Vula e vulës së Profetëve, Profeti Ynë

profeti-muhamed-55.jpg

Shpjegimi i Profetit tonë në librat e shenjtë si Profeti i fundit dhe njohja e Tij me një vulë si shenjë e profetësisë, është një e vërtetë që dihet nga besimtarët e librave të shenjtë. Por kjo është gjithashtu një mrekulli, sepse i përket vetëm Profetit tonë paqja qoftë mbi të!.

Said ibn Jezidi transmeton në një hadith: ”Tezja më çoi tek i Dërguari i Allahut dhe iu drejtua: O i Dërguari i Allahut! Djali i motrës sime vuan nga një sëmundje e rëndë dhe ka dhimbje të forta.

Profeti ma fërkoi kokën me duart e bekuara. U lut për mua. Mori abdest dhe unë piva nga uji i abdesit të Tij. Pastaj filluam namazin. Vula në shpinën e Tij ishte e kuqe dhe dukej si një copë mishi.”[1]

Kurtubiu thotë se vula ishte aq e madhe, sa mund të shihej nga të gjithë.[2]

Xhabir ibn Semure transmeton: “Pashë vulën mes dy shpatullave të të Dërguarit. Ishte një copë mishi e kuqe në madhësinë e vezës së pëllumbit.”[3]

Përsëri në një hadith të Rumejses (r.a.) thotë: “Isha aq afër Profetit tonë të nderuar, saqë po të kisha dashur, mund t’ia puthja vulën profetike. Por nuk munda ta puth nga respekti i madh. Në atë çast erdhi lajmi i vdekjes së Sa’d ibn Ubades. I Dërguari tha: “U drodh Arshi nga vdekja e Sa’dit.”[4]

Ashtu siç e përmendëm dhe më parë, mes besimtarëve të feve të tjera, flitej shumë rreth vulës së profetësisë si shenjë e Profetit të fundit. Këtë e shohim edhe në transmetimet në lidhje me konvertimin në mysliman të Selman Farisiut:

Jeta prej skllavi e Selman Farisiut fillon në Uadil Kura duke iu shitur një çifuti. Pasi ndryshon dhjetë pronarë, përfundon në Medinë, te një çifut medinas. Sapo sheh Medinën, kupton se ky ishte vendi i përshkruar nga prifti Amurije, mbështetur në njohuritë e Teuratit dhe Ungjillit. Selman Farisiu tashmë e kishte gjetur vendin që kërkonte. Tani kishte ardhur koha të gjente atë njeri të shquar të cilin aq shumë kishte dëshiruar ta takonte. Ndërkohë që Selman Farisiu priste me padurim të takohej me Profetin, një ditë merr vesh se Profeti kishte emigruar drejt Medinës dhe ndodhej në hyrje të qytetit, në xhaminë e fshatit Kuba. Le ta dëgjojmë nga gojë e tij çastin më emocional të jetës së tij:

“Një ditë isha duke punuar tok me pronarin në pemishten e hurmave. Një çifut erdhi pranë nesh duke vrapuar dhe duke shprehur shqetësimin nga ardhja e të Dërguarit të Zotit në Medinë, tha:

-Zoti i shkatërroftë të bijtë e Kajles! – dhe na lajmëron për mbledhjen e myslimanëve rreth profetit në Kuba. Unë u emocionova shumë kur dëgjova ato fjalë. Gati sa nuk u rrëzova nga pema në të cilën po mblidhja hurma.

-Si the? Çfarë the? – e pyeta çifutin, por pronari u nxeh dhe më goditi me grusht.

-E ç’të duhet ty? Shiko punën tënde! – m’u përgjigj.

-Asgjë. Desha të kuptoja ato që tha, – ia ktheva.

Më në fund, atë mbrëmje, Selman Farisiu shkon tek shtëpia në Kuba në të cilën gjendeshin Profeti me myslimanët dhe kur e sheh të Dërguarin e Zotit, kupton që Ai ishte njeriu i shquar mbas të cilit kishte rendur gjithë jetën. Për të verifikuar cilësitë e Profetit të fundit, në bazë të njohurive të marra në Sivrihisar rreth të Dërguarit të Zotit, i afrohet Profetit dhe e qeras me hurmat që kishte marrë me vete dhe i drejtohet kështu:

-E di që je një njeri i mirë. Pranë teje ka njerëz të varfër. Këto hurma pranojini si sadaka. Në mes të gjithëve këtu, ju më dukeni më i përshtatshmi. Profeti i merr hurmat dhe ia shpërndan shokëve të tij duke mos ngrënë asnjë.

“Kjo është një nga cilësitë që kam mësuar rreth Profetit të fundit”, mendon Selmani me vete. Largohet prej aty.

Kur Profeti shkon në Medinë, atëherë Selmani sërish përgatit ca hurma dhe shkon tek Ai.

-E pashë që nuk morët nga sadakaja. Ndërsa këto janë një dhuratë e vogël posaçërisht e përgatitur për ju, – i thotë dhe ia jep. I Dërguari i Zotit fton shokët e tij për të ngrënë bashkë me të. “Kjo është cilësia e dytë që më është kumtuar rreth profetit të fundit”, mendon Selmani me vete.

Për të verifikuar cilësinë e tretë të Profetit të fundit, që ia kishte thënë prifti i Sivrihisarit, Selman Farisiu, ndjekësi i të Dërguarit të Zotit, një ditë, duke marrë shkak nga një varrim i një sahabe, kur e sheh Profetin me shokët e Tij në varrezat në Xhennetul Baki, kërkon të shohë vulën në shpinën e Tij. Profeti, duke e kuptuar qëllimin e tij, e hap këmishën dhe Selman Farisiu sheh vulën profetike në madhësinë e një veze pëllumbi, mes dy shpatullave të të Dërguarit të Zotit dhe duke përqafuar Profetin, puth vulën i emocionuar.[5]

Përsëri në lidhje me vulën profetike ka një transmetim të Abdullah ibn Serxhisit (r.a.): Një ditë i shkova për vizitë të Dërguarit të Zotit. Ishte ulur mes shokëve të Tij. I shkova nga pas. Duke kuptuar qëllimin dhe dëshirën time, e lëshoi pak xhyben prapa. Pashë vulën e profetësisë sa një grusht. Rreth vulës kishte disa nishane që ishin si margaritarë. U ktheva dhe dola përballë Tij:

-Zoti të faltë, o i Dërguari i Zotit!

-Edhe ty! – m’u përgjigj. Shokët që ndodheshin aty m’u drejtuan:

-I Dërguari i Zotit kërkoi falje për ty.

-Po, kërkoi si për mua, ashtu dhe për ju, – ia ktheva.

-Pastaj Profeti i nderuar lexoi këtë ajet kuranor:

“Dije se nuk ka Zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret.”(Muhammed, 19)[6]

Në një transmetim të Imam Bejhakiut, thuhet: “Kur Profeti ynë ndërroi jetë, shokët e tij kanë pasur kontradikta dhe kanë dyshuar për vdekjen e Tij për shkak se fytyra nuk i kishte ndryshuar. Esma binti Umejs vendos dorën në shpinën e bekuar të të Dërguarit të Zotit. Kur nuk e gjen vulën profetike, kupton që Ai kishte vdekur. Sepse vula profetike ishte ngritur lart.”[7]


[1] Buhariu, 1/81, 3/1301, 5/2146; Muslimi, 4/ 1823: Tirmidhiu, 5/ 602.
[2] Mevahibul-Ledunijje, 1/ 116.
[3] Muslimi, 4/ 1822; Tirmidhiu, 5/ 602; Ahmed b.Hanbel, 5/ 104.
[4] Ahmed b.Hanbel, 6/ 329, Taberani, Muxheul- Kebir, 24/276.
[5] Tirmidhiu, Shemail-i Muhammedije, 1/ 44-45.
[6] Tirmidhiu, Shemail-i Muhammedije, 1/46 Ibn Sa’d, Tabakatul Kubra, 1/426; Ahmed b.Hanbel, 5/ 82; Muslimi, 4/ 1823.
[7]  Ibn Sa’d, Tabakatul-Kubra, 2/271.

ilmihali

Share this post

scroll to top