Saora, Profetit filluan t’i zbrisnin fjalë të reja nga Mëshiruesi. Erdhi Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili thoshte, se fjalët e këqija të thëna në kushte të vështira nuk do të ishin shkak përuljeje, për aq kohë sa ishin thënë pa u ndjerë me zemër. Edhe Amari tanimë mund të merrte frymë më lehtësisht. Sikur nuk i ndjente më dhimbjet e tmerrshme, teksa rrinte tani pranë të Dërguarit më të fundmë të Allahut Paqja qoftë mbi Të.

ilmihali

Share this post

scroll to top