Dinjiteti dhe qetësia e Profetit Muhamed (s.a.s.)

flower-5056746.jpg

Të jesh dinjitoz, do të thotë të veprosh me maturi, kujdes, seriozitet dhe ndjeshmëri, dhe kjo përbën një nga cilësitë e dukshme të karakterit të Profetit.

Dinjiteti është serioziteti dhe maturia e lindur nga besimi. Nuk duhet të ngatërrojmë dinjitetin me krenarinë dhe mendjemadhësinë. Sjellja serioze e një drejtuesi pranohet si dinjitoze, por nëse ky seriozitet pasqyrohet edhe në familje, atëherë nuk vlerësohet si një sjellje dinjitoze. Përkundrazi, ndaj pjesëtarëve të familjes duhet të sillet me dhembshuri dhe mëshirë.

Nëse tek një njeri dinjiteti kurorëzohet me modestinë, atëherë kthehet në një virtyt të shumëkërkuar. Këto cilësi kanë qenë të bashkuara në një tek Profeti ynë. Ai vazhdimisht pasqyronte një dinjitet të shoqëruar me ndjenjat e respektit dhe në të njëjtën kohë dhuronte dashuri me modesti. Ai, paqja qoftë mbi të! ishte njeri dinjitoz, serioz dhe i nderuar. Ata që e shihnin për herë të parë, dridheshin përballë dinjitetit dhe nderimit të Tij, por kur hynin në klimën mëshiruese, arrinin qetësinë dhe rehatinë.

Njeriu i cili merr përsipër detyrën më serioze dhe të rëndësishme, profetësinë, padyshim që është dinjitoz dhe i fisnik. I Dërguari i Zotit mendonte vazhdimisht për Zotin pa reshtur as edhe një çast, ishte një monument dinjiteti. Kur Abdullah b. Selam, një hebre i ditur e pa për herë të parë, tha: “Nuk kam parë asnjë shenjë gënjeshtre tek ai person” dhe u befasua nga respekti dhe serioziteti i Tij. Pas kësaj vendosi të bëhej mysliman.

Profeti ynë ka qëndruar gjithmonë larg sjelljeve që mund të cilësohen si të shthurura. Gjatë jetës së Tij asnjeri nuk ka dëgjuar ndonjë fjalë, apo të ketë parë ndonjë sjellje të turpshme. Nuk përgojonte njeri, urrente thashethemet dhe përpiqej të kishte një mendim të mirë për të gjithë. I Dërguari i Zotit krahas fjalëve: “Braktisja e punëve që s’kanë lidhje me të, është tregues se sa mysliman i mirë është ai person”, është sjellë brenda kufirit të etikës dhe dinjitetit.

Shakatë e Tij karakterizoheshin nga mençuria dhe mësimi. Nuk fliste sa për të kaluar radhën. Me fjalët: “Ai që beson Zotin dhe ditën e fundit, të flasë drejtë ose të heshtë!”, i nderuari i të nderuarve thekson se nuk duhet harxhuar kot dhuntia e të folurit.

Ai ishte një drejtues, një lider. Duke e ditur se një e çarë e vogël në qendër mund të bëhej shkas për shkatërrime dhe rrënime të mëtejshme, Ai me karakterin dhe moralin e Tij nuk u bë asnjëherë një shembull i keq për ta. Edhe armiqtë më të betuar nuk mundën të hedhin pluhur mbi personalitetin e Tij të veçantë. Nuk mundën të gjenin tek Ai ndonjë të metë që mund të cilësohet si një dobësi morale e Tij. Kur donin të njollosnin Atë dhe çështjen e Tij, kapeshin pas gjërave të pabaza dhe imagjinare.

Ai fliste pak dhe saktë. Fjalët i ndante një nga një. Kur fliste Ai, të gjithë e dëgjonin. Ai që e dëgjonte, mësonte përmendësh fjalët e Tij. Nuk ka qeshur asnjëherë me zë të lartë, as të qeshur në përgjithësi, ka buzëqeshur. Kur qeshte, i qeshnin edhe sytë dhe pasqyronte ngrohtësi. Njerëzve përreth u ka dhuruar siguri. Zakonisht ulej këmbëkryq ose mbi gjunjë. Nuk i shtrinte këmbët në drejtim të kibles dhe nuk ulej duke u mbështetur majtas apo djathtas.

Kishte ecje dinjitoze. Nuk shihte djathtas, apo majtas, por përpara dhe ecte me hapa të shpejtë. Nganjëherë sahabet përballë dinjitetit dhe respektit të Tij nuk kishin guxim ta pyesnin për ndonjë gjë, shpresonin të vinte ndonjë mysafir nga jashtë që të bënte pyetje.

Ebu Malik tregon nga babai i tij rreth të folurit dhe të heshturit e Profetit:

“Kur isha fëmijë, kam marrë pjesë në tubimet e të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi të!. Unë nuk kam parë njeri më fjalëpakë se Ai. Ai buzëqeshte kur disa sahabe e zgjasnin fjalën.”

Nipi i Tij, Hasani, e tregon kështu gjyshin: “I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! ishte gjithmonë i menduar. Në shumicën e rasteve heshtte dhe asnjëherë nuk fliste kur nuk duhej.”

Vehb bin Munebih, një dijetar i shquar, shprehet kështu për personalitetin e Profetit: “Kam lexuar 71 libra rreth Profetit. Në të gjithë librat e pashë Profetin paqja qoftë mbi të! si më të lartësuarin nga mendja dhe më të vlerësuarin nga pikëpamja e mendimit. ‘[1]

[1]Kadi Ijaz, Shifa, 51.

 

ilmihali

Share this post

scroll to top