Ai që ha qepë dhe hudhra duhet të qëndrojë larg xhamive

garlic-1336883_960_720.jpg

Sipas një transmetimi të Xhabirit (r.a.), Profeti ka thënë: “Ai i cili ha qepë, hudhra apo presh, të mos u afrohet xhamive tona. Sepse melekët shqetësohen nga gjërat që i bezdisin njerëzit.”[1]

Xhabir ibn Semure (r.a.) në transmetimin e tij thotë: Kur i Dërguari i Zotit emigroi në Medinë, qëndroi si mysafir në shtëpinë e Ebu Ejubit. Mbasi hante, pjesën që i tepronte ia dërgonte Ebu Ejubit. Një ditë, Profeti ia kishte kthyer gjithë gjellën, pa e prekur fare. Kur Ebu Ejubi erdhi për të mësuar arsyen, Profeti i tha se “në atë gjellë kishte hudhra”. Ebu Ejubi e pyeti: “A është e ndaluar hudhra, o i Dërguari i Zotit?” Profeti iu përgjigj: “Jo, por mua nuk më pëlqen për arsye të erës së rëndë.”[2]

Sipas një transmetimi të Aliut (r.a.), Profeti ka thënë: “Përdorimi i hudhrës u ndalua për shkak të shqetësimit të njerëzve nga era e saj. Por ajo mund të hahet nëse është e zier, sepse nuk të shqetëson.”[3]

Përsëri në një transmetim të Aliut (r.a.), Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Ngrënia e hudhrës nuk është e këshillueshme, por mund ta konsumoni të zier.”[4]

Në një transmetim të babait të Ubejdullah ibn Ebi Jezidit, Umu Ejub tregon: “Kur Profeti emigroi në Medinë, shkoi për vizitë në shtëpinë e tyre. Dhe ata përgatitën një gjellë të rëndë me zarzavate që përmbante qepë e hudhra. Profetit nuk i pëlqeu gjella dhe u tha shokëve të tij: “Hani nga kjo gjellë. Unë nuk jam si ju, kam frikë se mos e bezdis shokun tim, melekun afër meje me atë erë.”[5]

Sipas transmetimit të Ebu Alijes, ka thënë: “Hudhra është nga begatitë e lejuara.”[6]

Paralajmërimi i Profetit tonë paqja qoftë mbi të! për shmangien e ushqimeve me erë të rëndë, qepë, apo hudhër, është për arsye të largimit të melekëve nga era e rëndë si dhe të bezdisjes së njerëzve përreth. Përkundrazi, qepa, hudhra, apo preshi, janë ushqime të lejuara nga Zoti (xh.sh).

[1]Muslimi, 1/395.

[2]Muslim, 1/395.

[3]Muvatta, 3/405; Ebu Davud, 2/389.

[4]Tirmidhiu, 4/261, 262.

[5]Tirmidhiu, 4/262; Ibn Maxhe, 2/1116; Ahmed b. Hanbel, 6/433.

[6]Tirmidhiu, 4/263.

 

ilmihali

Share this post

scroll to top