Njeriu quhet se ka hyrë në rrugën e kthimit në njeri të përsosur për aq sa ç’është e fortë lidhja që ai ka me Zotin. Nuk mund të hasësh asgjë që të mos jetë e plotësuar në jetën e një besimtari që e ka të fortë lidhjen me Allahun. Ai, njësoj siç thuhet në ajetin kuranor: “Çohen nga shtretërit dhe adhurojnë Zotin me ndjenjat e frikës dhe shpresës.”– ngrihet në njërën prej gjysmave të mbrëmjes, pa i kushtuar rëndësi nëse është e gjatë apo e shkurtër dhe i shqetësuar nga ndëshkimi i ashpër i Allahut, por edhe duke shpresuar te mëshira e Tij, qëndron i gatitur në kijam përpara Allahut. Gjatë Ramazanit, braktis shtratin e ngrohtë në mes të natës, që të mund të bëjë syfyr për hir të Allahut. Dhe vetëm e vetëm për të fituar kënaqësinë e Tij, duron të qëndrojë i uritur dhe i etur gjatë gjithë ditës. Dhe kështu, kjo sakrificë bën që mes Allahut dhe atij robi të Tij të krijohet një lidhje shumë e fortë. Në këmbim të kësaj sakrifice, në amshim Allahu do t’i thotë atij: “Hani dhe pini në shëndet të mirë në këmbim të punëve të mira që bëtë në të shkuarën.” Siç thuhet edhe në një hadith kudsi, Allahu nuk të bën që t’i përjetosh bashkë dy frikëra dhe dy siguri. Ata që nuk bëjnë dot lëshim nga rehatia në këtë botë, që nuk durojnë ca pak vështirësi në emër të fesë, që nuk përballen me diçka të vështirë, do të përballet në ahiret me të gjitha këto. Krejt e kundërta do të ndodhë me atë që çohet në mesnatë nga shtrati i tij i ngrohtë, që gjatë gjithë ditës duron vështirësitë e urisë dhe etjes, ai do të jetë i sigurt e nuk do të përballet me vështirësitë dhe mundimet e jetës së përtejme.