Sipas transmetimit të Omer ibn Ebi Selemes (r.a.), djali i Ebu Selemes, Omeri, kishte shkuar tek Profeti paqja qoftë mbi të! dhe e gjen atë duke ngrënë. I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! iu drejtua djalit me këto fjalë: “Afrohu, thuaj bismil’lah, dhe me dorën e djathtë ha pjesën para teje të gjellës në pjatë.”[1]
Hz. Aishe (r.a.) transmeton se i Dërguari i Zotit ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ha diçka, le të thotë bismil’lah. Nëse harron ta thotë në fillim, atëherë në fund le të thotë: Bismil’lahi fi evvelihi ve ahirihi (bismil’lah në fillim dhe në fund.”[2]
Profeti paqja qoftë mbi të! sillej shumë thjeshtë kur hante dhe asnjëherë nuk hynte në mundime. Nuk pëlqente të hante duke u mbështetur diku. “Unë asnjëherë nuk ha duke u mbështetur diku”, thoshte. Ndoshta ngrënia, duke u mbështetur diku, mund ta shtyjë njeriun të hajë më tepër dhe kjo do të ishte e dëmshme për të. Madje një mënyrë e tillë të uluri mund të jetë shenjë mendjemadhësie.
[1]Buhari, 2/2056, 2057, Muslimi, 3/1509; Ebu Davudi, 2/376; Ibn Maxhe, 1087.
[2]Ebu Davud, 2/374; Tirmidhiu, 4/288.