Profeti Muhamed (s.a.s) nën përkujdesjen e gjysh Abdulmutalibit

profeti-muhamed-54.jpg

Si vdekja e Aminës së dashur, si mbetja e nipit të tij fillikat, e mërziti shumë Abdulmutalibin e moshuar. Ai tashmë tregonte ndaj të nipit një dashuri të atillë, të zjarrtë, që nipi i tij i vogël të mos e ndjente kurrsesi mungesën e nënës dhe të babait. Ai përkujdesej aq shumë për të nipin, saqë të jepte përshtypjen sikur dridhej mbi të teksa përkujdesej. Nën Qabe, ekzistonte një si shtrat që i takonte atij, prej nga bënte dhe takimet e nevojshme me popullin mekas për të zgjidhur problemet e shumta që e shqetësonin qytetin. Të gjithë, përfshi këtu edhe bijtë e tij, nuk uleshin mbi këtë shilte nga respekti i madh që kishin ndaj tij. Njerëzit parapëlqenin më tepër të lidheshin në zinxhir rreth tij e ta dëgjonin. Vetëm një djalosh nga Meka ishte që nuk e ndiqte edhe aq shumë këtë zakon. Ai ishte amaneti i Abdullahut, Muhamedi. Ai vinte dhe ulej ndanë gjyshit të tij, dhe fillonte të luante duke e tërhequr të gjyshin nga pas, nga litari i çallmës së tij. Abdulmutalibi, atyre që mundoheshin ta ndalonin Muhamedin në këto veprime, u thoshte:

– Lërmani të bëjë si të dojë djali! Lërmani të lirë! I bekuar qoftë Allahu, që e ardhmja e Tij është shumë e shndritshme, serioze, dhe pasi e përkëdhelte të nipin nga shpina, i ulej pranë.[1]

Një ditë prej ditësh, Abdulmutalibi ishte nisur për në Jemen me një grup tregtarësh nga Kurejshët. Mbreti i Jemenit, me ta parë Abdulmutalibin, filloi të tregonte për të një përkujdesje të veçantë. Derisa më në fund, teksa gjeti një mundësi për të folur me të kokë më kokë, e mori përballë dhe filloi t’i thoshte:

-O Abdulmutalib! Unë do të ndaj me ty disa të fshehta nga dija ime. Dhe as që kam për t’ia thënë ato tjetërkujt përveç teje. Andaj, dua që ato të mbeten të pathëna derisa me lejen e Allahut të bëhen të dukshme. Nuk kam më asnjë dyshim, që ne kemi parë dhe kemi lexuar në librat që kemi për një gjë të veçantë që ka për të ndodhur, të cilën e ruajmë si sytë e ballit, duke mos ia thënë askujt. Madje as atyre që janë të thelluar në dije. Në fakt kjo ngjarje do të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti me mbarë njerëzimin; njëkohësisht, ajo është e lidhur më ngushtë me ty, familjen tënde dhe rrethojën, me nderin dhe virtytet e juaja.

Ato çfarë i tregoi mbreti e emocionuan së tepërmi Abdulmutalibin. Mirëpo dukej që mbreti nuk i kishte përfunduar ende ato që donte të thoshte. Andaj Abdulmutalibi e pyeti:

-Po ç’qenka kjo?

-Në Tihame do të lindë një fëmijë që do të ketë një shenjë të veçantë në mes të kockave të shpatullave. Që këndej e tutje drejtimi do t’i përkasë veçse atij. Ai do të jetë prijësi juaj deri në ditën e fundit. Dhe koha e ardhjes së tij është pikërisht kjo kohë. Quhet Muhamed. Nëna dhe babai kanë për t’i vdekur, dhe përkujdesjen për të kanë për ta marrë përsipër gjyshi dhe xhaxhai i tij. Të betohem për hir të Allahut, që edhe ne, ndërvedi, flasim veç për ardhjen e Tij. Allahu ka për ta dërguar atë haptazi, duke i zgjedhur saora dhe ndihmës të mirë. Ata që do të kenë mundësinë të qëndrojnë përkrah Tij do të jenë më të nderuarit; ata që do t’i kundërvihen nuk do të fitojnë veçse përçmimin. Allahu ka për ta mbrojtur nga çdofarë rreziku që mund t’i vijë prej njerëzve, duke e hapur fushën e rruzullit të përshtatshme kryekrejet për ngadhënjimin e Tij. Ai ndihet plot e përplot me ndjesinë e adhurimit të Allahut, dhe larg e më larg prej çdo mendimi që mund të sjellë djalli me ndihmësit e tij. Me të ardhur Ai, adhurimi karshi zjarrit do të humbë, ndërsa idhujtaria do të kthehet në histori. Sepse fjala e Tij është fjala e fundit… Vendos me drejtësi. Urdhëron për të mirën, të cilën e bën përherë; i largon njerëzit nga e keqja, duke u përpjekur në çdo çast për ta tharë atë prej rrënjëve. Betohem në këtë Qabe, shtëpinë tonë të shenjtë e të zbukuruar, se ti je gjyshi i Atij, o Abdulmutalib! Besomë, në këto që po të them nuk ka kurrfarë gënjeshtre. Shpresoj se e ke kuptuar atë që ishte e nevojshme nga tërë sa të thashë.

Patjetër që Abdulmutalibi e kishte përkapur menjëherë këtë sqarim kaq të detajshëm. Zaten ai i dinte ca gjëra nga më parë. Andaj, fillimisht zuri të lëvizë pak kryet. Në të shihej një gjendje që shprehte se po mbante mbi supe një rëndesë të pambajtshme të viteve të jetës. Dhe me mimikën e mbajtësit të një përgjegjësie dhe një ngarkese të madhe, tha:

-Po, o mbret! Unë pata një djalë; e doja shumë, madje kur i afrohesha zija e dridhesha i tëri. Një ditëzaj vendosa ta martoja me Aminën, të bijën e Vehbit, e cila dallohej për fisnikërinë e saj. Nga Amina lindi një djalë, të cilin e quajtëm Muhamed. Pa kaluar shumë kohë, nëna dhe babai i ndërruan jetë. Tanimë ai gjendet në përkujdesjen time dhe të xhaxhait të Tij.

-Ja, kjo ishte ajo që doja të të thosha, – ia ktheu mbreti i Jemenit, – mbroje mirë Atë, duke u kujdesur për rreziqet që i kanosen prej disa njerëzve hasetqarë të fesë. Megjithëse, ata nuk kanë për t’i sjellë Atij askurrë të keqeje. Nëse do ta dija se vdekja nuk do të vinte derisa të mbërrija tek Ai, do ta merrja ushtrinë time e do të shkoja në Medinë për ta mbrojtur vetë, sepse unë e kam parë që në librat folës dhe në dijen e gjertanishme thuhet se Medina do të jetë vendi ku ai do të vendoset. Madje edhe varri i Tij aty do të jetë.[2]

Ata i mbaruan punët që kishin në Jemen dhe saora u kthyen për në Mekë. Ato që kishte treguar sundimtari i Jemenit e shqetësonin vazhdimisht mendjen e Abdulmutalibit. Ndoshta ata që e shihnin nga jashtë nuk e vërenin, por në mendimet dhe imagjinatën e tij ekzistonin veçse ëndrra për nipin e tij, për mirësitë dhe vështirësitë që do të grumbulloheshin mbi të në të ardhmen, mirëpo aq keqazi sa i ishte bërë e vështirë të mendonte për diçka tjetër.

Një ditë prej ditësh, në Mekë, patën ardhur një grup njerëzish të ditur nga Mudlixhi. Dukej, që këta njerëz, të cilët dallonin se edhe këta ecnin në gjurmët e profetit Isa (a.s.) ashtu si mbreti i Jemenit, ishin në dijeni për ardhjen e Profetit. Teksa po ecnin në drejtim të Qabes, në rrugë panë një djalosh që u tërhoqi vëmendjen. Ata filluan ta shihnin me një kureshti të veçantë, aq sa nuk po mundnin dot që ta shprehnin habitjen që i kishte qerthulluar. Nxituan për ta arritur që të fjalosnin nja dy fjalë, por edhe ta njihnin atë më mirë. Umu Ejmeni e kuptoi ç’po ndodhte, dhe nga shqetësimi që po ndjente përbrenda vendosi të ndërhynte.

-Mos e prekni atë djalë! – u tha ajo.

Burrat u drodhën nga frika se mos kishin paraqitur ndonjë sjellje të pakëndshme në një dhè të huaj, dhe fillimisht bënë një hap pas. Megjithatë nuk mund të largoheshin pa pyetur disa pyetje. Njëri syresh u hodh e tha:

-I kujt është ky fëmijë?

Në atë vend, nëse nuk e kishe babanë, xhaxhai dhe gjyshi quheshin si babi yt. Andaj, me këtë qëllim iu përgjigj edhe Umu Ejmeni.

-Është i Abdulmutalibit.

Ky emër u vinte i njohur. Ai ishte as më pak e as më shumë, por prijësi i Mekës. Zaten ata për t’u takuar me të patën ardhur, kështu që pyetën se ku mund ta gjenin. Adresa që iu dha tregonte Qaben.

Pa kaluar shumë kohë, Abdulmutalibin e gjetën të ulur mbi një shilte pranë Qabes. Pasi u përshëndetën, muhabetin e prunë te djaloshi që kishin parë përgjatë rrugës për në Qabe.

-Sot u përballëm me një fëmijë shumë të bukur. Gruaja që ishte me të na tha se ishte i yti, – i thanë ata.

-Po, djali im është, – ia ktheu Abdulmutalibi.

-Kjo nuk është e mundur,- u hodh njëri prej tyre. – S’është e mundur, pasi babai i këtij fëmije duhet të ketë vdekur përpara se të lindte ai, – shtoi ai.

Këta njerëz diç dinin, andaj duhej folur më hapur. Me shumë gjasa edhe këta dinin disa gjëra të veçanta si mbreti i Jemenit.

-Po, ai është amaneti i djalit tim të dashur, nipi im me një fjalë.

Çdo gjë që u zinin sytë u fliste se ky fëmijë nuk ishte tjetër pos ai Njeri i Mezipritur. Një tjetër prej tyre u hodh e tha:

-Gjurmët e këmbëve të këtij fëmije përputhen plotësisht me gjurmën e këmbës së Ibrahimit. Me pak fjalë, ky fëmijë rrjedh prej sojit të profetit Ibrahim (a.s.). Hijeshia e fytyrës, ngjyra e syve… Qëndrimi i pastër dhe mbajtja e trupit drejt… Karakteri i tij i lartësuar… Sidomos ajo shenja aty në mes të shpatullave, të gjitha bashkë tregojnë se ai është Profeti i Shumëpritur.

-Ne kemi kohë që po e lexojmë nëpër librat tanë ardhjen dhe cilësitë e një profeti të fundit. Sipas njohurive që kemi përvetësuar, ai vend është pikërisht ky, Meka, – ia pat një tjetër ndërkohë.

Ndërkohë, pranë Abdulmutalibit erdhi dhe nipi i tij i dashur. Shikimet u dendën të gjitha mbi Të, duke e vështruar imtësisht në çdo detaj Besnikun e Njerëzisë. Njëri syresh u afrua dhe filloi t’i pëshpëriste diç në vesh Abdulmutalibit:

-Vetëm se duhet ta ruash si sytë e ballit këtë fëmijë. Sepse nëse disa njerëz dashakeqë të fesë e marrin vesh se ai është këtu, do të orvaten që t’i sjellin të këqija. Lëre që e dinë më së miri ardhjen e këtij fëmije. Kam frikë se mund t’i bëjnë ndonjë të keqe.[3]

Abdulmutalibi tanimë me të vërtetë që po mendohej akoma më thellë; çdokush që kishte lexuar ndofarë nëpër librat e fesë, e dinte se Muhamedi, i biri i Abdullahut, ishte Profeti i fundit i shumëpritur. Dhe të gjithë kishin një të përbashkët: shqetësimin për të ardhmen dhe kujdesin ndaj tij. Frikë se mos ai fëmijë nuk ruhej prej të keqes së besimtarëve të asokohshëm. Me pak fjalë, përgjegjësia për Abdulmutalibin ishte tejet e lartë.

Ndërkohë, mosha e më Besnikut ndër njerëz kishte kaluar pak mbi tetë vjeç. Një ditë, thirri të birin, Ebu Talibin për t’i thënë disa fjalë të cilat dukej nga qëndrimi i tij i drejtë dhe i palëkundur në seriozitet se ishin tejet të rëndësishme.

-Emri dhe zëri i këtij djali do të dëgjohet gjithandej, andaj ai është amaneti im për ty,- i tha ai të birit.[4]

Pa kaluar shumë kohë, vdiq edhe Abdulmutalibi që tashmë kishte prekur të tetëdhjetat. Më besniku ndër njerëz, kur mori vesh se edhe gjyshi i vdiq, qëndronte mbi trupin tij të pajetë. Kishte filluar të derdhte lot mbi gjyshin e tij që e kishte përqafuar deri më tani me krahët e ngrohtë të dhembshurisë prindërore.


[1] Ibni Sad, tabakat, 1/118
[2] Ibni Haxher, isabe, 2/134-5; Halebi, Insanu’l ujun, 1/187
[3] Ibni Kethir, el-Bidaje, 2/272
[4] Sujuti, Hasaisu’l Kubra, 1/90

ilmihali

Share this post

scroll to top