Agjërimi nuk ka të barabartë

hz-muhamed.jpg

Çdo gjë që kryhet për hir të Allahut e ka medoemos një shpërblim, një kundërvlerë të caktuar. Kur vjen puna tek agjërimi, si agjërimi nuk ka tjetër kur vjen puna te shpërblimi i tij. Ebu Umameja (radijallahu anh) transmeton se:

“I kërkova të Dërguarit të Allahut një këshillë. ‘Agjëro. Sepse agjërimi nuk ka të barabartë.’ – më tha. I kërkova sërish një këshillë. Ai, sërish, më tha: ‘Agjëro, sepse nuk ka të barabartë me agjërimin.’”

Ebu Umameja i nderuar (radijallahu anh) e përqafoi aq fort këtë këshillë që kishte marrë nga Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), sa që, që prej asaj dite, ai, e shoqja dhe shërbyesja e tij ishin gjithmonë duke agjëruar. Madje, nëse shikonte ndokush që nga shtëpia e tij të dilte tym, thuhej menjëherë: “Duhet të kenë miq në shtëpi.” Megjithatë, këtë pjesë le ta mbyllim duke përmendur edhe disa hadithe të tjera të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në lidhje me virtytin e agjërimit:

“Në Xhenet gjendet një portë që quhet porta e Rej’janit, nga e cila do të mund të hyjnë vetëm ata që kanë agjëruar; askush, përveç tyre, nuk do të mund të hyjë prej saj.”

“Çdokënd që mban një ditë agjërim për Allahun, Allahu e largon atë shtatëdhjetë vite larg prej Xhehenemit.”

“Agjërimi dhe Kurani, në ditën e kiametit, do të ndërmjetësojnë për faljen e mëkateve të robit të Allahut. Agjërimi do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë gjatë ditës larg të ngrënit e të pirit dhe të gjithë kënaqësive të tjera. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ –Kurse Kurani do të thotë kështu: ‘O Zot, unë e mbajta atë netëve larg gjumit. Prandaj, pranoje ndërmjetësimin tim për të.’ – Dhe ndërmjetësimi i këtyre të dyjave është një ndërmjetësim që pranohet.’”

Përfitimet e individit në Ramazan

ramadan-7112678_1280.png

Të mëson durimin
Durimi është kriteri më i rëndësishëm i arritjes së virtytit dhe lartësimit, dhe njëherazi ngadhënjimi i vullnetit. Pa të nuk mund të bëhet fjalë, as për zhvillimin e shpirtit, as për lartësimin dhe arritjen në fshehtësitë e qenies. Me durim njeriu shpëton nga vargonjtë e mishit dhe kockave dhe po me durim, shndërrohet në një engjëll të denjë për t’u shkrirë me botët e epërme.

Pesë kohët e namazit në ditë, agjërimi për më së paku një muaj në vit, dhënia e zekatit në një kohë të caktuar të vitit, vajtja të paktën njëherë gjatë jetës në haxh dhe përmbushja e gjithë urdhëresave të tjera në lidhje me jetën e adhurimit, nuk mund të realizohen përveçse nëpërmjet durimit. Njëherazi, ato e disiplinojnë jetën e njeriut dhe i hedhin përsipër një ngjyrë nga ajo e përtejësive. Dhe një jetë si kjo shkon veçse në vijën e dritës, begatohet dhe më në fund – me mirësinë e Allahut – jep Xhenetin si fryt. Prandaj, njeriu do të shtrëngojë dhëmbët, do të bëjë durim ndaj adhurimeve, duke e bërë jetën e tij të përndritur.

Edhe sabir-i, që shenjon një lëndë të hidhur helm që përdoret në industrinë farmaceutike prej vitesh, e ka prejardhjen po nga fjala sabr – durim. Prandaj ndoshta edhe durimi është si të kapërdish atë sabirin e stërhidhur, kur bën durim, shtrëngon dhëmbët, tregon zgjuarsi, nuk lëkundesh, nuk bie në paralizë të vullnetit, por i përballon dhe i tërheq njëherë thellë në kraharor. Vetëm se kjo hidhtësi ka të bëjë me çastin e parë. Sepse përfundimin dihet, përherë e ka pasur më të ëmbël edhe se sherbeti.

Nuk ka dyshim, që një nga dobitë më të mëdha të agjërimit është që ai e bën njeriun të mësohet. Përmes agjërimit njeriu merr një mësim tejet të madh durimi. Sepse atë e merr uria, por ai duron pa ngrënë; e zë etja dhe ai duron pa pirë; i bëhen sjellje të pahijshme, por ai sërish duron pa reaguar me të njëjtën monedhë e thjesht thotë, ‘jam me agjërim’. Për të shpjeguar këtë anë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.” Po, agjërimi është gjysma e durimit. Teksa ia lidh vetes duart, këmbët, gjuhën, buzët, veshët dhe rreh flatrat drejt Zotit, nëse i bën vetes kalë edhe durimin, atëherë njeriu bëhet si me dy krahë që do ta çojnë drejt e në shkrirje me lumturinë e pranisë së Allahut (xh.xh.).

Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete fisnike në lidhje me virtytet dhe shpërblimet për durimin. Por, duke ia lënë këtë çështje atyre hapësirave ku ajo është trajtuar veçanësisht, këtu do të mjaftohemi duke renditur vetëm disa syresh:

“Për ata që durojnë dhe bëjnë punë të mira, ka një falje dhe shpërblim të madh.”
“Bëj durim, sepse Allahu nuk e çon dëm shpërblimin për ata që veprojnë mirë.”
“Atyre që durojnë, shpërblimi do t’u paguhet pa llogari.”

Një njeri që bën një jetë të rehatshme mes mirësish të gjithëfarëllojshme, nuk ka asnjë garanci që kjo jetë do të vazhdojë përherë e këtillë. Herë-herë, në një kohë fare të papritur, mund të vijë varfëria. Të jesh i pasur, por të falimentosh, – Zoti na ruajtë – ndodh një fatkeqësi dhe mund të humbasësh gjithçka, ndodh një luftë dhe mund të përballesh me lloj lloj vështirësish. Sepse Allahu është zotëruesi i vërtetë i çdo pasurie; ia jep atë kujt të dojë dhe kujt të dojë, ia merr nga duart atë.

“Thuaj: O Zot, që je zotërues i pasurisë! Ti ia jep pasurinë (ç’ka në gjithësi) kujt të duash; kujt të duash, ia merr; kë të duash e lartëson, këtë duash e poshtëron. Jo, (pasuria) në dorën Tënde është. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.”

Duhet të jesh i përgatitur që më parë dhe ta kesh të përgatitur edhe trupin, edhe mendjen, edhe shpirtin, për çdo gjë që sjellin kohë të këtilla, në mënyrë që të mund t’i përballosh e të mos lëkundesh, kur këto kohë të vijnë te dera. Ja pra, adhurimi i agjërimit i jep njeriut një mësim të mirë përshtatjeje, që të mos e ketë të vështirë e të bjerë në pesimizëm me ardhjen e këtyre kohëve apo vështirësive të ngjashme. Njëfarësoj, duke agjëruar, agjërimi e ka përgatitur njeriun për vështirësi të shumëllojshme që mund t’i vijnë papritur thjesht duke i mësuar atij durimin ndaj disa nevojash tejet bazike, siç janë të ngrënët dhe të pirët. Kësisoj, njeriu mund të rezistojë më lehtë dhe me më pak mundim ndaj vështirësish, mundimesh dhe barrësh më të mëdha,të cilat mund të vijnë gjatë jetës së kësaj bote.

Veç kësaj, shumë herë, shumica e njerëzve bëhen të varur nga uria. Në një rast si ky, kur përballet me diçka të tillë, njeriu duhet ta mësojë veten nëpërmjet urisë dhe ushqyerjes së përkorë, në mënyrë që të mund të durojë. Gjatë Ramazanit të Bekuar – edhe pse mund të ketë ndryshime sipas vendit dhe kohës – agjërimi zë thuajse gjysmën e ditës dhe bëhet kësimënyre durim, përballim, përkorje dhe trainim për urinë. Domethënë agjërimi është edhe ilaç i padurimit që i shumëzon me dy të gjitha vështirësitë që mund të përballet njeriu. Në të njëjtën kohë, agjërimi është një përgatitës mjaft i mirë i terrenit për formimin e njerëzve idealë, të cilët asnjëherë nuk lëkunden para vështirësive dhe vuajtjeve, e nuk i sakrifikojnë kurrsesi ato principe që i konsiderojnë si të drejta e të vërteta për asgjë të kësibotshme që mund t’u ofrohet.

Shpërblimin e agjërimit e ka në dorë Allahu

food-2571514.jpg

Për të treguar vlerën që bart agjërimi pranë Allahut, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë:
“Allahu tha: ‘Çdo punë që bën i biri i Ademit, e bën për vete. Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua. Shpërblimin e tij e jap Unë. Era e gojës së agjëruesit, pranë Allahut është më e këndshme edhe se erëmimi i miskut.’”
Ata që durojnë çdo lloj vështirësie, duke përmendur në krye që agjërimin, tek Allahu do të kenë një shpërblim të pamatë. Kurani Fisnik thotë: “Ata që durojnë shpërblimin do ta kenë të pamatshëm.”

Agjërimi e ka edhe këtë si pjesë të përmbajtjes së tij. Në ahiret, kur tëngrihet peshorja dhe librat e jetës të fluturojnë sa andej këndej, kjo nuk do të jetë e vlefshme edhe për agjërimin. Sepse Allahu, kur garanton çështjen e agjërimit, për shpërblimin e tij thotë se ai do të jepet pa u vënë në peshore dhe nga Ai Vetë. Tek agjërimi ka përkushtim ndaj Allahut dhe braktisje të dëshirave njerëzore vetëmse për hir të Allahut. Në të ka një lloj frenimi ndaj sofrave gjithë mirësi që i janë shtruar përpara syve. Të gjitha këto besimtari i bën pa pasur asnjë lloj detyrimi me forcë, por duke përdorur forcën e vullnetit. Dhe shpërblimin e një pune të tillë Allahu nuk ia lë askujt, por e ka marrë përsipër Vetë.

Në vijim të hadithit thuhet se era e gojës së agjëruesit, pranë Allahut është më e këndshme edhe sesa era e miskut. Era e gojës e agjëruesit vjen nga uria. Pranë Allahut kjo erë është më e ëmbël, më e këndshme dhe e pastër edhe sesa misku. Ka disa aroma që engjëjt, të cilët janë shpirtra të pastra, i pëlqejnë jashtëzakonisht shumë. Në Lartësitë e Epërme erëmimet e mira janë si çelësa që hapin thesare plot mistere. Edhe era e gojës e agjëruesit është si këto erëmime të mira. Dhe kjo vjen ngaqë agjërimi është një adhurim me përmasën e lidhjes së fortë mes Allahut dhe robit të Tij. Në këtë pikëpamje, agjërimi duhet trajtuar në tërë thellësinë e tij. Përndryshe, era e gojës nuk është diçka e këndshme në vetvete.

Ka disa gjëra, që edhe pse mund të duken si të shëmtuara së jashtmi, rezultatin e kanë shumë të këndshëm, shumë të çmuar. Për shembull, plaga në trupin e dëshmorit është, ndoshta, një trëndafil në vështrimin e Allahut. Edhe era e gjakut që rrjedh nga trupi i tij, pranë Allahut mund të jetë erëmimi më i mirë e i veçantë. Kjo është arsyeja se pse dëshmorët varrosen pa u larë. Megjithëse, njerëzit mund ta shohin këtë si diçka të shëmtuar.

E këtillë është edhe aroma e gojës e agjëruesit. Kjo erë, e cila vjen nga uria dhe është njëfarësoj e shëmtuar, duke qenë se bart domethënien e fitimit të pëlqimit të Allahut, pranë Tij ajo është e mirë. Në këmbim të mundimeve me të cilat përballet besimtari, Zoti e bën të vyer deri edhe erëmimin e gojës së tij, duke e mbajtur më lart edhe se erëmimet më të mira. Veç kësaj, kjo vlen tejmase shumë për të treguar se sa i vyer mund të jetë tek Allahu edhe mundimi më i lehtë i përballuar në rrugën e Allahut.

Me pak fjalë, në çdo orë të çdo dite që agjëron, ndihet sikur të jetë në një Miraxh duke u ngjitur mbi një palë shkallë që i janë vënë përpara, vetëm sepse ndien brenda vetes të gjitha këto domethënie, dhe kjo ngjitje vazhdon deri në momentin që ai ta marrë nga Allahu shpërblimin.

Tre vetë e humbasin mundësinë

43c038d6-a6de-4b70-9685-e9416a302a20.sized-1000x1000-1.jpg

Në një hadith na thuhet se njëherë Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) qe ngjitur në minber për të mbajtur hutben dhe në çdo tri shkallë pati thënë “amin”. Kur mbaroi hutbeja, sahabët e nderuar e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Ne sot dëgjuam nga goja jote diçka që nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë; teksa ngjiteshin në minber, thatë tri herë “amin”. Cila është urtësia e kësaj?” – Dhe Profeti ynë i Nderuar u përgjigj me këto fjalë:

“Në atë kohë erdhi Xhebraili (alejhis’selam) dhe tha: ‘Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin ata që nëna dhe babai u ka arritur në moshën e pleqërisë dhe ata nuk kujdesen për të drejtat e tyre, nuk i trajtojnë ata mirë dhe nuk e vlerësojnë siç duhet mundësinë që të falen.’ – ndaj unë thashë “amin!”Pastaj Xhebraili tha: “O i Dërguari i Allahut! Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin edhe ata që dëgjojnë të përmendet emri Yt, por nuk të dërgojnë Ty përshëndetje!” – dhe unë thashë “amin!” – Dhe në shkallën e fundit Xhebraili tha sërish: ‘Turp t’u vijë edhe njerëzve që e kanë kuptuar Ramazanin, por nuk kanë fituar dot faljen e Allahut!” – dhe unë thashë sërish “amin!”

Allahu u ngarkon njerëzve përgjegjësi nëpërmjet disa përgjegjësive që kanë një farë barre dhe vështirësie. Pavarësisht dimensionit të sprovës që ka secila syresh, urtësia dhe qëllimi hyjnor i secilës prej këtyre përgjegjësive është që robi të bëhet i denjë për të merituar faljen e Allahut. Mirëpo, nëse robi nuk e kryen detyrën e tij, jo vetëm që nuk përfiton dot nga mundësia që i ka ofruar Allahu si mirësi, por mund të meritojë edhe ndëshkimin, sipas rastit. Edhe në hadithin e përmendur më sipër janë përmendur tre nga përgjegjësitë që Allahu u ka ngarkuar njerëzve.

E para është përgjegjësia e njeriut për t’i shërbyer nënës dhe babait, të cilët janë bërë shkas për ardhjen e tij në jetë; e dyta, përgjegjësia e shprehjes së falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Profetit, nga i Cili kanë mësuar çdo gjë të fesë; e treta, përgjegjësia e shfrytëzimit të muajit të Ramazanit, i cili është një mirësi që Allahu ua ka falur njerëzve, në mënyrë që ata të mund të pastrohen nga mëkatet. Po, të tria këto përgjegjësi kanë disa vështirësi. Mirëpo, po të krahasohen me shpërblimin e premtuar për to, ato mbeten fare të vogla. Në këmbim të tyre ka shpërblime shumë të shtrenjta, siç janë shpëtimi nga Xhehenemi, Xheneti vetë, apo edhe vështrimi i bukurisë së Allahut të Madhërishëm. Andaj ato nuk duhet kurrsesi të shihen si vështirësi të mëdha. Pastaj edhe të kuptuarit e vlerave të nënës dhe babait, përmendjes së Emrit të Madh të Dërguarit të Allahut pranë Tij dhe arritjes së muajit të Ramazanit, janë të gjitha mirësi hyjnore tejet të rëndësishme më vete. Por, prapëseprapë, njeriu që nuk e kupton vlerën e këtyre mirësive, pavarësisht kësaj, e meriton ndëshkimin nga fillimi deri në fund. Kjo është arsyeja që Xhebraili (alejhis’selam) përdor shprehjen “vuajtje paçin”, si për të treguar se sa të mjerë dhe të humbur janë ata që nuk përballojnë dot as një përgjegjësi të vogël, edhe pse në këmbim të saj ka shpërblime tejet të mëdha; dhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), si për ta aprovuar të drejtën, u ka thënë këtyre lutjeve “amin”.

scroll to top