Hadithe rreth Agjerimit

profeti-muhamed-11.jpg

Sipas rrëfimit të Ebu Hurejres (r.a.), i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka thënë: “Allahu ka urdhëruar kështu: “Çdo akt i njeriut është për vetë atë, me përjashtim të agjërimit. Shpërblimin e agjërimit e jap unë, sepse njeriu i braktis ngrënien dhe dëshirat trupore vetëm për mua. Për agjëruesin ka dy çaste të gëzuara. Njëri, kur ha iftarin dhe i dyti, kur bashkohet me Zotin. Kundërmimi i gojës së agjëruesit është pranë Allahut më i këndshëm se aroma e parfumit![1]

 

Në një tjetër hadith, të përcjellë nga Ebu Hurejre, Profeti ka thënë: “Çdo gjë ka zekatin e vet. Zekati i kurmit është mbajtja e agjërimit. Mbajtja e agjërimit është gjysma e durimit!”[2]

Kurse në një vend tjetër, Profeti ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit, kurse pastërtia, gjysma e besimit.”[3]

 

Ebu Umame (r.a.) thotë kështu: “I kërkova të Dërguarit të Allahut të më thotë një punë të domosdoshme për ta bërë. Ai më tha: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!” Ia përsërita kërkesën për të dytën herë të Dërguarit të Allahut. Dhe ai më tha për të dytën herë: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!” Por unë ia përsërita edhe një herë tjetër kërkesën dhe ai më dha për të tretën herë të njëjtën përgjigje: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!”[4]

 

Në një hadith tjetër, përsëri mbi agjërimin, Profeti ka thënë kështu: “Te Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi!”[5]

Kurse në raste të tjera ka thënë: “Cilin ushqim apo pije që ia dëshiron njeriut vetja, t’ia pengojë agjërimi, Zoti ia shpërblen njeriut në xhenet nga frutat dhe burimet e xhenetit!”[6]

 

“Në xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që mbajnë agjërim!”[7]

“Po qe se ai që agjëron, e siguron ushqimin e vet nga gjërat hallall, nuk i kërkohet llogari në jetën e pasme (ahiret)!”[8]

“Gjumi i agjëruesit vlerësohet si adhurim, kurse heshtja, si tesbih (madhërim i Zotit). Mirësive dhe adhurimeve të tij u jepet shpërblim shumëfish. Allahu ia pranon lutjet dhe ia fal mëkatet!”[9]

Ditën e kiametit, agjërimi do të bëjë shefaat, domethënë, do të ndërhyjë për faljen e agjëruesit duke iu lutur Zotit: “O Zot! Unë e pengova atë ditën nga ushqimi dhe kënaqësitë, prandaj pranoma ndërhyrjen për të!” Dhe Zoti do t’ia pranojë agjërimit këtë lutje dhe do t’i japë leje për të ndërhyrë në të mirë të agjëruesit!”[10]

[1] Buhari, Savm, 2; Muslim, Sijam, 152; Tirmidhi, Savm, 54; Nesai, Sijam, 41; Ibni Maxhe, Sijam, 1.

[2] Ibni Maxhe, Sijam, 44.

[3] Tirmidhi, Daavat, 85; Ibni Maxhe, Sijam, 44; Darimi, Vudu, 2; Ahmed b. Hanbel, 4/260

[4] Nesai, Sijam, 43.

[5] Nesai, Sijam, 43.

[6] Kenzu’l-Ummal, 3/328.

[7] Ibni Maxhe, Sijam, 1.

[8] Kenzu’l-Ummal, 3/328.

[9] Kenzu’l-Ummal, 3/328.

[10] et-Tergib, 2/84.

ilmihali

Share this post

scroll to top