Tre vetë e humbasin mundësinë

43c038d6-a6de-4b70-9685-e9416a302a20.sized-1000x1000-1.jpg

Në një hadith na thuhet se njëherë Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) qe ngjitur në minber për të mbajtur hutben dhe në çdo tri shkallë pati thënë “amin”. Kur mbaroi hutbeja, sahabët e nderuar e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Ne sot dëgjuam nga goja jote diçka që nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë; teksa ngjiteshin në minber, thatë tri herë “amin”. Cila është urtësia e kësaj?” – Dhe Profeti ynë i Nderuar u përgjigj me këto fjalë:

“Në atë kohë erdhi Xhebraili (alejhis’selam) dhe tha: ‘Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin ata që nëna dhe babai u ka arritur në moshën e pleqërisë dhe ata nuk kujdesen për të drejtat e tyre, nuk i trajtojnë ata mirë dhe nuk e vlerësojnë siç duhet mundësinë që të falen.’ – ndaj unë thashë “amin!”Pastaj Xhebraili tha: “O i Dërguari i Allahut! Turp t’u vijë dhe vuajtje paçin edhe ata që dëgjojnë të përmendet emri Yt, por nuk të dërgojnë Ty përshëndetje!” – dhe unë thashë “amin!” – Dhe në shkallën e fundit Xhebraili tha sërish: ‘Turp t’u vijë edhe njerëzve që e kanë kuptuar Ramazanin, por nuk kanë fituar dot faljen e Allahut!” – dhe unë thashë sërish “amin!”

Allahu u ngarkon njerëzve përgjegjësi nëpërmjet disa përgjegjësive që kanë një farë barre dhe vështirësie. Pavarësisht dimensionit të sprovës që ka secila syresh, urtësia dhe qëllimi hyjnor i secilës prej këtyre përgjegjësive është që robi të bëhet i denjë për të merituar faljen e Allahut. Mirëpo, nëse robi nuk e kryen detyrën e tij, jo vetëm që nuk përfiton dot nga mundësia që i ka ofruar Allahu si mirësi, por mund të meritojë edhe ndëshkimin, sipas rastit. Edhe në hadithin e përmendur më sipër janë përmendur tre nga përgjegjësitë që Allahu u ka ngarkuar njerëzve.

E para është përgjegjësia e njeriut për t’i shërbyer nënës dhe babait, të cilët janë bërë shkas për ardhjen e tij në jetë; e dyta, përgjegjësia e shprehjes së falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Profetit, nga i Cili kanë mësuar çdo gjë të fesë; e treta, përgjegjësia e shfrytëzimit të muajit të Ramazanit, i cili është një mirësi që Allahu ua ka falur njerëzve, në mënyrë që ata të mund të pastrohen nga mëkatet. Po, të tria këto përgjegjësi kanë disa vështirësi. Mirëpo, po të krahasohen me shpërblimin e premtuar për to, ato mbeten fare të vogla. Në këmbim të tyre ka shpërblime shumë të shtrenjta, siç janë shpëtimi nga Xhehenemi, Xheneti vetë, apo edhe vështrimi i bukurisë së Allahut të Madhërishëm. Andaj ato nuk duhet kurrsesi të shihen si vështirësi të mëdha. Pastaj edhe të kuptuarit e vlerave të nënës dhe babait, përmendjes së Emrit të Madh të Dërguarit të Allahut pranë Tij dhe arritjes së muajit të Ramazanit, janë të gjitha mirësi hyjnore tejet të rëndësishme më vete. Por, prapëseprapë, njeriu që nuk e kupton vlerën e këtyre mirësive, pavarësisht kësaj, e meriton ndëshkimin nga fillimi deri në fund. Kjo është arsyeja që Xhebraili (alejhis’selam) përdor shprehjen “vuajtje paçin”, si për të treguar se sa të mjerë dhe të humbur janë ata që nuk përballojnë dot as një përgjegjësi të vogël, edhe pse në këmbim të saj ka shpërblime tejet të mëdha; dhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), si për ta aprovuar të drejtën, u ka thënë këtyre lutjeve “amin”.

ilmihali

Share this post

scroll to top